Presidenti Meta dekreton Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçakun, Shef të Shtabit të Përgjithshëm

Presidenti Meta dekreton Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçakun, Shef të Shtabit të Përgjithshëm

354
0

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, dekretoi të hënën Gjeneral Brigade, Bardhyl Myrteza Kollçakun në postin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm.

Shefi i ri i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Gjeneral Brigade Kollçaku në karrierën e tij të gjatë e të spikatur ushtarake, pas përfundimit të Akademisë Ushtarake në vitin 1990 si oficer zbulimi taktik, ka shërbyer si Drejtor i Drejtorisë J5/8 në Shtabin e Përgjithshëm, para se të kryente detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Inteligjencës, Sigurisë dhe Mbrojtjes (AISM) në vitin 2015.

Gjithashtu Gjeneral Brigade Kollçaku ka mbajtur edhe pozicione të ndryshme në nivel shtabi brigade (Shef Zbulimi),  Drejtor i Drejtorisë J2 dhe Drejtorisë J3 në Shtabin e Përgjithshëm, si dhe Shef Sektori në Drejtorinë e Bashkëpunimit Ndërkombëtar, duke shërbyer edhe në pozicione të tjera të rëndësishme në mjedise ndërkombëtare e shumëkombëshe.

Në kuadër të NATO-s, detyra e tij e fundit ka qenë Drejtor i Divizionit të Koordinimit dhe Integrimit në Komandën Supreme të Aleancës në periudhën 2013-2014. Nga tetori 1996 deri në prill 1997 me gradën e atëhershme të Kolonelit, Gjeneral Brigade Kollçaku shërbeu si Vëzhgues Ushtarak në Misionin e OKB-së në Gjeorgji. (UNOMIG).

Gjeneral Brigade Kollçaku, para se t’i jepej grada madhore aktuale nga presidenti Meta më 31 korrik 2017, ka ndjekur dhe është diplomuar edhe në Kolegjin e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm të SHBA, Kolegjin e Forcave të Armatosura të Përbashkëta, Kursin e Kombinuar të Inteligjencës Strategjike pranë Agjencisë së Zbulimit Ushtarak të SHBA, si dhe Kursin Ekzekutiv të Studimeve Strategjike të Sigurisë Evropiane në Qendrën “Xhorxh C. Marshall”.

PROFIL/ Gjeneral Brigade Bardhyl KOLLÇAKU, ka lindur më 05.06.1967, në Pëllumbas, Berat.

Ka përfunduar studimet në Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej”, Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficereve dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Zbulim”, në vitin 1990. Gjatë karrierës së tij ushtarake ka kryer Kolegjin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen, Tiranë, Kolegjin e Shtabeve të Bashkuara, si dhe Kolegjin e Komandës & Shtabit në SHBA.

Ka përfunduar studimet për Master Shkencor, Administrim Publik, në UT, në bashkëpunim me Universitetin e Nebraskës, si dhe ka mbrojtur Doktoraturën në fushën e mbrojtjes.

Gjeneral Brigade Kollçaku ka përfunduar gjithashtu Kursin e Lartë Ndërkombëtar të Menaxhimit të Mbrojtjes, si dhe Kursin Ndërkombëtar të Oficerit për Taktikë dhe Inteligjencë në SHBA. Në jetëshkrimin e tij të pasur akademik, ndërmjet te tjerash, përfshihet Kursi Themelor i Oficerit të Shtabit, Kursi i Forcave Speciale dhe  Kursi Ekzekutiv i Sigurisë në Qendrën Marshall, në Garmisch, Gjermani.

Gjeneral Brigade Kollçaku, ka kryer detyra të ndryshme si: Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit dhe Monitorimit të Mbrojtjes në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Drejtor i Drejtorisë së Politikave Strategjike dhe Shef Kabineti i Shefit të Shtabi të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Gjeneral Brigade Kollçaku ka dhënë kontributin e tij ne krijimin e funksionimin e Sekretariatit te SEDM-CC, e para strukturë ndërkombëtare e Ministrisë së Mbrojtjes. Ka kryer detyra të ndryshme si oficer shtabi dhe shef sektori në drejtoritë e zbulimit, planifikimit dhe marrëdhënieve me jashtë.

Pas anëtarësimit te Shqipërisë në NATO, Gjeneral Brigade Kollçaku ishte ndër oficerët e parë të emëruar në shtabet e Aleancës, fillimisht si oficer shtabi dhe më vonë si Drejtor i Drejtorisë së Integrim-Koordinimit PfP, në SHAPE, Belgjikë.

Eksperienca e tij me trupën ka filluar si komandant toge në batalionin e mbështetjes të SHPFA, komandant kompanie dhe shef zbulimi në BrK, dhe kulmon si Komandant i Batalionit të Dytë të Këmbësorisë, në Brigadën e Reagimit të Shpejtë”, i vlerësuar dhe çertifikuar nga NATO.

Gjeneral Brigade Kollçaku ka shërbyer si Vëzhgues Ushtarak në Misionin e OKB-së në Gjeorgji (UNOMIG).

Gjeneral Brigade KOLLÇAKU është vlerësuar me medalje të ndryshme për arritje gjatë karrierës së tij të gjatë ushtarake.

Gjeneral Brigade  KOLLÇAKU  flet rrjedhshëm gjuhën angleze. Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë të rritur.