Përplasja me presidentin Emmanuel Macron mbi shkurtimet buxhetore ka sjellë dorëheqjen e shefit të Forcave të Armatosura franceze, gjeneralit Pierre de Villiers. Në deklaratën sqaruese ai thotë se nuk e garantonte dot me jetëgjatësinë e modelit ushtarak, të cilën e konsideronte të domosdoshëm për mbrojtjen e vendit. Javën e kaluar qeveria franceze njoftoi shkurtime madhore të shpenzimeve me qëllim uljen e defiçitit buxhetor nën nivelin kritik të BE-së. Macron e kishte bërë të qartë se nuk do të toleronte asnjë mosbindje nga ana e ushtrisë. Nuk është dinjitoze që disa debate të caktuara të mbahen në arenën publike, deklaroi shefi i Elizesë javën e kaluar gjatë një fjalimi të mbajtur në ministrinë e Mbrojtjes. “Nëse shefi i shtabit dhe Presidenti kanë qëndrime të ndryshme për një çështje të caktuar, ai që largohet është shefi i shtabit”, ka thënë Macron. Më pas megjithatë shtoi se gjenerali kishte besimin e tij të plotë përsa kohë e njeh zinxhirin e komandës dhe e di sesi ai funksionon. Ajo që tërboi 60-vjeçarin De Villiers ishin shkurtimet me 850 milionë euro në buxhetin e shpenzimeve ushtarake të 2017. Shumica e tyre preknin pajisjet. Macron kërkon të ulë në total deficitin buxhetor të vendit për këtë vit nën nivelin 3% të GDP-së, kriter ky i vendosur për vendet e BE-së. Urdhërat për pajisje të reja do të shtyhen ose anulohen ndërsa ministrisë franceze të Mbrojtjes do t’i kërkohet të tkurrë edhe koston e operacioneve jashtë kufijve.