Lajme

Premtim i pambajtur/ Vendosja në punë e 10 qendrave model të mjekësisë familjare, vetëm dy funksionojnë

By vizional

November 26, 2024

Nga Eglantina Alliaj

“Programi Qeverisës 2021 -2025. Shqipëria e shëndetshme. Do të vendosim në funksionim 10 qendra model të mjekësisë familjare, me shërbime të integruara socio – shëndetësore, me fokus problemet e shëndetit mendor, shërbimet për fëmijët dhe të rinjtë dhe kujdesin paliativ brenda 2024” Kjo është preambula në fillim të kapitullit për shëndetësinë në programin qeverisës për vitin 2021-2025.

Rrjeti i Qendrave të Mjekësisë Familjare në Shqipëri: Objektiva dhe Zhvillime deri në 2025

 

Shërbimet e kujdesit bazë në transformim rrënjësorë në përputhje me digjitalizimin e sistemit shëndetësorë. Ky është një ndër lajmet kryesore që është bërë e ditur nga vetë krerët e ministrisë së shëndetësisë. Konkretisht thuhet se qeveria shqiptare, në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës shëndetësore, ka ndërmarrë një projekt ambicioz për hapjen e 10 qendrave model të mjekësisë familjare deri në vitin 2025. Ky program synon të ofrojë kujdes të integruar shëndetësor, duke vendosur në qendër të vëmendjes mjekun e familjes. Ky sistem i ri është konceptuar për të ndihmuar në uljen e mbingarkesës së spitaleve dhe për të përmirësuar aksesin në shërbime bazë për të gjitha grupmoshat. Projekti është menduar se përfundon në vitin 2025, por deri tani ky projekt ka startuar vetëm me dy qendra të tilla. Njëra qëndër është hapur në Tiranë ndërsa tjetra në Vorë. Ndërsa përsa i përket qendrave të tjera ende sështë bërë e ditur kur do të jetë inagurimi I këtyre të fundit apo dhe vendndodhja e tyre.

Qendrat e mjekësisë familjare, fuqizimi i rolit të mjekut të familjes dhe infrastrukturës së re

Në këto qendra të reja, mjekët e familjes do të luajnë një rol kyç, duke qenë pikë kontakti e parë për pacientët dhe duke ofruar një gamë të gjerë shërbimesh, nga trajtimi i sëmundjeve kronike deri te kujdesi për shëndetin mendor. Kjo pritet të zvogëlojë referimet e panevojshme në shërbimet sekondare dhe terciare, duke përmirësuar efikasitetin e sistemit shëndetësor dhe duke kursyer kohën e pacientëve Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, ka theksuar se këto qendra janë të projektuara për të ofruar kujdes të vazhdueshëm dhe gjithëpërfshirës. Ato do të pajisen me personel të specializuar, duke përfshirë logopedë, psikologë dhe fizioterapistë, për të ofruar një qasje të integruar .

Progresi dhe Objektivat e Ardhshme

Deri më tani, janë përmirësuar dhe rikonstruktuar më shumë se 400 qendra shëndetësore në të gjithë vendin, pjesë e përpjekjeve për të ofruar kujdes cilësor edhe në zonat rurale . Me hapjen e qendrave të reja të mjekësisë familjare, Shqipëria synon të arrijë standarde europiane në kujdesin parësor dhe të sigurojë mbulim shëndetësor universal për të gjithë qytetarët .Këto zhvillime janë pjesë e një vizioni më të gjerë për shëndetësinë shqiptare, i cili përfshin zgjerimin e skemës së barnave të rimbursueshme, përmirësimin e shërbimeve në spitale rajonale dhe rritjen e mbështetjes për grupet vulnerabël . Në këtë kontekst, projekti i qendrave të mjekësisë familjare konsiderohet një hap kyç për të rritur aksesin dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore në të gjithë vendin.

 

Strategjia

Strategjia për Zhvillimin e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor Parësor (KSHP) në Shqipëri 2020-2025 parashikon që 10 qendra të mëdha shëndetësore në zonat kryesore urbane do të përzgjidhen, mbështeten dhe fuqizohen për t’u bërë Qendra të Mjekësisë së Familjes (QMF) që ofrojnë shërbime të integruara të mjekësisë së familjes ku përfshihen shërbimet diagnostikuese dhe shërbimet rehabilituese, paliative dhe psiko-sociale. Dy nga këto qendra do të pilotohen edhe si qendra akademike (universitare) të mjekësisë së familjes. Krijimi i këtyre QMF-ve synon të rrisë cilësinë e shërbimeve të ofruara në kujdesin parësor, të përmirësojë imazhin e tij dhe të përmirësojë programet e edukimit për profesionistët e kujdesit parësor.

Por çfarë është bërë deri tani për ngritjen e këtyre 10 Qendrave të Mjekësisë Familjare në Shqipëri?

Dy deklarata të ministres Albana Koçiu

Hapi i radhës, ngritja e qendrave model të mjekësisë familjare

Më 8 dhjetor të vitit 2023, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu deklaroi hapi i radhës, ngritja e qendrave model të mjekësisë familjare. Nga paneli për shërbimet publike gjatë punimeve të Kongresit të PS-së, ministrja Koçiu tha se “vizioni ynë për shëndetësinë e gjeneratës së re është i pandashëm nga ambicia për një mbulim të plotë shëndetësor universal, për spitale autonome që shërbejnë si qendra ekselence, si dhe mjekë e infermierë të mirëpaguar”.

“Hapi i radhës është ngritja e qendrave model të mjekësisë familjare, të cilat ofrojnë kujdes të plotë për çdo nevojë të qytetarëve, nga të porsalindurit, tek më të moshuarit. Deri në vitin 2025, do të kemi 10 qendra të tilla ekselence”, nënvizoi Koçiu. Ajo shtoi se falë buxhetit më të madh në historinë e MSHMS, për vitin 2024, do të rritet numri dhe shumëllojshmëria e barnave të rimbursueshëm. “Objektivi ynë është që qytetarët shqiptarë të kenë vazhdimisht në dispozicion barnat dhe medikamentet më të mira”, theksoi ministrja.

Ministrja Koçiu: 17 spitale autonome deri në 2027-ën, fuqizojmë telemjekësinë dhe zhvillojmë turizmin shëndetësor. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu nga paneli për shërbimet publike në Kongresin e Partisë Socialiste është ndalur te kantieret e reja që do të nisin vitin e ardhshëm në infrastrukturën shëndetësore. Në fjalën e saj, ministrja Koçiu deklaroi sot zgjerimin e autonomisë spitalore për të tjera struktura spitalore në vendin tonë, pas modelit të parë nisur me Spitalin Memorial Rajonal të Fierit. “Janë krijuar më në fund kushtet për të vënë në zbatim të gjerë modelin e administrimit të provuar me sukses në Spitalin “Memorial” të Fierit, i cili është një model i parë i zbatimit të autonomisë spitalore. Jemi gati të zgjerojmë këtë model edhe në QSUT, Spitalin e Shkodrës, Spitalin e Durrësit dhe atë të Vlorës. Qëllimi ynë është që deri në vitin 2027 të kemi 17 struktura spitalore tërësisht autonome”, deklaroi Koçiu.Ministrja Koçiu deklaroi nga Kongresi i PS-së se mjeku është në qendër të çdo reforme të ndërmarrë.“Rikthyem dinjitetin e profesionit përmes rritjes së pagave me 70% nga pikënisja.Vitin e ardhshëm vijojmë me një rritje të re, pjesë e vizionit tonë për paga 100% më të larta. Rrisim gjithashtu numrin e mjekëve. Shqipëria e vitit 2030 do të ketë më shumë mjekë për çdo 1 mijë banorë”, deklaroi Koçiu. Ministrja u shpreh se “një shoqëri ku diferencën e bën vetëm talenti dhe puna, e jo gjinia apo statusi social, është vizioni në të cilën bazohen politikat tona të mbrojtjes sociale”.

“Jam e sigurt që së bashku, në koalicionin tonë të madh me qytetarin, do të bëjmë të mundur që Shqipëria e vitit 2030, të jetë një vend ku: Të gjithë spitalet dhe qendrat mjekësore të jenë 100% moderne dhe të pajisura me teknologjinë e fundit. Të gjithë mjekët dhe infermierët të përfitojnë paga sa mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian. Të gjithë qytetarët të përfitojnë nga mbulimi shëndetësor universal falas si dhe të gjitha shtresat në nevojë, të ndihen plotësisht të barabartë, në shoqërinë tonë”, përfundoi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.

https://shendetesia.gov.al/,

Koçiu: 10 qendra të mjekësisë familjare deri në vitin 2025

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Universiteti i Mjekësisë në Tiranë ka hapur fazën e dytë të aplikimeve për specializimet prioritare për mjek urgjence dhe familjeje. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu solli sot shembullin e Doktor Adlei Bashës i cili ka zgjedhur që të kryejë specializimin për mjek familje.

“Prioriteti ynë, rritja e cilësisë së shërbimeve shëndetësore edhe në kujdesin shëndetësor parësor si porta e parë e përballjes së pacientit me sistemin ndërsa po punojmë për shtrirjen e mjekësisë familjare me 10 qendra deri në vitin 2025”, shprehet Koçiu në një postim në rrjetet sociale që mban datën 20 qeshor 2024. Këto programe specializimi ofrojnë mundësi të shkëlqyera për zhvillimin profesional dhe përmirësimin e aftësive në trajtimin e emergjencave mjekësore dhe kujdesin parësor shëndetësor. Afati i aplikimit për dy degët e specializimit në fushën e mjekësisë është nga data 18-24 qershor.

Deri tani, vetëm një Qendër e Mjekësisë Familjare në Tiranë

Burime pranë Ministrisë së Shëndetësisë bëjnë të ditur se deri tani është vetëm një Qendër e Mjekësisë Familjare, një shërbim i integruar në Qendrën Shëndetësore Nr: 10 në kryeqytet.

Qendra e Mjekësisë Familjare në Vorë

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, Qendra e dytë e Mjekësisë Familjare po bëhet gati, është ajo e Vorës, me numër popullsie prej 36,230 mijë banorë, një bashki që ka në përbërje të saj vetë qytetin e Vorës dhe fshatrat Prezë, Berxullë, Gjokaj, Mucaj, Sharkë, Marqinet , Gërdec, Marikaj dhe, Kuç.

Interesimit tonë se cilat kanë pengesat deri tani për hapjen e tyre edhe në qytetet e tjera më të mëdha të vendit, nuk ju përgjigjën.