Bota

Portret i ambasadores amerikane në OKB, Nikki Haley

By vizional

May 15, 2017

Ambasadorja amerikane në OKB ka qënë në detyrë për më shumë se tre muaj, por ka bërë emër si një negociatore e fortë që kërkon rezultate, duke tërhequr vëmendje për veten dhe Kombet e Bashkuara. Ish guvernatorja republikane e shtetit të Karolinës së Jugut tërhoqi vëmendje me deklaratat që bëri kur mbërriti në OKB në fund të janarit. “Synimi i administratës sonë është të tregojmë vlera në OKB, dhe mënyra sesi do të tregojmë vlerat është të tregojmë forcën tonë, zërin tonë, të mbështesim aleatët tanë dhe të sigurohemi se edhe ata na mbështesin ne. Për ata që nuk na mbështesin – po mbajmë shënim dhe do të kthejmë një përgjigje në përputhje me rrethanat.” Ajo ka mbajtur shumë shënime qysh atëherë. “Rusia dhe Kina bënë një zgjedhje flagrante dhe të pa justifikueshme sot. Ato refuzuan të mbajnë përgjegjës regjimin e Bashar al-Assadit për përdorimin e armëve kimike … përsa i përket Sudanit Jugor, duhet t’i tregojmë qeverisë së Sudanit Jugor se nuk do ta pranojmë më gjatë këtë trajtim … Evropa përballet me sfida serioze, më urgjentja ndër to, përpjekjet e Rusisë për të destabilizuar Ukrainën dhe cënimi i sovranitetit dhe integritetit të saj territorial.” Ajo ka ngritur gjithashtu zërin për ndryshimin e mënyrës si OKB-ja trajton Izraelin, aleatin e Shteteve të Bashkuara. “Jam këtu për të nënvizuar mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara për Izraelin. Jam këtu për të theksuar se Shtetet e Bashkuara janë të vendosura të sfidojnë qëndrimin e njëanëshëm anti-izraelit të OKB-së.” Një nga detyrat e saj më të vështira do të jetë ndoshta shkurtimi i mundshme i kontributeve të Shteteve të Bashkuara në buxhetin e OKB-së. Zonja Haley duket të ketë marrëdhënie të mira me Presidentin Donald Trump, megjithëse nuk e mbështeti atë në zgjedhjet paraprake brenda partisë republikane. “Ajo po bën një punë të shkëlqyer.” Por disa e vlerësojnë punën e saj deri tani si me më shumë stil sesa substancë. “Haley i kushton rëndësi ndonjëherë më shumë marrëdhënieve me publikun sesa thelbit të çështjes. Deri tani, nuk mendoj se e ka ndryshuar thellësisht diplomacinë në OKB. Megjithatë, ajo ka qënë një zë i fuqishëm dhe bindës i politikës së jashtme amerikane gjatë një periudhe jashtëzakonisht të trazuar.”

 

Ajo ka ecur një rrugë të gjatë që nga rinia e saj në rrethinat e Bambergut në Karolinën e Jugut, vajza e një familje imigrantësh indianë të klasës së mesme. Një llogaritare me profesion, Haley hyri në politikë dhe shpejt u bë guvernatore në vitin 2010 në moshën 38 vjeçare. Ajo fitoi vëmendje kombëtare në vitin 2015 kur një 21 vjeçar i bardhë kreu disa vrasje të nxitura nga racizmi në një kishë historike afrikano-amerikane në Çarlstën. Nëntë veta u vranë. Autori i sulmit u pa duke pozuar në fotografi me flamurin e Konfederatës – simbol i krenarisë dhe urrejtjes në jugun amerikan. Ajo bëri thirrje për heqjen e flamurit nga ndërtesa e kapitolit të Karolinës së Jugut. Ndonëse përvoja e saj e kufizuar në politikën e jashtme shkaktoi habi kur ajo u emërua ambasadore në OKB, eksperti Bob Oldendick thotë se askush nuk duhet të nënvlerësojë aftësitë e qetësisë oratorike të një politikaneje. “Njerëzit që e nënvlerësuan bën vërtetë një gabim. Rezultatet e saj kanë treguar se ajo është shumë e efektshme, si në negociatat me politikanët e tjerë edhe në aftësitë për të sjell vende pune në shtetin e saj dhe për të negociuar në të mirë të Karolinës së Jugut.” Analistët thonë se Haley është politikane me prespektivë. Në moshën 45 vjeçare, ajo i ka sytë tek një post më i lartë – atë të Sekretares së Shtetit, senatores apo ndoshta edhe Shtëpinë e Bardhë.