Politikat refraktare të së djathtës dhe nevoja e një poli të ri...

Politikat refraktare të së djathtës dhe nevoja e një poli të ri të djathtë si alternativë

341
0

Nga Valbona Mezini -Analiste eko-politike

 

Kur Partia më e madhe e të djathtës ajo Demokratike ndryshoi lidership, shumëkush mendoi se po i hapej udhë apo shteg, një dimensioni të ri politik të së djathtës, për vetë faktin se kryetari zëvendësues vinte nga një shkollim perëndimor. Nuk vonoi shumë dhe partia më e madhe e së djathtës për të cilën shqiptarët ishin përgjëruar 45 vjet, por nuk kishin mundur dot ta përjetonin e që e afilonin me lirinë dhe gjithë të drejtat që ajo sjell, përfshi dhe “mrekullinë”, u pa se nuk po justifikonte qëllimin, atë të nevojës për të qeverisur më mirë se kundërshtari politik.

 

Në 7 vite të ndryshimit të lidershipit të saj, Partia Demokratike, nuk u ringrit dot edhe pse kaloi përciptazi në disa proçese votimi të strukturave të brendshme, me qëllimin afrimin e pjesës intelektuale, rinisë energjike, dhe hapjes së saj për t’u shndërruar në alternativë qeverisëse, përmes vyrtyteve dhe vlerave si meritokracia,  konkurenca përmes votës, eksperienca dhe operativiteti në punët organizative të partisë etj.

 

Në 7 vite të drejtimit Bashian, të një stili aspak Berishian sikurse ishte mësuar struktura demokratike, e pati të vështirë të përqasej me sjelljen e re, më të distancuar të kryetarit nga baza dhe militantët. Po ta analizosh nën lupën e realitetit, rezultati u pa menjëherë. Partia u rrudh në numra.

 

Këtë nuk e them unë, por rezultatet zgjedhore me të cilat struktura u ballafaqua në këto vite, qoftë rezultatet elektorale të vitit 2015, qoftë ato parlamentare  të vitit 2017, kur kryetari aktual i saj, vendosi të përgjysmonte strukturën duke hedhur në rrugë të madhe profile të larta publike që kishin shërbyer  dikur përkrah tij. Dhjetra kolegë nuk u telefonuan as për sy e faqe për tiu gjendur partisë me punë vullnetare për fushatën elektorale 2017. Rënia e votave ishte drastike. Një parti që do duhej të ishte në ngjitje, po zbriste frikshëm në numra.

 

Shqiptarët opozitarë, teksa ishin spektatorë të një kakofonie mes fjalëve dhe veprave të kryetarit të saj, kuptonin se qëllimi ishte i largët madje i pamundur ai i ardhjes në pushtet në këtë mënyrë. Ata preferuan largimin nga Shqipëria dhe sot jo pak janë azilkërkues në vendet europiane, 450 mijë persona.

 

Vendit i mungon alternativa. Në të tilla kushte politika qeverisëse ka gjithë fushën, topin, dhe portën për tu bërë shqiptarëve sa gola të dojë e kur të dojë. Mungon një nga shtyllat kryesore në sistemin demokratik, ajo e opozitës si alternativë dhe frymë, shpresë dhe besim që të keqes po i vjen fundi.

 

Kjo dritë jeshile është ende e pandezur nga poli i së djthatës aktuale.

 

Arsyet, mbeten ende të paqarta saqë lënë shkak për aludime. Gjithsesi e sidoqoftë mungesa e dukshme e një alternative dhe mungesa e frymës për pushtet, janë mangësi evidente të pakontestueshme.

 

Qeverisjes i është hapur krahu për të shtuar abuzimin me pushtetin, me taksat, me buxhetin dhe zërat janë se e gjithë kjo është një strategji e instrumentalizuar në dijeni bashkëvepruese.

 

A është koha për një pol të ri të formatimit të së djathtës shqiptarë?

 

Për shqiptarët po, për Shqipërinë po se po.

 

Tregu politik ka nevojë për ide, ka nevojë për energji operative që vënë në zbatim këto ide, për një model të huazuar e të suksesshmëm dhe parime që mbrohen duke dalë përtej interesit vetjak.

 

Këto parti që janë në treg,  duket se kanë marrë peng aspiratat e shqiptarëve dhe mbi çdo nevojë të tyre,  kanë vendosur interesat personale, për aq kohë sa u shtohen vilat, makinat luksoze, shkollojnë femijët në universitetet më të shtrenjta perëndimore dhe bëjnë jetë sheikësh.

 

Por puna nuk përfundon këtu. Ata sëbashku kanë marë peng drejtësinë, gjyqësorin, ekonominë, orientojnë investimet dhe kontrollojnë paranë. Kjo u leverdis të gjithëve bashkë, për aq kohë sa asnjë prej tyre nuk con një dosje korruptive në prokurori apo nuk ka burgosur asnjë abuzues të parave publike. Ndërsa nga KLSH, alarmi përcillet çdo vit se milionna euro keqpërdoren nga buxheti në destinacione të padeklaruara.

 

Tregu politik ka nevojë për ide dhe njerëz të mirëshkolluar. Kapitali njerëzor në Shqipëri nuk mungon por ai gjendet i ngrirë në një rrugë pakrye. Kapitali politik gjendet lehtësisht me një thirrje që mund tu bëhet për tu rithyer në atdhe e për të kontribuar plot mendje të arta të mirëshkollluara në mërgim, të cilat presin  vetëm një ftesë, dhe vendit i hapen mundësitë e zhvillimit.

 

Nuk ka vullnet. Përsa kohë nuk do të ketë vullnet e do të punohet kundra hapjes së politikës dhe meritokracisë e konkurrencës, do të ballafaqohemi me Shqipërinë që nuk duam!

 

Me skamjen, mjerimin, listat e pafundme të parave borxh në ushqimore e farmaci, me shëndetësinë e korruptuar, me arsimin gjysmak, dhe rrokopujën e një sistemi që po nuk ishe i korruptuar, servil, sahanlëpirës, mashtrues dhe hajdut etj, nuk mbijeton dot, del jashtë sistemit.

 

Jetohet keq në vendin që zoti i ka fal pasuritë nëntokësore e mbitokësore, sepse tregu aktual i politikës mban të mbyllur mundësitë përmes sistemit elektoral antidemokratik.

 

Ndaj edhe shumëkush e ka më të thjeshtë të jetojë me nder jashtë vendit, sesa të keqpërdoret cdo ditë në Shqipëri, tek e fundit për një pagesë minimaliste që nuk i del në fund të muajit, për të përballuar listën e gjatë të shpenzimeve e detyrimeve familjare./ Apel.Media