Politika shqiptare dhe historia e demit të madh

Politika shqiptare dhe historia e demit të madh

404
0

/Nga Nuri Dragoj

Politika shqiptare ka bërë që Shqipëria të kaloj një tranzicion të vështirë, ku edhe pas 30 vitesh, nuk ka asnjë shenjë për të bërë shtet. Në këtë mënyrë, ushqejmë teorinë e fqinjëve, sipas të cilëve, “shqiptarët nuk janë shtetformues”. Në fakt, nuk janë shqiptarët të tillë, por një pakicë shqiptarësh që kanë uzurpuar pushtetin, që janë pasuruar aq shumë, sa është e vështirë t’i shkulësh. Janë këta politikanë, që nuk e duan reformën zgjedhore; janë kundër votimit direkt, kundër votimit elektronik; nuk pranojnë të ndalet marrja e financimeve për fushatën elektorale nga biznese të inkriminuara. Janë këta që, në takime të fshehta, marrin vendime për të ndryshuar Kushtetutën, sipas dëshirës. Bëjnë sikur duan reformë, por në fakt nuk pranojnë kurrë që ta bëjnë atë siç duhet, sepse kanë planifikuar të jenë me radhë perandorë, 8 vjet njëri e 8 vjet tjetri. Ata janë të paturp, pasi guxojnë të luajnë teatër e të bëjnë shfaqje banale para popullit të raskapitur. Politikanët tanë udhëhiqen nga setenca të mbretëroj unë, të mbulohem me para në vend të lavdisë, pas meje të bëhet qameti.
Të luftosh për votën e lirë, është përpjekja më sublime qytetare. Nuk bëhet fjalë për ndonjë zbulim historik, por ka ardhur koha që, çdo qytetar, nevojitet të shqetësohet dhe të ngrejë zërin për këtë të drejtë të shenjtë. Realizimi i këtij procesi të domosdoshëm, zgjidhja e këtij problemi madhor të shoqërisë shqiptare, nuk duron më zvarritje. Është e nevojshme të rritet shkalla e tolerancës, durimit dhe mirëkuptimit. Nuk është problemi te qytetarët e thjeshtë shqiptarë, pasi ata votojnë të qetë, me kulturë e dinjitet, por politika e bën lëmsh procesin me militantët e vet. Dhe nuk kanë kërkuar kurrë ndjesë. Sepse kjo kategori politikanësh mëkatojnë çdo ditë, ndonëse nuk pranojnë as idenë e të qënit mekatarë. Njeriu mund të jetë mëkatar edhe pa dashur të jetë i tillë. Por ata duan të jenë, sepse duke mos patur vlera, përpiqen t’u imponohen të tjerëve, si shëmbylltyrë e virtytit.
Vota është pushtet i sovranit, thotë Kushtetuta. Këtë e thonë edhe politikanët. Jo se duan të respektojnë sovranin, por sepse duan të tallen deri në pafundësi me të. Votën e hedh populli, numërimi është punë e satanait. Kjo i fyen qytetarët, të cilët edhe pse votojnë me qytetari, në botë prezantohen si barbar, sepse kështu mund të mbajnë pushtetin të pacipët. Nëse legjitimohet vota e lirë, nuk mund të thithen paratë e krimit, nuk ka vend në administratë për militantët injorantë, hiqet e drejta e tenderave korruptiv, deri ne ekstrem. Me votë të lirë u hiqet e drejta kriminelëve për të qenë në Parlament, zbehet ndikimi i mafias, rritet prania e intelektualëve në qeverisje e legjislacion, etj.
Të gjitha këto prapësi i bëjnë 5 vetë që drejtojnë partitë kryesore. Në vend që të merren me kodin zgjedhor, me përmbysjen e këtij sistemi, bëjnë lojëra fjalësh, se gjoja do ta përmirësojnë atë, se do të zbatojnë ligjin, do të përpiqen të mos blejnë vota me paratë e krimit etj. Kujt ia thonë këto? A nuk janë të dy palët që kanë vjedhur vota, kanë falsifikuar dhe janë tallur me këtë popull, për 30 vite me radhë? A nuk janë këta që me akuza false të ndërsjellta, i kanë çuar qytetarët në kufijtë e dyshimit për çdo gjë. Me të drejtë diplomati austriak, Vranicki, gati 20 vite më parë, u shpreh se në këtë vend, nuk kuptohet kush është engjëlli dhe kush është djalli.
Qeverisjen e keqe e vuan populli. Vetëm ai. “Pronarët” e popullit kanë hipur mbi shpinën e tij, e kanë vjedhur e vjedhur pa pushim, dhe paratë i kanë depozituar në bankat e huaja. Edhe vet ata janë të huaj për këtë vend, pasi mund të ikin prej këtej kur të duan, ku të duan, pasi janë kthyer në përbindësha të pamposhtur.
Ka kohë që flitet për konsensus dhe të gjithë i largohen marrëveshjes shumëpalëshe. Si mund të ketë konsensus, kur aleatët zgjedhorë përçmohen, përbuzen, dikush i quan kalbësira, një tjetër qelbësira. Partitë e vogla s’janë të padobishme për demokracinë shqiptare. Shkrimtari Dritëro Agolli, në një poezi të tij, qorton pikërisht nënvlerësimin e gjërave të vogla. Ja çfarë shkruan ai: Larg atij që mburr çdo gjë të fryrë, / Mburr një fjalë dhe mburr një qyp me lyrë. / Larg atij që shkel çdo gjë të vogël, / Dhe e quan gogël, gjënë e vogël, / Larg, ju them. Vërtet jetoj pa bujë, / Detin e çmoj, por çmoj dhe një pikë ujë. Mirëpo nuk mendojnë kështu politikanët shqiptar. Kjo sjellje e tyre ka bërë që krerët e saj të jenë sinonim i shpifjes dhe mohimit të çdo vlere të kundërshtarit. Nuk e njohin mirësinë, as vlerën e bujarisë, e kanë humbur fisnikërinë e shpirit, ose nuk e kanë njohur kurrë atë. Në vetëdijen e tyre, zjen ideja e forcës dhe e harbutërisë, e mospërfilljes revoltuese. Nuk e njohin thjeshtësinë, mëshirën, pendesën dhe humanizmin në tërësi, sepse janë bazuar te dhuna, te blerja e opinionit. Për këtë çështje, gjithkush ka të drejtë të ngrejë zërin. Aleanca arrihet kur ka seriozitet, kur shmanget pabesia. Asgjë nuk është e pamundur të arrihet me mirëkuptim, nëse luftohet për çështje të mëdha, që i shërbejnë popullit dhe demokracisë.
Të mbrosh votën e lirë është fisnikëri, t’i besosh konsensusit, do të thotë që të mos përbuzësh aleatët, të respektosh ata që luftojnë për votën e lirë. Në respektimin e saj, nuk ka të fituar e të humbur, por janë të gjithë të fituar. Politikanët tanë, e dinë që sot nuk mund të ushtrohet terror i hapur. Po ashtu, nuk mund të kalojnë në delir nga kënaqësia për nënshtrimin e një populli, të katandisur në gjendje të thellë varfërie e pasigurie, e cila është bërë shkak për braktisjen e vendit. Po ikën rinia. Popullsia është plakur e vazhdon të mplaket çdo ditë. Pa rininë, jeta është e vakët, gëzimi i zbehtë, buzqeshja e sforcuar. Ish kryeministri grek, Micotaqis, gati 25 vite më parë, deklaroi se për tri dekada, do ta plak popullsinë e Shqipërisë. Dhe ashtu po ndodh, sepse ikën rinia. Qeveria nuk shqetësohet. Nuk merr asnjë masë për t’u dhënë besim e shpresë, për t’u thënë se në Shqipëri mund të jetohet, më mirë se kudo tjetër.
Mbase do të vijnë kombësi të tjera të popullojnë trojet e boshatisura. Thonë që ka program të fshehtë për ta çuar popullsinë shqiptare në 1 milionë banorë në vitin 2040. Mos qoftë kështu! Por rinia po ikën, këtë askush nuk e mohon. Po ikën edhe truri, sepse trutë nuk i duhen poltikës, ngaqë ka vet me shumicë. Një shkrimtar amerikan, i cili ka shkruar për rininë, e përshkruan, pak a shumë, në këtë mënyrë: Rini, ti je gëzimi, aroma, shpresa e jetës. Tek ti shihen të gjitha mundësitë që janë në një gonxhe që shpërthen. Ti je shëndeti, ti je bukuria, ti je lumturia. Ti je fillimi i një libri. E para faqe e mrekullueshme e tij, që e lexojmë pa u lodhur. Ti je agimi i ditës, kur zemra rreh me gëzim. Ti je frymëzim krijimtarie, që të mahnit e të duket i pashtershëm.
“Unë e shoh të ardhmen e njerëzimit te buzëqeshja e gëzuar e një fëmije”, thoshte Dostojevski. Por pushtetarët tanë kanë mësuar të shtiren dhe në mënyrë graduale po e ngrijnë buzëqeshjen e foshnjave. Individi politik në Shqipëri, ngjason me demin e Artur Hoppes. Dhuna e ushtruar ka bërë që njerëzit t’i nënshtrohen njëshit, njëlloj si në diktaturë. Njishi të bën deputet, ministër, drejtor, të heq nga puna, të fut në burg, t’i bën të gjitha. Dhe të tjerët rrinë në rresht kokëulur, mjafton të jenë pas tij, në rresht, të kenë një kockë përpara.
`Në shoqëritë e pakultivuara, rritet numri i njerëzve që shtiren. Pushtetarët e sotëm duan të rritin vlerat e tyre, duke ulur ato të kundërshtarit. Kjo është karakteristikë e njeriut pa energji pozitive, pa prirje për t’u ndrequr, e njerëzve pa vullnet për të gjetur rrugën më të mirë, në dobi të popullit të vet. Njeriu duhet të dijë të sillet. Që të drejtosh në liri, është e nevojshme t’i krijosh kushte njeriut, të veproj e të sillet ashtu siç është. Një fjalë popullore thotë se duhet të dish shumë, që të kuptosh se di pak. Tek ne ndodh e kundërta. Megjithse ekonomia ecën me hapin e gafores, fjalimet e zyrtarëve janë patetike. Njëlloj si në komunizëm, kur Shqipëria ishte fener ndriçues në brigjet e Adriatikut. Gjithsesi, kjo pranohet, pasi drita e fenerit është e zbehtë. Por nuk pranohet ajo që thuhet sot, duke e renditur zhvillimin ekonomik të Shqipërinë, një hap pas Gjermanisë. Tjetri betohet se në vitet e qeverisjes së tij është bërë aq shumë, sa nuk është bërë në 25 vite të marra së bashku. Se sheshet e rrugët e tyre janë më të mirat në Ballkan. Dhe për çdo gjë përdorin shprehjen “për herë të parë”. Janë ata që e bëjnë për herë të parë. Dhe, duke qenë në delirin e tyre, imitojnë apostujt e progresit, i japin të drejtë vetes, ndaj përpiqen t’u imponohen të tjerëve, doke bllokuar tërësisht ekranet e televizioneve.
“Nuk ju vjen turp nga populli që silleni në këtë mënyrë”? – i thamë shoqërisht një qeveritari të rëndësishëm, gjatë një takimi informal me të. Përgjigja e tij ishte po me pyetje: Pse ka popull? Mjafton kjo për të kuptuar se ka ardhur koha që qytetarët shqiptarë të zgjohen, ta kuptojnë me të vërtetë që ata janë “sovrani”, dhe janë të tillë nëse ndërgjegjësohen, në të kundërt, do të përballemi përherë me qeverisje mediokre, vjedhje të djersës së popullit dhe regres të vazhdueshëm të shoqërisë. Kur zihen hatllarët, thotë një fjalë popullore, shqelmat i hanë gomarët. Po kush mund ta udhëheqi popullin drejt së drejtës? Ka profesorë të ditur që guxojnë e duhet të guxojnë edhe më shumë. Ka elementë edhe në shoqërinë civile, e cila duhet të tregoj që ekziston. Popullsia shqiptare po shkon drejt shifrës 2 milionë banorë. A duhet të jenë sërish 140 deputetë? Unë mendosj se edhe 100 janë shumë. Le të reflektojmë.
Artur Hoppe, gati 70 vjet më parë, na tregon historinë e demit të madh, duke bërë paralele me politikën e kohës, për vendin e vet. Por ajo është aktuale edhe për politikën shqiptare sot. Thuhet se përralla është e gënjeshtërt, por në të ka dhe diçka të vërtetë. Kështu thotë një fjalë e urtë. Ja çfarë shkruan Artur Hoppe.

Historia e demit të madh

Një herë e qëmoti, një dem i madh, e futi kopenë në kënetë. Kjo gjë mund t’i ndodh çdo demi. Mirëpo, të gjitha përpjekjet e tij heroike, për ta nxjerrë kopenë nga këneta, shkuan dëm. Kopeja u krodh thellë e më thellë, në llum e baltë.
Kopeja përbëhej nga dema të rinj, rebela. S’do mend që, ndodkush, në këtë kope, filloi të dyshojë për zgjuarësinë e demit të madh. Disa ishin të mendimit se kopeja duhej të kthehej prapa, nga e njëjta rrugë që e kishte sjellë në kënetë. Të tjerë mendonin se duhej t’ia mbanin djathtas. Kishte nga ata që donin të shkonin majtas. Nuk mungonin as demat, që ishin të gatshëm t’ia mbanin nga çdo anë, mjafton që të dilnin në tokë të thatë.
Në krye, demi i madh, s’bëri gjë tjetër, veçse buzëqeshi me shpirtmirësi, duke dëgjuar plot durim mendimet e asaj pakice të parëndësishme.
-Unë i njoh meritat e rendit demokratik që kam futur në këtë kope, – deklaroi ai, duke u lejuar këtyre kritikëve të gabuar, por të sinqertë, që të çfaqnin mendimin e tyre, në një çast kaq të rëndësishëm. Dhe tani, përpara!
Tërë kopeja u mundua përsëri të çante rrugën përpara, duke ecur pllaq e plluq nëpër kënetë. Por s’bëri gjë tjetër, veçse u zhyt në baltë gjer në gju.
-Mos do të qe më mirë, ndodshta, të qëndronim për një çast dhe të vështronim rrotull? – tha me një farë ngurimi, një dem me syze, i quajtur Nelbrajt. Është e lehtë të kuptohet, se të gjithë demat e kopesë, kishin frikë nga demi i madh.
-Në këtë kope, ju kini të drejtë të pamohueshme, që të propozoni çfarëdo që t’ju duket më e mirë, – u përgjigj demi i madh, – edhe sikur të jeni të verbër ndaj mësimeve të eksperiencës sonë, indiferent ndaj shpresave tona dhe, ndoshta, na bëni me këtë një shërbim shumë të keq. Por tani, përpara!
Dhe tërë kopeja u orvat edhe një herë, të çante përpara, duke u zhytur pllaq e plluq nëpër kënetë. Si përfundim, u krodh në baltovinë gjër te barku.
-Unë e di që ne jemi kopeja më e madhe, më e fuqishme në botë, – mërmëriti duke vrenjtur vetullat demi me syze. Por siç duket puna, do të kridhemi thellë e më thellë.
Kjo e shqetësoi kopenë disi. Ata hidhnin sytë nga demi i madh, por nuk guxonin ta kundërshtonin. Ishte i frikshëm për ta.
-Askush më tepër se unë, – tha duke turfulluar demi i madh, – nuk di që të dalë nga kjo kënetë. Dhe tani përpara!
Kopeja u orvat edhe një herë të çante përpara, duke ecur pllaq e plluq nëpër moçalishte. Por balta i erdhi deri te supet.
-Ne duhet t’i lidhim qafat tona me litar dhe ta tërheqim të gjithë njëherësh, – tha demi i madh. Oburra përpara! Një, dy…
-Në qoftëse veprojmë kështu, – u përpoq të kundërshtonte demi me syze, – atëherë të gjithë ne do të…
-Dëgjo ti vajzë, me nerva të dobëta, – ulëriti demi i madh, duke humbur durimin. Ti po mundohesh të mbjellësh farën e përçarjes në radhët tona, për qëllimet e tua egoiste. Kushdo që ka frikë të vij pas prijsit të vet, pas kopesë së vet, është si një çupë me nerva të dobëta. Dhe tani, për të ruajtur mënyrën tonë demokratike të jetesës, vihuni të gjithë në rresht dhe ecni pas meje.
Kjo solli dobi. Kopeja, duke mos dashur që demi i madh ta quante vajzë me nerva të dobëta, u vunë në rresht dhe ndoqi verbasi prijësin që doli nga këneta dhe u ngjit në një bregore të vogël, prej ku, ra drejt e në një greminë, 3000 m të thellë.

Box
Emil Zola, 150 vjet më parë, në librin Shkëlqesia e tij, shkruante:

Para nesh qëndron ambicioni i një njeriu që hyjnizon fuqinë e vet dhe mendjen e vet. Prapaskena politke. Punë që mbahen për serioze. Poshtërsi e fëlliqësi, padituri, korrupsion. Një pasion që njerëzit i bën ujq. Historia e një partie, një grup që nxjerr një udhëheqës dhe që e shqyen…Dhe, poshtë, qentë po mbaronin koskat e tyre. Futeshin me tërbim njeri nën tjetrin, për të arritur mu në mes të togut. Ishte një mësallë shpinash të lëvizshme, herë të bardha, herë të zeza, që shtyheshin, zgjateshin, shtriheshin e luhateshin si një pellg i gjallë, me një gërhimë makute e të pangopur. Nofullat shpejtonin, qentë hanin si të babëzitur, sa ment mbyteshin nga nxitimi, të rrëmbyer nga dëshira për të gllabëruar gjithçka. Përleshjet e shkurtëra mbaronin me një ulërimë. Një langua i shëndoshë, një kafshë madhështore, i egërsuar që kishte mbetur shumë anës, u spraps pak dhe u vërvit me një të kërcyer, mu në mes të zogorisë. Duke çarë përpara, ai rrëmbeu një copë të mirë….