Policia e Shtetit: Si i zbuluam miliona euro në port dhe kush...

Policia e Shtetit: Si i zbuluam miliona euro në port dhe kush janë porositësit

391
0

Policia e Shtetit është vënë në dijeni nga burimet e saj vendase, në datën 20 Qershor 2018, ditën e mërkurë, për një karoatrec me targa AA 120 SP, që pritej të transportonte disa autovetura, e mes tyre një mjet me sasi eurosh të padeklaruara, pa specifikuar tipin e automjeteve dhe as origjinën e vendit. Me marrjen e këtij informacioni, iu është dhënë porosi gjithë strukturave të Pikat e Kalimit Kufitar për konstatimin dhe kontrollin e kësaj ngarkese. Ditën e enjte, 21 Qershor 2018, në mesditë, gjatë punimeve të Parlamentit në sallën e Kuvendit, është bërë publik fakti lidhur me një automjet tip “Toyota Yaris” me 1.5 milion euro, të zbuluar në Gjermani. Po atë ditë, të enjten e kaluar, datë 21 Qershor 2018, një agjenci ligj zbatuese shqiptare në orën 17:00, ka njoftuar Policinë e Shtetit lidhur me një informacion për një ngarkesë me trajler që do të sillte disa mjete tip ‘Toyota’, e cila pritej të vinte nga Gjermania, e mes tyre një mjet me sasi eurosh të padeklaruara. Në datë 24 Qershor 2018, në Portin e Durrësit në orën 07:30, mbërriti nga Belgjika një trajler tip “Bizark” me 9 automjete, përmes Portit të Barit, Itali. Policia Kufitare, mbi bazën e porosisë së marrë në datë 20 Qershor, ka bërë identifikimin dhe ndalimin e mjetit. Policia e Shtetit ka njoftuar Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, e cila po drejton hetimet.

 

Më tej, specialistët për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Durrës në bashkëpunim me efektivët e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë, finalizuan operacionin dhe kryen veprimet proceduriale.

 

Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasit:

  • Agim Çeka, 61 vjeç, lindur në Luz i Madh, banues në Durrës;
  • Edi Lika (Cani), 41 vjeç, lindur në Dibër, banues në Tiranë;
  • Klevi Lika, 21 vjeç, lindur në Bulqizë, banues në Tiranë;
  • Alban Mollaymeri, 40 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.

 

Gjithashtu janë shpallur në kërkim dhe punohet për kapjen e shtetasve:

  • A.V. 33 vjeç, lindur në Peshkopi e banues në Tiranë;
  • E.V. 38 vjeç, lindur në Peshkopi e banues në Tiranë.

 

Gjatë kontrollit të ushtruar në Pikën e Kalimit Kufitar Durrës në automjetin tip ‘Bizark’ të drejtuar nga shtetasi Agim Çeku dhe pronar Klevi Lika (Cani), në 2 automjete të ngarkuar në të, tip ‘Toyota’ janë gjetur një shumë e konsiderueshme eurosh dhe franga zviceriane, të padeklaruara. Gjithashtu janë ushtruar kontrolle në banesat dhe ambjente të tjera të personave të dyshuar.

 

Janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale:

  • 3,366,800 euro dhe 100 euro që dyshohet të jenë të falsifikuara;
  • 80,000 franga zvicerane.
  • 10 automjete, nga të cilat 7 automjete të tipit ‘Toyota Yaris’, 1 tip ‘Alfa Romeo’, 1 tip ‘Opel’ dhe 1 tip ‘Bizark’.
  • 1 armë kallashnikov me 2 krehëra fishekë, gjetur nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit A.Çeka;
  • 1 radio policie;
  • 7 telefona celularë.

 

Nga hetimet paraprake, Policia e Shtetit ka të dhëna të besueshme se ngarkesa e sekuestruar ishte e porosituar nga shtetasit E.V. dhe A.V., tashmë të shpallur në kërkim.

 

Hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe zbulimin e personave të tjerë të implikuar.

 

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale e kryer në bashkëpunim”, ”Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe ”Falsifikimi i monedhave”.