Bota

Policia britanike ndalon dhënien e informacioneve SHBA-së, shkaku..

By vizional

May 25, 2017

Policia britanike ndaloi ndarjen e informacioneve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lidhur me sulmin kamikaz të së hënës në mbrëmje në një sallë koncertesh në Mançester, për shkak të rrjedhjes së këtyre informacioneve në median amerikane, njoftoi sot BBC-ja. ”Zyrtarët britanikë janë të irrituar së tepërmi nga pamjet e rrënojave nga sulmi në ‘Manchester Arena’, që u shfaqën te gazeta amerikane ‘The New York Times”, theksoi BBC-ja. Dalja e këtyre pamjeve erdhi pasi emri i kamikazit të dyshuar Salman Abedi, doli në median amerikane përpara se policia britanike ta publikonte atë. BBC-ja shtoi se kryeministrja britanike, Theresa May do ta ngrejë këtë çështje në takimin me presidentin amerikan, Donald Trump, në një samit të NATO-s në Bruksel. Të paktën 22 persona, shumica të rinj dhe të reja humbën jetën të hënën në mbrëmje në ”Manchester Arena”, pas një koncerti të këngëtares amerikane, Ariana Grande, kur një person hodhi veten në erë.