Poeti Mihal Gjergji/ Nga Nuri Dragoi

Poeti Mihal Gjergji/ Nga Nuri Dragoi

738
0

Mihal Gjergji është një poet shpërthyes, i thellë në mendim dhe sjell risi në poezinë shqipe. Ka personalitetin e vet krijues, sintetizon ndjenjë të fuqishme dhe ka vizion të qartë metaforik, njëkohësisht të zjarrtë. Ai udhëton përherë, kurrë nuk e sheh të pushojë, udhëton e njëkohësisht përjeton shumësinë e gjithë udhëve, ndaj lëshon varg kënge, me strukturë muzikore popullore, të re dhe të lashtë njëkohësisht, imponuese dhe tolerante po ashtu, duke vendosur përherë në themel substancën e Shqipërisë. Ai kërkon për të mos vdekur. Vargjet e tij bëjnë apel për zgjim, si atëherë kur bënte thirrje Naimi. Kur s’ndien fjalën si këmbanë,/ Që gëdhënd dhe gurin pak nga pak/ Ç’profet kërkoni o mjeranë/ t’u thotë që vdekjen keni hak?

Mihali është poet i së vërtetës, i mendimeve dhe kuptimeve të ngjeshura e të kontestuara në pak fjalë, poet që i rreh zemra për Shqipërinë, i dhembin plagët e saj dhe ato s’janë pak. Ç’është ky i çmendur, do të thotë dikush, sot Shqipëria nuk ka halle, Kosova po i rri pranë, është në NATO…? Po more zotërinj, por nuk po i rrimë ne pranë Kosovës dhe as Çamërisë, sepse nuk po i rrimë pranë as Shqipërisë, por po e shqyejmë pak e nga pak. Po e shqyejmë vet ne, me paaftësinë apo keqdashjen, me dëshirën për të fituar sa më shumë, madje të kënaqur që copën e shqyer prej saj ta ndajme me të tjerë, paçka se janë përtej kufijve. E ky poet origjinal në vargun e vet, i zjarrtë si gurët e shkëmbinjtë e Gusmarit, krejt i veçantë në llojin e tij, duke na prurë njëra pas tjetrës metafora të shumta që vijnë prej toke apo prej qielli, pse jo dhe prej deti, na zgjojnë, na venë në mendime, na bëjnë të reflektojmë. Por ata që qeverisin pak lexojnë poezi, nuk e ndjejnë atë, por dhe kanë frikë prej saj. I kanë frikë poetë të tillë, pasi ata nuk durojnë as zhurmën më të vogël, pluhurin jo e jo, sepse janë të paktë poetët në këtë truall, që synojnë të prekin nervin e përjetshëm të fjalëve, nervin e jetës, të së ardhmes.

Kjo ndodh sepse, Poeti flet me shpirt të vrarë/ Se vjen si frymë e ndrin çdo ditë/ Veç drita ngjitet në altar/ Largoni terrin, hapni sytë!

Thirrje e hapur dhe e qartë. Aty, brenda atij vargu janë shqetësimet e Kosovës, të Çamërisë, të Shqipërisë, së cilës po i ravijëzojnë Vijën Venizellos, të arsimit që “pa dashje” publikon hartën e Shqipërisë pa jugun e saj, duke të habitur për këto gabime pa dashje të dikasetrit qëndror të shtetit dhe të habisin edhe më shumë kur mendon, pse ky gabim pa dashje, natyrisht, nuk e çoi kufirin shqiptar në Artë, përtej Janinës, por e vendosi në afërsi të Beratit. Vargu i Gjergjit bën apel për të hapur sytë, pasi komisionet greke të Detit janë me gjeneralë, ndërsa komisioni shqiptar dominohet nga vajza e djem që në takime dypalëshe luajnë me celular.

Me sa duket poeti ynë i di të gjitha, se poetët vërtetë i dinë të gjitha, pasi nuk janë si gjithë njerëzit e tjerë. Ata kanë një shqisë më shumë, i kapin ngjarjet në ajër, por janë të pafuqishëm, sepse nuk kanë pushtet, nuk kanë para, madje as për të botuar pozitë që shkruajnë.

Gjergji është poet i mirëfilltë, vargjet e tij kanë aromë Shqipërie, është poet i lëvizjes së kuptimit të fjalëve dhe vargut në tekst. Ai flet për të mos heshtur, me gjuhë të pastër e të zhdërvjelltë, me varg që të sheh në sy, njëlloj si shikimi zhbirues e imponues i poetit, goditës dhe i dashur, madje me dashuri të pafundme. Vargjet e tij nuk janë të topitura, por mjaft të mprehta, me tehun e shpatave që kanë shoqëruar trimat në shekuj, duke i bërë të lavdishëm e përjetësuar në këngë. Po kjo nuk mjafton. “Ju mbani këngët, ne zgjerojmë tokën”, tha dikur një historian grek në bisedë me një studiues shqiptar. Këtë e di edhe Mihal Gjergji, ndaj bërtet të zgjohemi që të mos mbetemi vetëm në këngë, por të ruajmë dhe vendin, ta zhvillojmë atë. Pikërisht për këtë shkak poezia e tij nuk harrohet, sepse është ndërtuar me një teknikë të saktë dhe është mbrujtur me dashurinë për atdheun. Mbetemi shpesh në pak emra poetësh, pasi nuk njohim edhe të tillë, i cili nëse hidhet në treg si duhet, me siguri që është i dashur për të gjithë, i dallueshëm lehtësisht nga të tjerët për shkak të veçansisë dhe fantazisë krijuese, të pasur me ide dhe kuptimshmëri të mirë, ndaj poezia e tij krijon shëndet moral dhe të ndritshëm.

Mihal Gjergji, djal i embël dhe i ashpër njëkohësisht, si malet e vendlindjes, vjen në kafe aty pas ATSH dhe në takimin e parë duket sikur me shikimin e vet kërkon të hetojë, të zbulojë diçka të fshehtë nga bashkëbiseduesi. I drejpërdrejtë dhe ekspresiv, jo rrallë herë i dëshpëron bashkëbiseduesit, pasi jo të gjithë e duan me të të vërtetë, të vërtetën. Nuk di të bëjë lajka. Por ne që e njohim e kuptojmë menjëherë dashamirësinë e tij. Përshëndet ëmbël dhe kuptohet që shikimi është dashamirës, ndonëse buzëqeshjes së tij i lexohen dhe rrathë të vrarë nga jeta, e sidomos nga tradhëtia në udhëtimin e gjatë të saj. Nuk ka ndryshuar asgjë nga çrregullsia e flokëve gjysmë të rënë dhe gati të thinjur, ndërsa thellësia e syve të jep ndjesinë e një personi që sapo ka mbaruar një krijim poetik të radhës, e po shijon vargjet e krijuara. Mosmirënjohja e tmerron. Ka humbur orë e ditë të tëra duke ndihmuar të tjerë. Bënë shumë, por pak ia kthejnë. Prandaj poeti ankohet: M’a vodhën kohën ca rrufianë, / Pas tyre rendja hokatar, / U bënë hije, s’di ku janë, / Veç i kujtoj me shpirt të vrarë.

I dëshpëruar nga paudhësitë e jetës, nuk dorëzohet por vazhdon të punojë vazhdimisht, sepse pikërisht aty te vargjet e gjen prehjen e vet, aty është i qetë, ndihet i plotë. Ndaj vijon më tej: Provoj të hesht, por ja që s’mundem/ Me fjalët grindem për çudi, / Në varkë të vargjeve përkundem, / E kam të vetmen dashuri.

Vargu i tij është disi dhe migjenian, ndonëse disi më i tërthortë. Migjeni u drejtohej nëpunësve të djeshëm, Mihal Gjergji atyre të sotëm, të cilët duhet ta dinë se duke u sjellë në të njëjtën mënyrë, e mbajnë peng Shqipërinë, zhvillimin e saj, robërojnë lirinë dhe, me varfërinë që pjellin e dhunën që ushtrojnë, i detyrojnë shqiptarët të ikin e të ikin, duke u kthyer në qytetarë të huajë, por me origjinë shqiptare. Ikin sepse duan liri, duan demokraci, jo lirinë e nënkuptuar më parë për shkak të pushtimit të huaj, por lirinë e mendimit, lirinë e fjalës, lirinë e konkurimit në të gjitha frontet e jetës, larg manipulimit të ndërgjegjes dhe letrave, e cila kërkon jo më pak luftë e forcë se liria që u rrëmbyem me gjak të huajëve. Qysh atëherë Migjeni e kishte shpallur veten “të birtë e shekullit të ri”, ndaj shkrimtarët shqiptarë sot, duhet të bëjnë gjithçka për këtë Shqipëri që ajo të renditet krahas vendeve të qytetëruara, pasi ajo nuk u përket vetëm atyre që jetojnë në ato troje, por edhe të tjerëve që janë larguar për shkaqe të ndryshme dhe kanë populluar botën mbanë, të atyre që prehen nën dhe dhe të tjerëve që janë duke ardhur në vijimësi, për të mos e lenë të vdes kurrë emri i bukur, Shqipëri. Prandaj dhe Mihali me vargjet e tij na këshillon të zbatojmë porositë që jepre shekuj më parë Omar Khajam: Të mirat një nga një m’i numëro, / Të ligat togje-togje m’i pastro.