DOSSIER

Poeti i pavdekshëm në 174 vjetorin e lindjes/ Nga Nuri Dragoi

By vizional

May 25, 2020

Në Frashër, 174 vite më parë, u lind Naim Frashëri. I rritur në krahinën e Dangëllisë, mes Kokojkës dhe Qelqëzës, pranë lisave e lajthive, në pyllin gjigant të pishave e bredhave të parkut të madh, me emrin “Bredhi i Hotovës”, njeriu ndihet si në tjetër botë. Është kurora e gjelbërt e Përmetit dhe ka pamje përrallore. Drurë bredhi e pishe gjigant, që shkojnë drejt qiellit, 40 e 50 m lartësi, me oksigjenin më të pastër në botë. Në zonë ku gjallojnë 46 specie gjitarësh, 142 lloje shpendësh, 19 lloje reptilësh, 11 lloje amfibësh dhe 14 lloje peshqish. Ka numër të madh arinjsh të murmë, drerë, derra të egër, ujq, dhelpra… Askush nuk mund t’i përfytyroj burkuritë e natyrës përmetare, pa e shkelur terrenin me këmbë. Prej andej syri të sheh vetëm gjelbërim, kodra e çuka të veshura tërësisht me pyje e shkurre. Mbase këto kishte parasysh Naimi, kur shkruante me aq dashuri: O malet’ e Shqipërisë e ju o lisat’ e gjatë! / Fushat e gjëra me lule, q’u kam ndër mënt dit’ e natë! / Ju bregore bukuroshe e ju lumenjt’ e kulluar! / Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pylle të gjelbëruar! / Do të këndonj bagëtinë që mbani ju e ushqeni, / O vendëthit e bekuar, ju mëndjen ma dëfreni.

Çdo 25 maj, në Frashër organizohet festa me rastin e ditëlindjes së Naimit, ndonëse atë ditë nderohen të tre vëllezërit, Naim, Abdyl dhe Sami Frashëri. Abdyli që trokiti fort në dyert e qeverive europiane, për të kërkuar pavarësinë e Shqipërisë. Njeriut ndaj të cilit janë organizuar atentate, janë bërë gjyqe ushtarake, është burgosur dhe internuar, madje ka vdekur në mjerim, sepse e shkriu pasurinë për Shqipërinë. Është kjo arsyeja që përmetarët i këndojnë: Unë jam nga Shqipëria, / Abdyl Frashëri, / rritur në malet e larta, / me libra në gji. / Ju lutem shikoni mirë, / ju për Shqipëri, / mos e bëni copa – copa / sikur s’ka njeri. / S’jemi grekër, as bullgarë, / as nga Maili i Zi, / jemi vetëm shqipëtarë, / kërkojmë liri!

Aty u lind Sami Frashëri, ideologu i shquar i përmasave europiane. Samiu që hartoi programin për bërjen e kombit shqiptar, me veprën e pavdekshme të tij: “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”. Të burrit që ka mbyllur sytë në tavolinën e punës, duke punuar.

Është me rëndësi ky vendbanim, pasi është vendlindja e bilbilit të gjuhës shqipe, poetit të madh të kombit, njeriut që formatoi gjuhën e shkruar amtare. “Shekujt vijnë e vitet shkojnë, / Naim, djemtë ligjërojnë…, thotë një këngë. Naimi i këndonte Perëndisë të kujdesej edhe për Shqipërinë, i këndonte malit të Tomorit, malit me emrin Baba, ku strehoheshin perënditë. “Ti perëndi e ligjërisë, që rri në mal të Tomorit…”. Ai gëzohej për faktin që: Abaz Aliu zu Tomorr / Erdhi afër nesh / Shqipëria s’ mbeti e gjorë / Se Zoti e desh..

Naimi ushqeu tek shqiptarët dashurinë për atdheun, duke u bërë përfaqësues i aspiratave të popullit të vet, për liri e përparim shoqëror, ndaj në jetë të jetëve do të kujtohet dhe sërish është pak. Vargjet e Naimit: Ti Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin shqipëtar, / Zëmrën ti ma gatove, plot me dëshirë dhe me zjarr, janë vargje që e ndihmuan çështjen shqiptare. Madje, Naimi, mund të themi pa hezitim, poeti që ka bërë më shumë për kombin, ndaj dhe është cilësuar Homeri shqiptar. Ai nuk mund të vdiste pa bërë një lutje shenjtorësh: Jepi shqiptarit dritë / Zot i vërtetë të shohë / Të marrë vesh mirësit / Të vërtetën ta njohë….

Naimi këshillonte: “Po të jeni të bashkuar, / ësht’ e bërë Shqipëria / dhe puna gjith’ e mbaruar, si do vetë Perëndja…”. Porositë e tij janë me shumë vlerë për do kohë, sidomos për ditët tona: “Bëhuni miq në mest tuaj, / si ësht’ udh’ e urtësisë, / mos përpiqi për të huaj, / t’i mërgohi marrëzisë…”. Madje ai denonconte paudhësitë që bëheshin në dëm të Shqipërisë: “Shokë kemi në mest tënë / Shum’ armik e Tradhëtorë! / Popo! Mos u qoftë thënë! / Veç që s’kanë gjë në dorë!…”.

Trazimi i jashtëzakonshëm shpirtëror, që ndodhi atëherë në Ballkan, ndikoi te poeti i kombit, por edhe tek bektashinjtë rilindës, të kërkonin për ndihmë edhe rrugën e frymës së shenjtë, sepse nga të gjithë ballkanasit, shqiptarët ishin populli më i sfilitur. Ndaj Naimi thotë: Rroftë e qoftë Shqipëria / Dhe kombi e gjuha jonë / Lulëzoftë dituria / Edhe ndihmës paçim Zonë!

Pse Naimi bëri aq shumë për Shqipërinë, Çajupi vajtonte humbjen e tij: “Vdiq Naimi, vdiq Naimi, moj e mjera Shqipëri…”.