Po sillte në Tiranë 24 emigrantë të paligjshëm, policia arreston të riun

Po sillte në Tiranë 24 emigrantë të paligjshëm, policia arreston të riun

391
0

Një person ka rënë në prangat e policisë për transportim të paligjshëm të emigrantëve.

Bëhet fjalë për 26-vjeçarin me iniciale E.D., banues në Tiranë.

Sipas policisë i riu po transportonte drejt Tiranës 24 emigrantë të paligjshëm kundrejt pagesës.

Ai u kap nga patrulla e Policisë Rrugore dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec pranë vendit të quajtur “Guri i Kuq”, në fshatin Memëlisht, me mjetin tip furgon.

Sakaq, materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Memëlishti”

Transportonte 24 shtetas të huaj, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, arrestohet në flagrancë nga Policia.

Specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisaritit të Policisë Pogradec dhe Sektorit të Policisë Rrugore në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, se një shtetas po transportonte shtetas të huaj nga vendet e Lindjes së Mesme, me qëllim kalimin e paligjshëm të tyre drejt vendeve Europiane, kundrejt fitimit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Memëlishti”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. D., 26 vjeç, banues në Tiranë.

Shtetasi i mësipëm u kap nga patrulla e Policisë Rrugore dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec pranë vendit të quajtur “Guri i Kuq”, në fshatin Memëlisht, duke transportuar me mjetin tip furgon, në drejtim të qytetit të Tiranës, 24 shtetas të huaj.

Nga ana e Policisë, po punohet për vënien përpara përgjegjësisë ligjore edhe për bashkëpunëtorë të tjerë, të dyshuar si të implikuar në këtë ngjarje.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.