Aktualitet

Po raportonte në terren, ministri shqiptar dhunon gazetarin në prani të policisë (DETAJE)

By vizionc

December 18, 2019

Ministri i Tregtisë dhe i Industrisë së Kosovës, Endrit Shala, ka dhunuar fizikisht mbrëmjen e sotme gazetarin e medias online kosovare Indeksonline Ensar Ramadanin.

 

Si pasojë e një atentati të ndodhur pasditen e sotme në Prishtinë këshilltarit të zëvendëskryeministrit aktual në detyrë të Kosovës, Fatmir Limajt, Luan Malokut, ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Endrit Shala duke qenë edhe pjesë e partisë së NISMA-s, partisë së Limajt, ka shkuar për ta parë të plagosurin në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

 

Teksa ka hyrë në Spital, ku ndodhej i shtruar këshilltari i Fatmir Limajt pas atentatit të bërë ndaj tij, gazetari i Indeksonline Ensar Ramadani ka qenë duke filmuar ndërkohë ministri Shala i ka kërkuar që t’ia japë atij telefonin dhe të fshijë videot. Gazetari nuk ka pranuar që t’ia japë telefonin dhe ministri Endrit Shala e ka dhunuar fizikisht duke e qëlluar me grusht në fytyrë në prani të policëve transmeton newsbomb.al.

Mësohet se pas këtij incidenti vet gazetari Ramadani ka shkuar në stacionin e policisë duke denoncuar rastin.

Pas kësaj ngjarjeje ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) duke e dënuar ashpër sulmin fizik të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ndaj gazetarit Ensar Ramadani.