Personelizmi si rënie e demokracisë!/ Nga Arian Galdini

Personelizmi si rënie e demokracisë!/ Nga Arian Galdini

456
0

Çfarë ju vjen ndërmend kur dëgjoni apo lexoni fjalën: personale? Mua për vete sa herë e them, shkruaj, lexoj apo dëgjoj këtë fjalë, më gëlojnë një shumësi gjërash të bukura. Personale më së pari kumton se për çfarëdo çështje, mendim, send, problem, gëzim, arsye, motiv, veprim, etj, të jem duke folur, më përket mua. Kjo përkatësi më jep mua dhe vetëm mua të drejtat dhe përgjegjësitë gjithçka e pëkufizoj si personale. Për ti rënë shkurt, e për ta ruajtur shtjellimin mbi këtë argument, në një moment të dytë, po vij tek përse kjo nisje? Sepse rregjimet, autokracitë, diktaturat, tiranitë, këtu e kanë thelbin dhe fuqinë, tek shtetëzimi i personales.  Shtetëzimi i personales në diktaturë, na kthen në objekte dhe subjete të pushtetit. Personalja bëhet shkak armiqësie ose edhe drejtpërdrejt armike e pushtetit. Kush përkufizon diçka tjetër veç partisë si përkatësi, bëhet telash e pëson telashe. Shtetëzimi i personales, bën që ne të mos kemi asnjë të drejtë përkatësie, vendimi a zgjedhjeje. Pushteti mendon e mer vendime për ne. Pra, në dhjetorin ’90, kur studentët dhe qytetarët shqiptarë, ngritën krye e  u ngritën në këmbë me thirrjen: E duam Shqipërinë si gjithë Europa, ndoshta e dinin, ndoshta jo, por kryen aktin e pare personal duke rrëfyer publikisht se çfarë duan. Personalja e shtetëzuar, nuk është publike, sepse nuk krijon bashkësi, por masa. Personalja në liri, kur bëhet publike, nuk shkrihet, nuk asgjësohet, por krijon komunitet. Në këto 27 vite kemi luftuar ka shumë për personalen, sa shpesh kemi tejkaluar kufijtë.  Nga grykësia, lakmia e padija, bënim personale edhe çfarë nuk na përkiste, ose shkatërronim si shtetërore edhe atë çka ishte publike. Ja ku jemi sot në një situatë aspak tiranike dhe aspak diktatoriale. Sidoqoftë sjelljet dhe simptomat e pushteteve janë tërësisht autokratike dhe armike të lirisë. Teza ime është e thjeshtë. Këta duan shumë të rivendosin diktaturë, por realiteti gjeostrategjik dhe fuqia e personales së çliruar në Shqipëri, nuk ua mundëson. Ndaj edhe bëjnë çdo ligësi dhe marifet për depersonalizimin e qytetarit shqiptar. Duan ta shtetëzojnë fare personalen, por nuk munden, ngase nuk mund të vendosin dot asnjë formë diktature. Mbi këtë logjikë, përderisa nuk e kanë të mundur krijimin e shtetit totalitar, bëjnë tregtarizimin e shtetit. Tregtarizimi i shtetit, nuk na e shtetezon personalen por na e ble.

Blerja e personales, na kthen nga persona me personalitet, dmth nga qytetarë me dinjitet, në personel. Blerja e personales bëhet me shitblerjen e votës, shërbimeve publike, ofiqeve, vendit të punës, karrierës, mandatit të deputetit, etj, etj,… Si rrjedhim, në parti nuk jemi më as militantë e as kontributorë, por thjesht personel. Si kanë ardhur kohët, partitë nuk kanë më nevojë fare as për idealistë, as për mendimtarë, as për militantë, as për kontributorë, as për traditë, e as për risi. Partitë duan vetëm personel. Lideri i partisë është shit-blerësi më i madh i personales sonë. Kështu që, politikë më pa para nuk bën dot askush. Politika nuk është me zgjedhje, konkurencë, liri. Politika është bërë veprimtari tregëtare. Dinjiteti njerëzor është shpallur si barrierë e politikës si veprimtari tregëtare dhe po luftohet pa mëshirë nga të gjitha partitë. Deri para pak kohësh unë kam shkruar për qytetarin e dobët. Sot nuk jemi më as qytetarë të dobët. Jemi më keq akoma. Na konsiderojnë thjesht personel. Kjo shënon edhe rënien e demokracisë…

loading...