Përse Shqiptarët mbahen në errësirë për pasuritë e veta

Përse Shqiptarët mbahen në errësirë për pasuritë e veta

456
0

Mijëra shqiptarë të padukshëm për sytë e qeverisë sa herë që flitet për negociatat mes Shqipërisë dhe Greqisë, informohen më shumë se sa mendojnë burokratët.

Pyetja kryesore që i mundon ata është se: “Pse mungon transparenca në lidhje me pasuritë nënujore që ndodhen në vijën ndarëse Shqipëri-Greqi? A ka relacione, studime, statistika të cilat të jenë sot më shumë se kurrë pronë e opinionit publik shqiptar? Dhe mbi të gjitha përse këto të dhëna mbeten misterioze për shumicën e njerzve? Sigurisht që një informacion i tillë do të shmangte shumë spekullime dhe shijen e keqe se ka një lojë në kurriz të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Dukshëm pala greke, e kushtëzon kornizën e kësaj marrëveshjeje territoriale, ndërmjet dy shteteve, me votën e çmueshme në anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Mos është ky kushtëzim hileqar, pyesin shqiptarët, një trysni apo një monedhë shkëmbimi e karakterit politik, për të detyruar palën politike shqiptare, e etur dhe lakmitare për pushtet, që të lëshojë dhe të bëjë kompromise, në interes së pushtetit të vet?

A kanë shqiptarët të drejtë të dinë më shumë për tokën dhe detin e të parëve të tyre dhe pamvarsisht plotfuqishmërisë së presidentit Meta, akorduar delegacionit shqiptar, si do të pyetet populli dhe shoqëria civile, në lidhje me vendimmarrjen e delegacionit shqiptar? Këto marrëveshje bëhen njëherë në 100 vjet dhe është tepër e vështirë të shbëhen apo të prapësohen.

Por gjithashtu shtrohet një tjetër pikëpyetje e madhe. Marrëveshja e re e Detit, bëhet për disa milje detare pasuri ujore dhe peshkimi, apo për naftën dhe gazin e çmueshëm që ndodhet nën det?

Pasuritë e nëndetit apo miljet detare pra, janë ato që e përcaktojnë vlerën e vërtetë të kësaj marrëveshjeje?

As për këtë pikëpyetje, askush nuk jep një përgjigje shterruese dhe bindëse!

Gjithësesi, çfarëdolloj marrëveshjeje të prodhohet, duhet të kalojë nga gjykata Kushtetuese.

A kemi ne sot një gjykatë kushtetuese? Dhe kur do ta kemi, këtë trupë gjykuese së cilës i bindet edhe presidenti i Republikës dhe krejt Kuvendi i Shqipërisë?

Shqipëri ka, për fat të keq të saj një përvojë të hidhur me klasën e vet politike që shpesh ka nxjerrë në ankand, thjesht për arsye të përfitimeve të veta personale, pasuritë e një populli të tërë?

Sepse a nuk është Shqipëria një vend padrejtësisht i varfër më pasuritë përrallore që ka, mbi dhe nëntokë?