Lajme

Përplasja në forma të ndryshme midis vendeve të mëdha, rasti “Huawei”

By vizional

September 08, 2023

 

Nga Artur Nura

 

Padyshim historia ka vërtetuar se edhe luftërat lokale dhe globale nuk janë kryer vetëm për ideologji, siç formalisht promovohet në tekste shkollore, por për ekonominë e vendeve! E veçanta e kohës së sotme është që tashmë shoqëritë dhe politikat e shteteve e kanë kuptuar që ekonomia mund të konkurrojë për rritje dhe për ekspansion edhe pa luftërat e përgjakshme, por me mekanizma politikë.

 

“Lufta” e nisur nga ShBA-ja

 

Sipas gazetës italiane “La Republica” në një artikull të fundit me titull “Kina, smartfoni i ri Huawei preokupon SHBA-të: Cipi i “avancuar” demonstron forcën hitech të Pekinit” hidhet ideja dhe analiza se Amerikanët tashmë po pyesin mirë veten nëse kufizimet e tyre ndaj kinezëve janë efektive në ndalimin e përparimit të Dragoit aziatik: Huawei mund SHBA-në. Por loja nuk ka mbaruar… – thotë artikull-shkruesi.

Në fakt, gjatë administratës së presidentit amerikan Donald Trump, ShBA-ja nisi luftëra tregtare me sanksione teknologjike kundër Kinës. Përveç mosmarrëveshjes tregtare të vazhdueshme, Trumpi nënshkroi në atë kohë një urdhër ekzekutiv që ndalonte kompanitë amerikane të telekomunikacionit të blejnë pajisje të huaja! Ai gjithashtu ndaloi Huawei, në mënyrë specifike, nga blerja e produkteve e  teknologjisë amerikane pa miratimin e qeverisë së SHBA-ve.

 

Huawei sot midis ShBA-së dhe Kinës

 

Fakti që Huawei arriti t’i shmangej kufizimeve duke hedhur në treg telefona inteligjentë të pajisur me një procesor me mbështetje për rrjetet 5G, ka shkaktuar bujë në Shtetet e Bashkuara dhe më gjerë. Referenca shkon padyshim te Mate 60 dhe 60 Pro, të dyja të karakterizuara nga prania e SoC Kirin 9000s (7nm) të prodhuar nga SMIC kineze. Një lëvizje – e Huawei – që po shpërblehet: shitjet po shkojnë shumë përtej pritshmërive – shkruan HD Blog.it

 

Sipas Global Times, Huawei “mbështet talentet, jo dollarin amerikan”, citohet të ketë thënë themeluesi dhe CEO i gjigantit kinez të teknologjisë Ren Zhengfei në një fjalim të fundit para stafit menaxherial në kompani, duke u zotuar kështu të ndërtojë një bazë talentesh të kalibrit të lartë për tu përballur me kufizimet e vazhdueshme të Administratës Biden… Në fjalimin, i cili u postua edhe në komunitetin online të Huawei, Xinsheng tha se qëllimi i Huawei është të jetë lider global në disa fusha specifike produktesh në vend me një game të gjerë.

 

Pajisja e re, që thuhet se përfshin një procesor të ri 5G, të zhvilluar së fundmi nga prodhuesit kinezë, sipas CNN, ka tronditur ekspertët e teknologjisë në SHBA që kërkojnë të kufizojnë aksesin e Kinës. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, tha gjatë në një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë se autoritetet po kërkojnë më shumë informacion për ndërtimin e këtij çipi.

 

Ç’ duhet bërë në një situatë të tillë?

 

Dialogu dhe komunikimi është rruga jo më e shpejtë, por më e sigurt dhe më eficente. Duket se palët e kanë kuptuar nevojën e dialogut dhe diplomacisë si mënyra që ofron zgjidhjen më të sigurtë dhe më të mirë.

 

Sekretarja amerikane e Tregtisë, Gina Raimondo, bëri një vizitë 4-ditore në Kinë

 

Sekretarja amerikane e Tregtisë, Gina Raimondo, ka zhvilluar së fundi një vizitë 4-ditore në Kinë. Kjo është hera e 4-të që një zyrtar i lartë amerikan viziton Kinën në dhjetë javët e fundit.

 

Sipas Radios së Jashtme të Kinës, në një diskutim “të thellë, pragmatik dhe konstruktiv” me Raimondon në Uashington përpara vizitës së saj, ambasadori kinez në ShBA Xie Feng i kërkoi palës amerikane të punojë me Kinën dhe “ta bëjë listën e bashkëpunimit më të gjatë e ta shkurtojë listën negative”, në përpjekjet e përbashkëta për të stabilizuar marrëdhëniet kino-amerikane.

 

Vizita e Raimondo-s u krye disa ditë pasi Departamenti amerikan i Tregtisë njoftoi heqjen e 27 subjekteve kineze nga “lista e paverifikuar” e kontrollit të eksportit, një veprim që Ministria kineze e Tregtisë e ka përshëndetur si “favorizues” për tregtinë normale ndërmjet dy ekonomive më të mëdha të botës.

 

Në konferencën e shtypit mbi vizitën e Raimondo-s në Kinë, këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan, tha të martën se sekretarja amerikane e Tregtisë “do të mbartë mesazhin se ShBA-ja nuk kërkon shkëputjen nga Kina, por çrrezikimin.”

 

Gjate takimit me Kryeministri kinez Li Qiang, Raimondo vuri në dukje se administrata e presidentit Biden mbështet Kinën në zhvillimin e saj ekonomik dhe përmirësimin e jetesës së popullit.

 

“ShBA-ja nuk synon të frenojnë zhvillimin e Kinës ose të kërkojë shkëputje nga Kina, tha sekretarja amerikane e Tregtisë, duke u zotuar për vijimin e komunikimit, për të ruajtur marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare normale ndërmjet të dy vendeve dhe për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve dypalëshe.  ShBA-ja është e gatshme të forcojë bashkëpunimin me Kinën në fusha të tilla si inteligjenca artificiale, ndryshimet klimatike dhe luftimi i çështjes së fentanilit, theksoi ajo.” – citon CRI.cn

 

 

Duket se palët duhet të shkojnë drejt një kompromisi pragmatik për të krijuar ekuilibrin e nevojshëm për të cilin nuk kanë nevojë vetëm këto dy shtete, por mbarë globi. Nevoja që Kina si vendi më i madh në zhvillim dhe ShBA-ja është vendi më i madh i zhvilluar, duhet të forcojnë bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella, të pakësojnë fërkimet e kundërvënien, të promovojnë rimëkëmbjen ekonomike globale e të përballen me sfidat globale së bashku.

 

Në rast se realizohet kjo maturi racionale të gjithë do të jenë përfitues! Mundësitë nuk mungojnë vetëm vullnetet politike duhet të shkojnë drejt tyre./CRI.CN