Përplasja me policinë është “maja e ajsbergut”, rihapen dosjet e “organizatave kriminale”...

Përplasja me policinë është “maja e ajsbergut”, rihapen dosjet e “organizatave kriminale” të Elbasanit

515
0

Për policinë dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ngjarja e Elbasanit pranë tregut ushqimor mund të jetë vetëm maja e ajsbergut e një aktiviteti kriminal të kryer nga organizata të strukturuara kriminale. Burime të Top Channel pranë Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda janë shprehur se ngjarja pranë tregut mund të jetë vetëm një pjesë e vogël e aktivitetit kriminal, që përveç vrasjeve përfshin edhe trafik narkotikësh e madje influenca në fusha të caktuara biznesi apo pronash. Për këtë arsye, policia dhe Krimet e Rënda kanë vendosur të mbledhin dhe të analizojnë të gjitha ngjarjet kriminale që kanë mbetur pa autor apo që nuk janë zbardhur, duke nisur që nga vrasjet, plagosjet, kapjen e sasive të drogërave të ndryshme e deri tek konfliktet në dukje për motive tregtie apo biznesi, por që mund të fshehin qëllime apo të ardhura kriminale. Natyrisht që pika e lidhjes së këtyre ngjarjeve do të jenë personazhe të njohura në qytetin e Elbasanit, si dhe lidhjet e tyre të afërta dhe shoqërore. Nëse kjo do të ndodhë, atëherë do të jetë e para herë që në Shqipëri do të ndërmerret një hetim i tillë, që nuk fokusohet tek ngjarjet e veçanta por tek i gjithë aktiviteti krimnal i më shumë se një dekade./Tch