Përpjekjet e Sigurimit të Shtetit për ta rekrutuar si agjent të zbulimit...

Përpjekjet e Sigurimit të Shtetit për ta rekrutuar si agjent të zbulimit grek”, rrëfimi: Debatet me Lenka Çukon, letra për Ramizin, dy shefat e Sigurimit që më shpëtuan nga arrestimi dhe gabimi në kufi kur…

590
0

Dashnor Kaloçi/ Publikohen disa dokumenta arkivore të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë dhe Autoriteti për Informim i Dosjesve të ish Sigurimit të Shtetit, të cilat janë pjesë e një dosje volumonize ku bëhet fjalë mbi historinë e rrallë dhe të panjohur të Ilia Lekës me origjina nga fshati Glinë i minoritetit grek të Gjirokastrës, familja e të cilit nga viti 1945-së jetonte në internim në fshatrat e Myzeqesë dhe babai i tij, Theodhoriu, ishte arrestuar që në vitin 1951 dhe vuante dënimin në kampe dhe burgje, i akuzuar si “agjent i Zbulimit Grek”.

 

Përpjekjet e Sigurimit të Shtetit për ta rekrutuar Ilian dhe më pas për ta arrestuar atë, dhe arratisja e Ilias së bashku me të vëllanë Kriston dhe xhaxhanë e tyre në Greqi, ku pas disa letrave kërcënuese që Ilia i bënte Enver Hoxhës, Ramiz Alisë e Adil Çarçanit, ku i’u kërkonte që ta nxirrin të atin nga burgu dhe bashkë me gruan e djalin, ta lejonin të vinte në Greqi, ata të tre bënë një grevë urie para ambasadës shqiptare në Athinë, e cila zgjati deri në vitin 1984.

 

Grevë e cila shkaktoi probleme të mëdha diplomatike në mes dy vëndeve, pasi sensibilizoi jo vetëm parlamentin grek dhe qeverinë e Athinës, por edhe shtypin grek dhe disa parti ultra-nacionaliste e qarqet shoviniste vorio-epiriote me në krye Mitropolitin Sevastianos, që e shfrytëzuan atë për interesat e tyre, si dhe fjalimet e Ilia Lekës në Parlamentin Europian dhe Kongresin Amerikan, për shkeljen e të drejtave të njeriut në regjimin komunist në Shqipëri, deri sa e detyruan Enver Hoxhën të dilte dhe të deklaronte publikisht: “I them me përgjegjësi popullit vëlla grek se në burgjet shqiptare janë vetëm 46 shtetas nga minoriteti grek dhe vetëm 4 prej tyre për faje politike”, si dhe Ramiz Alinë që ta lironte nga burgu Theodhori Lekën në vitin 1989, duke e lejuar të shkonte përgjithmonë në Greqi.

 

Pas botimit në katër numra rradhazi të një sërë dokumentesh arkivore të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtëme në Tiranë, të cilat prej kohësh kanë qenë me siglën “Tepër sekret” dhe tashmë të deklasifikuara, ku bëhet fjalë për një korrespodencë të ambasadës shqiptare në Athinë me Ministrinë e Punëve të Jashtëme në Tiranë në vitet 1982-‘84, lidhur me shtetasin shqiptar, Ilia Theodhor Leka me origjinë nga fshati Glinë i Gjirokastrës dhe me banim në fshatrat e Myzeqesë, ku kanë qenë të internuar që nga viti 1951, si dhe arratisjen e Ilias në Greqi në vitin 1982 (së bashku me të vëllanë dhe xhaxhanë e tyre), pasi më parë i kishin arrestuar dhe babanë, ku ata për afro tre vite bënë një grevë urie para ambasadës shqiptare në Athinë, duke sensibilizuar opinion vëndas, partitë politike, parlamentin, qeverinë greke, organizata të ndryshme, etj., ne kemi realizuar një intervistë ekskluzive me vetë Ilia Lekën, ku ai hedh dritë jo vetëm mbi ato dokumente që tashmë janë bërë publike nga Memorie.al, por edhe për të gjithë historinë e tij dhe të familjes, nga viti 1945, e deri më sot.

 

Zoti Ilia, e takuat Lenkën?

 

Kur shkova në Lushnje te Komiteti i Partisë së rrethit, i dola përpara Lenka Çukos që ishte sekretare e parë, duke e ruajtur sapo ajo zbriti nga makina dhe bërtita: ‘Shoqja Lenka, shoqja Lenka, kam dy fjalë’, dhe menjëherë më erdhën ata policët e ata të Sigurimit që e ruanin dhe më kapën, pasi kujtonin se ça do bëja unë. Ndërkohë që ata po më shtynin dhe unë po debatoja me ta duke ngritur zërin, ajo i’u tha: “Lëreni, lëreni”. Ata më shoqëruan deri afër saj dhe unë i thashë: ‘Shoqja Lenka, ne jemi të internuar, nëse nuk na doni që ne të punojmë, na lini të ikim në Greqi’.

 

Çfarë i’u tha ajo?

 

Ajo shtangu nga ato fjalë dhe më tha: “Kujt i thua ti ashtu…”?! ‘Ty të them’ i thashë. ‘Kam punuar për shtetin shqiptar 22 vjet. Kam bërë shkollën Mekanike, natën në Fier dhe më kanë lënë pa punë, me se do jetoj unë, do vdes…’?! “Atë e di Dega e Brëndshme”, më tha ajo. Unë i ktheva duke i thënë që: ‘ata të Degës së Brendëshme të Lushnjes donin të më bënin spiun…’! “Ç’thua ti mor- më tha mua –‘këto janë sekrete shtetërore….”!

 

Si iu përgjigjët ju?

 

‘I di unë ato’… i thashë, sepse kur shkova ato ditë në punë, më sollën një Hamit T. që ishte nga Berati. Ai vajti ushtar dhe u arratis në Jugosllavi, por ata e kthyen përsëri në Shqipëri dhe ai përfundoi në burg. Ai ndënji disa vjet në Spaç ku bënte punën e berberit dhe kur doli, e sollën aty ku punoja unë si mekanik në Fier, ku herë pas here ai më provokonte duke më thënë: “Nuk kemi bukë, këtu te ne s’ka çizme për punëtorët”, etj.

 

Këto a ia thatë Lenkës?

 

Jo këto nuk i’a thashë se s’premtonte koha, por këto kisha ndërmënd t’ia thoja, kur ajo më tha se ato gjëra janë sekrete. Pra desha t’i thoja se Dega e Brendëshme më kishte futur provokatorë që të më arrestonin.

 

Çfarë ju tha Lenka Çuko në përfundim të bisedës?

 

Ajo tha: “E dimë ne që je mekanik i mirë, por ik tek Kryetari i Degës së Brendshme, se ata do të fusin në punë” dhe me kaq u ndamë. Por unë e dija se ç’më priste, se ma tha vetë Nikolla Binjaku, Shefi i Sigurimit në Elbasan. Por, po harxhonim “fishekun e fundit”, si i thonë një fjale, duke u ankuar te Lenka, duke mbajtur shpresa, edhe pse të kota.

 

Ku njiheshit ju me shefin e Sigurimit, Nikolla Bunjakun?

 

Me Nikollën jemi njohur rastësisht në tren kur unë bëja rrugën nga Libofsha për të shkuar në Elbasan kur punoja në Fabrikën e Oksigjenit të Kombinatit Metalurgjik dhe gjatë asaj kohe edhe ai vinte për të shkuar në punën e tij. Na takonte shpesh të bënin rrugën bashkë në tren, madje njëherë, ma hodhi si larg e larg që të më bënte bashkëpunëtor me pagesë, por unë ia thash troç: ‘Nuk merrem unë me këto punë, kam 1000 halle të tjera’. Dhe ai s’ma hapi më atë muhabet, por vazhdoi të më respektonte si më parë.

 

Të kthehemi tek ngjarja me babanë tuaj, sa e dënuan Theodhoriun dhe me çfarë akuzash?

 

Kur u bë gjyqi, fillimisht babanë e dënuan me pushkatim, por më pas ia kthyen me 25 vite burg. Akuzat ishin, “Krime kundër shtetit dhe agjitacion e propaganda”.

 

Ku e dërguan për ta vuajtur dënimin dhe a shkonit ju të familjes për ta takuar?

 

Pasi e dënuan, babanë e çuan në Ballsh dhe nga aty e çuan në Spaç, ku unë shkoja çdo muaj dhe i çoja ushqime.

 

Ndërkohë që babai ishte në burg, ndaj jush vazhduan presionet e Sigurimit të Shtetit?

 

Pooo, patjetër, ata të Sigurimit rregullisht më bënin presione që të bëhesha agjent i tyre, por unë nuk pranova, e dija që pasi të më shfrytëzonin, do më shtrydhnin si limon dhe do më fusnin në burg. Nuk mbaj mënd që të kem shkuar njëherë në burg në Spaç, apo në Ballsh për ta takuar babanë, që të mos kisha njerëz të Sigurimit nga pas që më ndiqnin dhe më provokonin. Njëherë kur isha në një makinë “SAURREL” e cila ndaloi vetë pa i ngritur dorën unë, dhe po shkoja në Spaç te babai, një i Sigurimit që ishte në vënd të parë (e njoha nga veshja dhe pistoleta që i dukej në brez) bisedonte me shoferin duke sharë qeverinë dhe prisnin që të hyja dhe unë në biseda me ta. Por unë isha regjur me ato gjëra dhe bëja sikur flija apo sikur nuk e kisha mëndjen. Ç’a të them, provokime nga më të ndryshmet.

 

Po pas letrës që i bëre Ramiz Alisë, nuk ndryshoi asgjë, pra a u zbut ndopak qëndrimi që po mbante shteti ndaj jush dhe nga këto ndjekjet e Sigurimit?

 

Jo vetëm që nuk u zbut, por u bë më keq, shumë më keq. Mua fillimisht më përjashtuan nga fakulteti “Inxhinierisë Mekanike” që ishte hapur në Elbasan si filial ku mbarova vitin e parë dhe isha shumë mirë nga 20 vetë që ishim në kurs, isha i pari. (Unë isha i shkëlqyer si mekanik, pasi kisha dalë nga ushtria me kategorinë e VI-të, që ma kishte dhënë, Thanas Hysi inxhinier nga Elbasani, kur ishte ushtar në Bestrovë të Vlorës në vitet 1969-71, me komandant Ilo Myzeqarin). Nuk më thanë se pse nuk më lejuan që të vazhdoja, por më kërkonin ca dokumente, që e dinin se nuk i plotësoja dot. Ndërkohë pasi i kisha bërë letrën Ramiz Alisë, i bëra një letër dhe Enver Hoxhës duke i’a shpjeguar me hollësi të gjitha dhe nji kopje të saj ata të Komitetit Qëndror të PPSH-së, e kishin dërguar për verifikim në Glinë të Gjirokastrës. Këtë gjë mua ma tha Spiro Lengo kur erdhi dhe më takoi, pasi ai ishte ngarkuar për ta ndjekur çështjen e letrës sime.

 

Çfarë verifikimi do bëhej në Glinë të Gjirokastrës, kur ju ishit larguar që në 1951-in?

 

Pas arrestimit të babait, mua m’u hapën letrat që të shikonin se ku kisha ndonjë shkelje dhe të më arrestonin direkt, pa u lodhur fare për të gjetur dëshmitarë. Duke parë dhe verifikuar letrat, kishin shkuar deri në Glinë për të parë një karakteristikë që më kishin dhënë dikur ata të Këshillit Popullor dhe ata nga frika, kishin thënë se nuk ma kishin dhënë ata, por ai dokument duhej të ishte i fallsifikuar nga unë, Ilia Leka, dhe për këtë gjë pas arrestimit të babait, më thërrisnin çdo javë në Hetuesinë e Elbasanit, ku ishte hetues Besnik Ymeri dhe më pyeste për ato dokumente. Mirpo, ai Besniku qëlloi njeri i mirë dhe shumë i drejtë, pasi kur shkoi për t’i verifikuar në fshatin Glinë, u tha atyre: “Mirë që ky Ilia paska vjedhur vulën e Këshillit, po dorën ai ua morri dhe vutë firmën këtu. Se këto firmat tuaja, janë njësoj me këto të tjerat”?! Kështu vetëm ndërgjegjia e atij njeriu, pra hetuesit Besnik Ymeri, bëri që unë të shpëtoja nga burgu, pasi po të thoshte ai që ato dokumente janë të fallsifikuara, mua do të kishin arrestuar menjëherë. I jam shumë mirënjohës atij njeriu që nuk kam pasur më mundësi ta takoj.

 

Ku i morët vesh ju ato që kishte folur Besnik Ymeri me ata të Këshillit Popullor, u’a tha vetë ai kur ju merrte për t’u pyetur?

 

Jo mor, as bëhet fjalë të më thoshte ai, këto m’i tha një bashkëfshatar i imi nga fshati Glinë më pas, që ishte aty në Këshill, ai m’i tregoi të gjitha.

 

Pas arrestimit të babait, po me xhaxhanë tuaj, Spiron, ç’farë ndodhi, pati probleme ai?

 

Spiro pati shumë probleme, pasi ndërkohë që unë kisha bërë këto letra, xhaxhanë tim, Spiron e arrestuan dhe e dërguan në Degën e Punëve të Brendëshme të Vlorës, ku i thanë: “Spiro, firmos këtu, që yt nip ka thënë që: sa të jetë Enver Hoxha, ne do vdesim, kur të iki ai ne do të shpëtojmë”.

 

A i kishte firmosur xhaxhai ato që i kërkuan?

 

Nga që atë e toruruan shumë në Degën e Brendëshme të Vlorës, ai u detyrua që ta firmoste se nuk e linin ata, do ta mbanin nën tortura deri sa ta firmoste. Kështu ata të Sigurimit, që ishin operativë dhe hetuesët e Degës, i’a nxorrën inatin xhaxhait për shkak të letrave që kisha bërë unë. Dhe sapo e liruan ai vjen e më thotë, këto, këto kam bërë për ty, pra që kishte firmosur ato që i kishin kërkuar dhe pas kësaj e kuptuam që arrestimi im ishte punë orësh dhe kështu vendosa të arratisem. Por ajo që më shtyu mua më shumë që të bëja arratisjen, ishte se: kur unë shkova në Fier tek ish-shokët e mi të punës (ata më dhanë plot ushqime, nga që e dinin se isha pa punë), dhe u ktheva në Kolonjë të Lushnjes, fare rastësisht pashë atë Hamit T., që doli nga zyra e Operativit të sigurimit. E kuptova se ishte aty për problemin tim, pra që Sigurimi po më vinte njerëz nga pas për të më provokuar. Ndërkaq kur unë po ngjitesha për në Ardenicë, më vjen nga pas një Thoma Boçi me biçikletë, që ishte Operativ Sigurimi dhe më ndaloi. Me Thomain njihesha shumë pasi kishim qenë shokë klase në 8-vjeçarë në Bubullimë të Lushnjes dhe më pas ai mbaroi për Agronomi dhe e morrën në Sigurimin e Shtetit kur morrën këta nga klasa punëtore. Por ai edhe pse ishte me Sigurimin e Shtetit, mbeti një djalë shumë i mirë dhe me mua e tregoi vetën aty kur më ndaloi me ato që më tha.

 

Çfarë ju tha ai…?!

 

Ai fillimisht më pyeti: ‘si je, si shkon, si janë nga shtëpia dhe ku kisha qenë’ dhe unë i thashë se isha për të blerë pak bukë gruri në qytet, se kisha gruan me djalin të sapolindur atëhere. Pas kësaj, ai më tha që të mos mërzitesha, dhe si ktheu kokën prapa për të parë se mos kishte njeri, si me gjysëm zëri, ashtu pa zbritur nga biçikleta, shtoi duke më thënë: “Ilia….bëji vënd vetes…”, dhe më pas iku duke i dhënë fort biçikletës.

 

Si mund t’ua thoshte një njeri i Sigurimit ato fjalë?!

 

Edhe unë u habita fillimisht, por si duket kishte besim te unë se siç u thashë kishim qenë shokë të ngushtë që në 8-vjeçare, por e pashë që u pendua si duket që m’i tha ato fjalë dhe u kthye përsëri të më takonte. Ndërkohë sa e pashë se po kthehej, dhe thërriste: “O Ilia, Ilia…”, unë bëra sikur nuk dëgjoja dhe u fsheha tek kallinjtë e grurit, e nuk dola më deri sa ai iku, pasi e dija që do më thoshte të mos i bisedoja me njeri ato që më tha. Nuk ishte e vështirë ta kuptoja atë gjë dhe aty mua m’u ngulit në mëndje përfundimisht, që unë së bashku me të tjerët, duhet të arratisesha, pasi më prisnin prangat nga çasti në çast. Madje ishte caktuar dhe data që do më arrestonin mua, më 12 prill. Dhe nga kjo gjë unë vendosa përfundimisht për t’u arratisur.

 

Nga e morët vesh ju se ishte vendosur data 12 prill për arrestimin tuaj, ua tha Thomai?!

 

E kam marrë vesh shumë më vonë, se ishte vendosur arrestimi im më datën 12 prill, pasi Thoma Boçi para se të më takonte mua, kishte qenë te Punëtori Operativ, Kristaq Pleqi dhe te hetuesi, Zamir Stefani dhe siduket atje e kishte marrë vesh. Por nuk m’i tha Thomai këto, pasi ai nuk ishte i çmëndur, sado shok që më kishte pasur. Por ajo që më tha, pra “bëj vënd vetes”, ishte shumë e qartë dhe nuk kishte ça të më thoshte më shumë, prandaj i jam mirënjëohës atij njeriu për gjithë jetën.

 

Pasi vendosët për t’u arratisur, me kë biseduat?

 

Shkova menjëherë takova xhaxhanë, Spiron dhe i them që: ne duhet që të arratisemi, se po ndenjëm këtu, do të na grijnë, do të na ekzekutojnë.

 

Si iu përgjigj xhaxhai?

 

“Mirë’ më thotë xhaxhai, ‘por unë do të marr gruan dhe fëmijët”. ‘Po i more ti ata’, i them, ‘do qajnë fëmijët dhe neve do të na kapin’. Xhaxhai tepër i mërzitur më tha që kishte një sëpatë dhe me të: ‘do t’i vras ata të Sigurimit’. Unë i thashë: ‘mos e bëj atë gjë, sepse atje në pyll në kufi ku do shkojmë, është kapterri me automatik’. Pra nuk mund të bënin dot aventura të tilla, pasi bëhej alarm e përforcohej jo vetëm kufiri ku ne do të shkonim, por edhe këtej në brendësi, dilte policia bashkë me çetat vullnetare deri sa të na kapnin. Kështu aty për aty ramë dakort dhe vendosëm që ne duhet të iknim një orë e më parë të shpëtonim kokën, sa nuk na kishin ardhur për të në vënë hekurat.

 

Kur u arratisët dhe si e kujton atë gjë, pra çfarë itinerari përshkuat deri në kufi?

 

Pasi vendosëm dhe bëmë planin e arratisjes, pra që do iknim unë me xhaxhanë, Spiron dhe vëllanë tim, Kriston, ne u nisëm nga Kolonja e Lushnjes më 7 prill të vitit 1982. Në majat e maleve që dukeshin nga aty ku banonim ne, kishte qamet dëborë. Morrëm dhe helme me vete, që po ta shikonim keq në kufi, t’i jepnim fund jetës, pa rënë të gjallë në duart e rojeve të kufirit që do na ndërsenin qentë për të na shqyer. Kështu ikëm të tre deri në Ballsh, ku donim të merrnim autobuzat deri në Gjirokastër, por na thotë xhaxhai, që: ‘ju nuk keni pashaporta dhe gjatë kontrollit, do të na kapin, prandaj ikim në këmbë’. ‘Mirë’, i thamë ne dhe ikëm nga Ballshi, maleve, kaluam Tepelenën, dhe mbërritëm në Jorgucat të Gjirokastrës. Më datën 11 prill kaluam diku në mes të Goranxisë dhe Glinës, fshatit tonë ku ne nuk ishim shkelur që nga viti 1951 kur na kishin internuar që andej. Atë ditë për fat kishte sport, ndeshje futbolli, Partizani-Dinamo, dhe unë mendova, se ushtarët e kufirit do jenë të zënë duke parë ndeshjen dhe ne do ta kishim më të lehtë të kalonim. Kështu u ngjitëm malit, dhe në një moment shtangëm e ndaluam, se na del ushtari i kufirit përpara.

 

Ju pa ushtari?

 

Jo nuk na pa, se ai ishte duke fjetur, ndërsa dy të tjerët ishin brënda në kolibe. “Të marr nji gur ose një gjë tjetër’ më thotë vëllai-‘që po na u afruan, të mbrohemi”. ‘Jo’ i them unë, ‘se do të na e prishësh punën fare’. Dhe i’u shmangëm atij njësiti duke dalë në një monopat tjetër, por sa kaluam i’a jep teli, me një sinjal uuuuuuuu. Ne u trembëm, dhe ia mbathëm. Ishte ora 02 e natës, por deri sa dolëm tek ajo që quhej brezi i butë dhe kaluam në territorin grek, shkoi ora 05 të mëngjesit dhe aty na del përpara nji derr i egër që na trembi shumë, pasi fillimisht kujtuam se ishin ushtarët që na ndiqnin.

 

Ku shkuat fillimisht pasi dolët në territorin grek?

 

Ne dolëm në fshatin Çatistë dhe ato ditë ishte ajo që i thonin “Java e Pashkëve të mëdha”. Neve atje na doli një burrë me trup të madh, dhe na tha: “Nga Shqipëria jeni”? ‘Po’ i thamë ne. Pas kësaj ai na mori në shtëpi dhe na dha për të ngrënë. Gjatë bisedave që bëmë me të, ne pyesnim që të kujt ishin gjithë ato bagëti dhe toka, e kur ai na tha: “të miat”, ne u habitëm dhe u tronditëm, pasi gjithë jetën kishim jetuar në kooperativë, e nuk i’a kishim haberin se si jetonin ata.

 

Ç’ndodhi më pas me ju?

 

Më pas neve na zuri gjumi, dhe kur u çuam, pamë që na erdhën disa police të cilët na morrën dhe na mbajtën 5 ditë në hetuesi duke na mërrë në pyetje të tre bashkë dhe veç e veç. Ditën e pestë, na thanë që do të na çonin në Janinë dhe kur na çuan atje, na thotë xhaxhai që: ‘kanë ardhur gjithë ata njerëz nga Delvinaqi me ushqime që duan të na i japin, por pa mbaruar hetimet nuk lejohet’. Erdhën gjithë ata gazetarë, deri nga Izraeli dhe ne jepnim intervista, duke treguar për jetën tonë në Shqipëri, si dhe arsyet që na kishin shtyrë për të ndërrmarë atë aventurë të rrezikshme që paguhej me kokë. Si dhe peripecitë e arratisjes ku ne kaluam në fije të perit tek ushtarët që mund të na kishin vrarë, po mos të ishin në gjumë. Por kam bërë vetëm një gabim, që mora në qafë ata ushtarët e kufirit që ishin atje ku kaluam ne./Memorie.al