Sistemi VAR është miratuar për përdorim edhe në kampionatin zviceran këtë sezon dhe shkak për polemikat e para rreth tij është bërë Taulant Xhaka. Mesfushori i Kombëtares, i cili njihet edhe për lojën e tij luftarake në çdo aksion, ka qenë protagonist i një momenti në ndeshjen e fundjavës që Bazel ka zhvilluar ndaj Servetes, ndaj të cilës skuadra e mesfushorit shqiptar fitoi me rezultatin 3-1.
Gjatë një momenti në pjesën e parë, mesfushori i Kombëtares është përfshirë në një duel force, ku ai dhe njëri prej kundërshtarëve, e kanë kaluar edhe masën e “normales”, duke bërë thuajse të njëjtën ndërhyrje të rrezikshme.
Kaq ka mjaftuar që njëri prej kundërshtarëve të Xhakës, ta kapë shqiptarin nga fanella në pjesën afër fytit. Në këtë moment, Xhaka i është kundërpërgjigjur teksa me dorën në fanellën e kundërshtarit, duket sikur afron dhe lëviz grushtin pranë mjekrës.
Pra një farë tentative për ta goditur kundërshtarin e tij. Për këtë moment, sistemi VAR i arbitrimit nuk ka ndërhyrë dhe nga gjyqtari i ndeshjes, faulli është dhënë në favor të mesfushoit të Kombëtares.
Kaq ka mjaftuar që në Zvicër të nisë menjëherë debati në lidhje me praninë e këtij sistemi, ndërkohë që nuk ka ndërhyrë. Një prej ish-arbitrave me famë në futbollin helvet, Luixhi Ponte e ka komentuar të gabuar vendimin e kryesorit të takimit, por duke hapur polemika teksa shpjegon se VAR ka vendosur saktë, edhe duke mos ndërhyrë.
Gjyqtari
“Sipas meje, është vendosur gabim nga gjyqtari. Nëse gjyqtari e sheh një skenë të tillë, në atë moment ka vetëm një lloj ndëshkimi: Me karton të kuq”, është shprehur 67 vjeçari Ponte.
Mirëpo, nga kjo deklaratë, merr fill edhe debati i ngritur në Zvicër për praninë e VAR-it, i cili nuk ndërhyri. “Ama, në lidhje me atë që ju thashë për kartonin (e pa dhënë), VAR ka vendosur drejt. Është krejtësisht korrekte që VAR të mos ndëhyjë. Kjo, sepse nuk bëhet fjalë për një goditje të pastër të Taulant Xhakës. Vetëm në këtë moment do të njoftonte ndëshkimin për të, nëse do të ishin të bindur nga monitorimi i pamjeve se Xhaka ka goditur kundërshtarin.
Duke mos qenë të tillë, atëherë është diccka që i lihet vetëm gjykimit të arbitrit që është në fushën e lojës”, ka shpjeguar ish-arbitri i cili ka gjykuar që nga viti 1967 dhe ka qenë presidenti i Shoqatës së arbitrave në Zvicër për 13 vite. Ai është një instruktor i gjyqtarëve që nga viti 1990.