Përhapja e COVID/ Brataj: Tirana zonë e kuqe, duhet të kufizohet

Përhapja e COVID/ Brataj: Tirana zonë e kuqe, duhet të kufizohet

325
0

Rritja e ndjeshme e numrave të të infektuarve dhe të shtruarve në spital mund të sjellë karantinimin e pjesshëm të Tiranës.

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ka deklaruar për TV Klan se Tirana është zonë e kuqe tashmë pasi ka afro 175 vatra të Covid. Kjo ka bërë sipas tij që transmetimi i virusit të jetë komunitar dhe kërkon patjetër marrje të masave.

“Nga të gjitha vatrat që janë në Shqipëri, mbi 35% e tyre janë në Tiranë. Janë të shpërndara, nuk mund të thuash se kjo është më e infektuar se tjetra. Tirana do të bëhet zonë e kuqe. Pothuajse është një transmetim komunitar. Infeksioni është shpërndarë në një masë shumë të madhe. Patjetër që masa do të ketë sepse me këto përmasa që po merr sëmundshmëria detyrimisht duhet që të kufizohen. Nëse nuk kontrollohen duhet që të merren masa”, tha Brataj.

Ai shtoi se kjo situatë është pasoje e lehtësimit të masave afro një muaj më parë dhe mos respektimi i tyre.

“Nuk po respektojnë masa. Hapja e shkollave ishte një thikë me dy presa dhe vazhdon të jetë. Lokalet në darkë dhe çfarëdo lloj qofshin janë bërë një strehë të mos mbajtjes së maskës, mos respektimit të distancës dhe as të kufizimit të infeksionit”, tha Brataj.

Të rinjtë janë grupmosha më e prekur nga Covid-19. Nga 1300 thirrje të regjistruara në urgjencën kombëtare dy javë më parë, tani numri ka arritur në 3 mijë në 24 orë.