Lajme

Përgjimet e BILD na dhanë një leksion shumë të vlefshëm … Nga Klajda Gjosha.

By vizional

June 22, 2019

Përgjimet e BILD na kanë dhënë një leksion shumë të vlefshëm, atë që politika ka nevojë të përfaqësohet nga njerëz të thjeshtë, normal dhe si të gjithë qytetarët e këtij vendi.

Kuvendi i Shqipërisë, duhet të jetë shtëpia e integritetit shoqëror, vlerave, kulturës dhe dijes. Sot më shumë se kurrë nuk mund të pranojmë që Komisioni i Ligjeve, që propozon dhe miraton ligjet që diktojnë jetën e qytetarëve shqiptarë, të drejtohet nga njerëz që shesin dhe blejnë të drejtën e qytetarëve për të votuar të lirë, të shesin dhe të blejnë postet e administratës publike, të propozojnë ligje që dënojnë qytetarët dhe të shantazhojnë këdo që i tregon ligjin kur ata janë vetë objekt i tij!

Politika duhet çliruar nga retorika konfliktuale, personale dhe e urrejtjes. Qytetarët e këtij vendi nuk mund të ndahen në të majtë dhe të djathtë, ata janë të gjithë të barabartë brenda ombrellës që quhet Shqipëri!

Politika duhet të mësojë të respektojë dhe të ndahet një herë e mirë nga përcarja. Solidariteti në këto momente të vështira duhet të jetë pjesë e historisë së këtij kombi, për të ndarë politikën nga krimi, vulgariteti, abuzimi dhe deliri!

Ky vend e ka të ardhmen drejt Europës, askush nuk e devijon dot këtë destinacion final. Do të mjaftonte vetëm pak maturi politike për ta bërë këtë realitet!