Historia e dhimbshme/ 12-vjeçarja refuzon të shkojë në shkollë! Flet e ëma:...

Historia e dhimbshme/ 12-vjeçarja refuzon të shkojë në shkollë! Flet e ëma: Vajza është e traumatizuar, na duhet një psikolog

332
0

Sot mijëra fëmijë nisën ditën e parë të shkollës por një vajzë 12-vjeçare nga fshati Lutfinjë i Memaliajt, nuk mundi dot.

 

E mitura A.M, nuk do të shkojë në të njëjtën shkollë ku për dy vite me rradhë është abuzuar seksualisht.

 

Çfarë i duhet tani është një psikolog i cili do mund ta ndihmonte të kalonte traumën e madhe të shkaktuar si pasojë e përdhunimeve sistematike të mësuesit të saj 64 vjeçar, M.Dida.

 

Të paktën kështu pretendojnë prindërit të miturës te cilët janë të shqetësuar për gjendjen e vajzës së tyre.

 

 

Ata rrëfejnë për newsbomb.al se ajo nuk pranoi të shkojë sot në shkollë si gjithë bashkëmoshatarët e saj.

 

“Jo vetëm e madhja, por as vajza e vogël 7-vjeçe nuk pranoi të shkonte në klasën e dytë. Ajo ka kuptuar gjithçka dhe qan vazhdimisht. Vajzat e mia kanë nevojë për psikolog. Janë të traumatizuara”, rrëfen nëna e 12- vjeçares së përdhunuar, zonja Arta Muçodemi, e cila shprehet ndërkaq e lodhur për serinë e gjyqeve që nisën para 1 viti në Tepelenë e vazhdojnë edhe sot në Gjirokastër.

 

 

Arta thotë se çështja e përdhunimit të vajzës së saj, i ka kaluar tashmë gjykatës së Apelit në Gjirokastër, pasi gjykata e Tepelenës e liroi mësuesin M.Dida, vetëm 72 orë pas arrestimit duke e lënë në arrest shtëpie.

 

 

Për Artën dhe bashkëshortin e saj Besnikun, dy prindër që kanë dëgjuar çdo detaj nga vajza e tyre për abuzimet sistematike të mësuesit, kjo është e papranueshme.

 

“Ne si prindër do kërkonim varje para syve të të gjithëve”, thotë e lënduar nëna e së miturës, ndërsa shton se në kushtet kur kjo është e pamundur, atëhere mësuesi e ka vendin vetëm në burg.

 

 

Nga ana tjetër mësuesi nuk pranon akuzën e përdhunimit duke e cilësuar të gjithën si një sajesë, gjë e cila hidhet poshtë me forcë nga prindërit e të miturës.

 

 

Ata rrëfejnë se vajza e tyre u abuzua për 2 vite me rradhë dhe ata mundën ta zbulonin historinë vetëm pas një telefonate anonime që i vuri në dijeni për çfarë po ndodhte.

 

“Më morën në telefon e më thanë që mësuesi po më përdhunonte vajzën. E thirrëm vajzën, e pyetëm, ajo nisi të qante. Pastaj na tregoi me detaje gjithçka. Ai (mësuesi) nxirrte nxënesin e tjerë nga klasa, dhe vajzën time e mbante për ta përdhunuar. E kishte bërë këtë për dy vite por ne e zbuluam vetëm më 2 qershor të 2018-ës. Më 5 qershor kemi bërë denoncimin në Tepelenë dhe vajza ka rrëfyer abuzimet për oficerin e policisë në prani të një psikologeje”, thotë më tej për newsbomb.al zonja Arta.

 

 

“Duam nga shteti një psikolog për vajzën se vetë s’kemi mundësi ta paguajmë. Ne jemi bërë për vete për psikolog. Kemi një vit e gjysmë që rendim gjykatave. Qan vajza e madhe, qan edhe e vogla. S’duan të shkojnë më në atë shkollë”, vazhdon rrëfimin ajo duke pohuar se situata është bërë e papërballueshme.

 

 

Arta dhe bashkëshorti i saj janë të dy pa punë dhe e vetmja e ardhur janë pensioni i dy pleqve që kanë në shtëpi.

 

 

Ata duan thjesht t’ia nisin nga e para, larg Memaliaj e Tepelenës, ndoshta diku në Tiranë ku vajzën e tyre mos e ndjekë makthi i historisë së abuzimit, e ndoshta, ndoshta, të harrojë.

 

“Ne duam që vajzat të shkojnë në shkollë si gjithë fëmijët e tjerë. Historinë e së madhes po e vuan edhe e vogla. Po presim ç’do vendosë gjykata e Apelit në seancën e 23 shtatorit. Ai (mësuesi) ka lekë. Ne s’kemi asgjë ndaj i bëjmë thirrje shtetit të verë dorë”, përmbyll Arta.

 

 

Më 23 shtator, Apeli i Gjirokastrës do vendosë nëse mësuesi do rikthehet në burg sikurse kërkojnë prindërit e të miturës, apo do shpallet i pafajshëm sikurse ai pretendon.  /newsbomb.al/