Për amnistinë por më tepër rreth qasjes të të qënit deputet…./ Nga...

Për amnistinë por më tepër rreth qasjes të të qënit deputet…./ Nga Elena Duka Xhina

440
0

…….E në fund të këtij diskutimi, përsëri e di se secili prej nesh do të gjykohet se nuk kemi bërë një punë të mirë, për amnistinë e për çdo projektligj tjetër që do të miratohet sot, sikurse ndodh prej shumë kohësh. Është bërë më se e zakonshme të flitet për nivelin e deputetit, duke gjykuar, paragjykuar, krahasuar e analizuar pa kriter.

Është më se e qartë dhe e reflektuar në çdo forum social dhe biseda të përditshme, fakti që të jesh Politikan sot, mbart në vetvete një stigmë dhe paragjykim, i mbruajtur dhe i kalitur nga vetë dështimet dhe mosarritjet e historisë së politikës shqiptare në këto 30 vite. Një ndjenjë dyshimi dhe paragjykimi mbizotëron në ajër, një lloj emërtimi i parafabrikuar për çdo individ që përfshihet në politikë, qoftë dhe shumë zëra të rinj që me dedikim dhe pastërti, i kanë hyrë kësaj sfide. Ne paragjykohemi dhe vlerësohemi si një e tërë dhe jo si individë, duke mbajtur kështu të gjithë të njëjtën peshë edhe pa qenë pjesë e të njëjtit faj.

Më lejoni të përmend fatkeqësinë shkatërruese të 26 Nentorit, të cilën ne po e përjetojmë si një plagë të përbashkët, por që na tregoi se për çështje madhore, me sakrificë të pakushtëzuar, populli shqiptar bëhet një dhe tregon forcën dhe vlerat e mishëruara në genin tonë. Por ai bashkim, forcim dhe përpjekje për shpresë nuk duhet të ndizet vetëm në ditët më të errëta, kur Morti shtrihet hapur midis nesh. Për një vend si Shqipëria shpresa dhe optimizmi duhet të ishin parësore. Dikush, mendimin e të cilit e vlerësoj pa masë, tha: Shpresa është pas dere, mjafton ta hapim atë… E për të hapur këtë derë duhet një reflektim kombëtar është i domosdoshëm, një qasje ndryshe ku shigjetat të drejtohen tek ato vlera që na bashkojnë me shumë, sesa ato që na ndajnë. Ne të gjithë duhet të na udhëheqë dëshira për të bërë më mirë, realizimi i momentit dhe orës kombëtare, që nuk kthehet më mbrapa. Le të rrimë larg skutave errësuese, le të reflektojmë përgjegjësi. Kurrë nuk duhet të harrojmë se të parët tanë gjithnjë kanë qenë drejtuar dhe ujitur nga vlerat e kombit, atdheut, duke e konsideruar atë si një të vërtetë hyjore, që kurrë s’mund të bësh pazare dhe kompromise. Nëse çdo gjë tjetër krijon çarje, vetëm kur bëhet fjalë për të ardhmen e këtij vendi, aty mund dhe duhet të bashkohemi të gjithë. Ne duhet të ngremë kokën me dinjitetin që na takon, se pavarësisht çdo gjykimi, ne jemi këtu në tempullin e fjalës dhe ajo që duhet të tregojmë është dinjitet, devotshmeri, integritet.

E keqja nuk mbizotëron se ekzistojnë njerëzit r këqinj, por se heshtin njerëzit e mirë..prandaj duhet të flasim.

E meqë përmenda tragjedinë e 26 Nëntorit, dua të sjell në vëmendjen tuaj se jam ndjerë shumë keq kur në media e në rrjete sociale, kolegët e mi, anatemoheshin e përbalteshin pa të drejtë. Unë vetë jam dëshmitare se si disa deputetë këtu, e për më teper kolege, për ditë e netë me rradhë u gjendën pranë njerëzve në nevojë me përkushtim, duke përjetuar me shpirt të thyer atë që po ndodhte. Por shumë nuk duan ta shohin këtë dhe nuk duan ta pranojnë, duke mos ia njohur askujt ndër ne atë që vërtet ka vlerë e virtyt.

Ne duhet të bëjmë hapa për të forcuar besimin dhe të jemi së pari në një nivel me ata që na besojnë votën. Kurrë nuk është vonë për këtë.

Ne duhet të jemi mjeti drejt qëllimit, arritjes dhe zhvillimit që kërkon dedikim tërësor dhe jo fallcitet dhe belbëzime fëmijësh, një dedikim të kultivuar nga morali dhe besimi në ligje dhe drejtësinë gjithëpërfshirëse.

Dua në mbyllje të përmend një shprehje : “Nëse një pikë uji bie në një liqen, nuk ka identitet, por nëse bie në një gjethe zambaku, pika e ujit ndriçon si një perlë!”. Ndaj ata që e ndjejnë si unë le te zgjedhin të jenë në anën e duhur të historisë, tej paragjykimeve e të ndiejnë duke bërë punë të mira për vendin tonë, duke dhënë më të mirën nga vetja!