Lajme

Patozi: Për ata që e duan Edi Ramën të dobët, jo vetëm në stadium

By vizional

November 19, 2019

Kryetari i Bindjes Demokratike Astrit Patozi ka reaguar ndaj një sondazhi, ku qytetarët pyeten për një ndryshim të kushtetutës, që sjell kufizim të presidentit Ilir Meta. Përmes një statusi në ‘Facebook’, Patozi i drejtohet të gjithë atyre që sipas tij e duan kryeministrin Edi Rama të dobët, jo vetëm në stadium.

Ai deklaron se Shqipëria ka një nevojë ulëritëse për ta prekur kushtetutën, por jo duke kufizuar Metën, pasi halli më i madh është kryeministri.

 

Më tej, Patozi bën me dije se Bindja Demokratike ka shpallur prej gati një muaji një platformë serioze për reformimin e plotë të sistemit politik, në epiqendër të së cilës është kufizimi drastik i pushtetit të kryeministrit.

 

Statusi i plotë:

 

PËR ATA QË E DUAN EDI RAMËN TË DOBËT, JO VETËM NË STADIUM

 

Në këtë vend nuk mund të thuash asnjëherë që e keqja ka prekur fundin, ndaj edhe asgjë nuk mund të parashikohet me siguri. Me sa duket, dikujt i ka ka lindur në kokë marrëzia e radhës për të shpëtuar prej Ilir Metës, duke ndryshuar kushtetutën.

Në fakt, Shqipëria ka realisht një nevojë ulëritëse për ta prekur kushtetutën, por jo duke kufizuar Presidentin e Republikës. Sepse ne hallin më të madh e kemi me kryeministrin, të cilit duhet t’ia hollojmë sa të mundemi pushtetin dhe t’ia zvogëlojmë kompentencat.

Është e vëtmja mënyrë për të reduktuar dëmin që mund të sjellë ai, fillimisht duke deformuar zgjedhjet, e më pas duke sunduar me arrogancë, në vend që të qeverisë normalisht.

Por çudia qëndron se ata, që ngazëllehen me të drejtë në stadium nga thirrjet “Rama ik”, nuk thonë asnjë fjalë për këtë çështje. Ndërkohë BINDJA DEMOKRATIKE ka shpallur prej gati një muaji një platformë serioze për reformimin e plotë të sistemit tonë politik, në epiqendër të së cilës është kufizimi drastik i pushtetit të kryeministrit.

Sipas nesh, kjo është e vetmja rrugë për të shpëtuar shoqërinë nga humori dhe shijet banale të udhëheqësve, që shndërrohen gradualisht në përbindësha politikë, duke keqpërdorur privilegjet që i garanton sistemi ynë i dështuar.