Ekonomi

Para të falsifikuara po ‘mbysin’ Shqipërinë. Nuk njihen me sy të lirë, mesoni taktikat që të mos e pësoni

By vizional

April 29, 2019

Të dhënat e fundit të disponueshme nga Banka e Shqipërisë tregojnë se për 1 milion copë kartëmonedha në qarkullim, 5.7 prej tyre janë të falsifikuara. Sipas të njëjtave të dhëna, kartëmonedha prerjen 1000 lekë zë pjesën më të madhe të totalit të kartëmonedhave false, e pasuar nga prerjet 500 lekë dhe 2000 lekë. Nga ana teknike, kartëmonedhat kombëtare të falsifikuara riprodhohen me teknikë bazë printimi digjital me ngjyra, të shoqëruara me aplikimin e metodave artizanale shtesë për imitimin e disa elementëve të sigurisë. Por, ndonëse të dhënat për vitin 2018 nuk janë publikuar ende, tregtarët e kryeqytetit, që janë në kontakt të vazhdueshëm me paratë, i kanë jo të panjohura eksperiencat me paratë e falsifikuara. Madje njëri prej tyre tregon rastin e fundit e ka pasur vetëm para pak ditësh.

 

“Pardje më ka ardhur një 10 mijë lekëshe false. Erdhi një plak, por unë sa e kapa me dorë e kuptova që ishte false. Kam një stilolaps verifikues me të cilin i provoj: po u nxi kartëmonedha është false, nëse nuk nxihet është në rregull”,-tregon tregtari, që ka një dyqan të vogël në tregun çam, në kryeqytet.

 

“ Mua më ka ndodhur para disa vitesh. Unë nuk e dallova fare, por kur shkova të blija në një dyqan tjetër e dalloi shitësi që ishte false”,-thotë një tjetër tregtar, që operon në të njëjtin treg.

 

Megjithatë, ata thonë se janë pak të informuar mbi elementët e sigurisë së një kartmonedhë dhe metodat që përdorin për identifikimin e tyre janë të thjeshta, duke u fokusuar te prekja me dorë apo edhe përdorimi i stilolapsëve specifikë, që lënë gjurmë në kartëmonedhë.

 

“Ne punojmë çdo ditë me lekun dhe zakonisht e dalloj me prekje, plus që ndonjëherë e ngre në dritë dhe shikoj “kokën”. Ndërsa për përdorimin e stilolapsit ka qenë ideja ime sepse e vura re që kishte para’ false në qarkullim dhe e bleva kur dola jashtë shtetit”- thotë tregtari.

 

Elementët e sigurisë

 

Kartëmonedhat aktuale në qarkullim kanë 7 elementë sigurie. Shtypi i ngritur, që prodhon në efekt relievi në bojën e përdorur mbi kartëmonedhë është njëri prej tyre.

 

Me rrëshqitjen e gishtave përgjatë sipërfaqes së kartëmonedhës, prania e shtypit të ngritur mund të perceptohet tek imazhet kryesore në të dy anët e kartëmonedhës. Një tjetër element është filli i sigurisë i thurur në letrën e kartëmonedhës.

 

Me shikim të lirë, në anën e përparme të kartëmonedhës filli shfaqet në sipërfaqe si vijë e gjerë dhe ndërprerë në ngjyrë argjendi, në të cilën shkruhet vlera nominale e kartëmonedhës. Nga ana tjetër filigrama është një element sigurie i realizuar në letrën e kartëmonedhës. Duke e mbajtur kartëmonedhën kundrejt dritës, rishfaqet portreti i kartëmonedhës.

 

Një tjetër tregues është elementi i regjistrimit që në kartëmonedhat shqiptare përfaqësohet nga një figurë e stilizuar e shqiponjës. Ky element është i shtypur në të dyja anët e saj dhe kur shihet kundrejt dritës duhet që të dyja figurat të përputhen saktësisht mbi njëra-tjetrën, duke formuar një imazh të vetëm.

 

Nga ana tjetër, imazhi i fshehur është një element sigurie i cili bazohet në efekte optike të shtypit të ngritur kundrejt dritës, ndërsa mikroteksti është shkrim me përmasa të vogla, qartësisht i lexueshëm me një lente zmadhimi.

 

Në kartëmonedhat e vërteta, ky tekst duhet të duket i konfiguruar qartë. Kartëmonedhat shqiptare përmbajnë edhe elemente për të ndihmuar të verbërit t’i dallojnë ato nga njëra tjetra. Ndërkaq, përveç tregtarëve, pikat e këmbimit valutor, gjithashtu janë kontakt të vazhdueshëm me kartëmonedhat vendase dhe ato të huaja.

 

Punonjësit e tyre thonë se rastet e parave të falsifikuara janë të shpeshta, ndërsa shtojnë se monedha vendase është më problematike. Megjithatë, ndryshe nga tregtarët e zakonshëm, këto pika disponojnë pajisje më të specializuara për identifikimin e kartëmonedhave të falsifikuara, duke dalluar në këtë mënyrë edhe falsifikime më të sofistikuara. Por, me identifikimin e tyre ata thonë se mjaftohen me ‘mospranimin’ e tyre, duke mos ndjekur hapa të mëtejshëm për denoncimin e rasteve.

 

Ndërkaq, edhe institucionet bankare thonë se përballja me këto lloj kartëmonedhash është e shpeshtë, por metodat që përdoren për identifikimin e tyre, padiskutim janë tejet të sofistikuara.

 

“Mund të themi që ka tentativa, sidomos në Shqipëri që është një ekonomi që qarkullon me vlera të larta në kesh, në ndryshim me shtetet e tjera, ku janë të zhvillura edhe metoda alternative të tjera dhe paraja fizike ka ardhur në rënie si vlerë”,-thotë Rinald Gjyli, nëndrejtor i Departamentit të Thesarit në ‘Credins Bank’.

 

“Duke iu referuar volumeve që kemi në bankën Credins, e cila gjatë viteve të fundit ka patur rritje si institucion, por edhe si pasojë e rritjes ekonomike, qarkullimi i kesh-it vijon në përmasa të larta. Tentativat për para të falsifikuara janë të shpeshta, por masat që merren janë shumë të shpejta”,-shton ai. Por, cilat janë disa nga mënyra që përdor banka për të identifikuara këto kartëmonedha? “Kontrolli i kartëmonedhave në Credins Bank, pro edhe në degët e bankave të tjera është shumë rigoroz. Në fakt, tendenca ka ardhur në rënie, në bazë edhe të masave që bankat aplikojnë. Nuk është e lehtë që të kalosh një kartëmonedhë fallco në një institucion bankar për shkak të makinerive që përdoren nga çdo arkëtar dhe për shkak të trajnimeve që bëhen për çdo arkëtar. Trajnimet bëhen minimalisht 1 herë në vit për t’u njohur dhe me elementët e rinj të një kartëmonedhe, por edhe sepse ka emetime të reja të euros, paundit britanik ose dollarit, por edhe për kartëmonedhën vendase”,-thotë Gjyli, teksa thekson rëndësinë e përditësimit të makinerive me ndryshimet që u bëhen kartëmonedhave.

 

Kujdes me paratë ‘CASH’!

 

Përgjithësisht klientët nuk janë në dijeni, që janë duke futur një kartëmonedhë të falsifikuar në bankë. “Nuk bën sens në vitin 2019, me sistemet që bankat përdorin, me identifikimin e kamerave apo me aparatet e numërimit të kesh-it, që përveç numërimit bëjnë dhe identifikimin e elementëve të sigurisë të tentohet të futen qëllimisht para’ të falsifikuara”,-thotë Gjyli.

 

Por, sipas tij individët duhet të shmangin transaksionet me vlera të mëdha në institucione jobankare, pasi mundësitë për të rënë në kontakt me kartëmonedha të falsifikuara janë më të mëdha. “Çdo biznes, por edhe qytetar do të duhet të jetë i kujdesshëm në qarkullimin e kartëmonedhave. Veprimet financiare me kartëmonedha duhet t’i bëjnë nëpërmjet bankave për të evituar keqkuptimet, për të evituar mundësinë që dikush në një moment të caktuar t’i pasojë një kartëmonedhë të dyshuar si të falsifikuar. Nga ana tjetër, nuk duhen të mbahen vlera të mëdha kesh në shtëpi, siç dëgjojmë në Shqipëri sepse ato dëmtohen, dyshohen si të falsifikuara, apo mund të ndërrohen nga dikush pa dijeninë e qytetarit”,-shpjegon nëndrejtori i Thesarit në Credins Bank.

 

Trajnime për sigurinë

 

Tregtarët e kryeqytetit thonë se trajnimet mbi elementët e sigurisë së kartëmonedhave do të ishin të domosdoshme, por këto trajnime duhet të financohen nga institucionet shtetërore. “Nuk diskutohet, që nevojiten trajnime nga institucione të specializuar. Por kush i paguan këto trajnime?! Nëse ato sponsorizohen, pra nuk paguhen nga ne, pse jo”,- thonë ata.

 

Sipas Gjylit, edhe vetë institucionet që kanë qarkullime të mëdha të parave kesh duhet të investojnë në trajnime të stafeve të tyre mbi elementët e sigurisë së monedhave. “Për këdo që qarkullon apo ka lidhje me përpunimin e cash-it të pajiset me të njëjtat makineri dhe të përditësohet çdo vit. Gjithashtu, duke qenë se në Shqipëri përdoren një shumëllojshmëri kartëmonedhash dhe ndryshimet janë të përvitshme, mendoj që duhet të ndjekin të njëjtën praktikë që ndjekin bankat dhe të trajnojnë çdo vit stafet e tyre si deh të investojnë në sistemin e kamerave”,- thotë Gjyli.

 

“Njësitë e tjera mund ta quajnë me shumë shumë kosto, por kjo do të mbajë larg këta persona që duan të kanalizojnë kartëmonedha false. Parandalimi i kartëmonedhave të dyshuara false që në burim, nuk ekspozon dhe atë subjekt tregtar me bankën apo atje ku do të bëjë derdhjen përfundimtare të këtyre kartëmonedhave sepse përveçse krijon një kosto monetare, në momentin që një subjekt ka arkëtuar kartëmonedha dhe banka e njofton që disa prej tyre janë false, atij i cenohet dhe besueshmëria, që është edhe më e rëndësishme”,-shton ai.

 

Në fakt, edhe Banka e Shqipërisë në Strategjinë Afatmesme të Zhvillimit 2019-2021 planifikon disa masa për mbrojtjen nga falsifikimi, duke synuar ruajtjen dhe rritjen e besimit të publikut te monedha kombëtare.

 

Sipas Bankës, ky objektiv sigurohet nëpërmjet përmirësimit të vazhdueshëm të elementeve të sigurisë së kartëmonedhës shqiptare; përmirësimit të vazhdueshëm të kapaciteteve dhe aftësive njerëzore të personelit, nëpërmjet trajnimeve, kualifikimeve dhe pjesëmarrjes në seminare dhe workshop-e.

 

Gjithashtu, banka qendrore parashikon organizimin e seminareve me punonjës të sistemit financiar, për t’i informuar, orientuar dhe trajnuar ata, lidhur me elementet e sigurisë të kartëmonedhave shqiptare, si dhe të faktorëve që sjellin minimizimin e falsifikimit të tyre.

 

“Roli i Bankës së Shqipërisë është shumë i rëndësishëm dhe deri më tani po kryhet saktë: Kanë organizuar trajnime me aktorë të huaj për monedhën europiane dhe dollarin amerikan. Japin mbështetjen e tyre në trajnimet që Banka Credins apo bankat e tjera bëjnë, kanë dhënë materialin e duhur me informacionet që ata grumbullojnë dhe roli është përmirësuar shumë me krijimin e Qendrës Kombëtare të Analizës së Kartëmonedhave, që na jep siguri në certifikimin e një kartëmonedhe të falsifikuar”,-thotë Gjyli.

 

“E theksoj këtë sepse në momentin që një klient paraqitet në një sportel, banka për shkak të transparencës ka të drejtë ta sekuestorjë, pro jo t’i thotë klientit që kjo është e falsifikuar. Në bazë të transparencës plotësohet formulari, sekuestrohet kartëmonedha dhe dërgohet në qendrën e Analizës Kombëtare. Kjo siguron dhe klientin që nuk po abuzon një sportelist apo banka, por po ndiqet procedura si në gjithë vendet e zhvilluara”, – përfundon nëndrejtori i Thesarit në Credins.