Aktualitet

Pampuri tha se një person ndërroi jetë nga përplasja me policinë, Ministria e Shëndetësisë përgënjeshtron lajmin: S’ka viktima, vetëm të plagosur

By vizionc

November 12, 2019

Ministria e Shëndetësisë përgënjeshtron lajmin e ish-deputetes Oriola Pampuri.

E kontaktuar nga Newsbomb.al, Ministria deklaron se nuk ka asnjë viktimë, por vetëm të plagosur nga përplasja e banorëve të Astirit me policinë gjatë mëngjesit të sotëm.

Ndërkohë pak momente më parë, ish-deputetja tha se ka ndërruar jetë protestuesi Mahmut Imallari, teksa akuzoi policinë dhe autoritetet spitalore se po e mbajnë të fshehtë ngjarjen.

Nga ana tjetër Trauma raporton se 12 persona të plagosur kanë mbërritur në ambjentet e spitalit dhe janë në gjendje të stabilizuar.

“Të lënduarit në gjendje të stabilizuar, po marrin trajtimin e duhur mjekësor Spitali Universitar i Traumës bën me dije se aktualisht po marrin shërbim 12 persona, nga të cilët 5 efektivë policie dhe 7 protestues, të lënduar në zonën e Astirit. Asnjë prej personave të lënduar nuk është në rrezik për jetën. Spitali është në gatishmëri të plotë”, thuhet në njoftimin e spitalit të Traumës.

Kujtojmë se rreth orës 6:00 të mëngjesit, banorët e Astirit qëlluan me mjete të forta, gurë dhe bomba molotov policinë, e cila iu kundërpërgjigj me gaz lotsjellës.

Aktualisht aksioni vijon qetësisht, nderkaq punonjësit e IKMT-së kanë mundur të prishin disa ndërtime pa leje në aksin nga rrethrrotullimi i sheshit “Shqiponja”deri te ura në lumin Lana.