Pamje me dron/ Shikoni si është bregdeti i jugut, pa jetën që...

Pamje me dron/ Shikoni si është bregdeti i jugut, pa jetën që sjellin turistët!

755
0

Këto pamje fantastike që shihni në video, janë fiksuar nga Top Story në këto ditë të ngrohta Prilli plot diell. Vlora, është zona që mban rekordin për orët me diell, plot 2 mijë në vit, statistika që ndoshta i gjen vetëm në brigjet spanjolle.

Uji i ftohtë në Vlorë, pikërisht zona që shihni në pamje është piknisja e Rivierës shqiptare, e konsideruar si perlë e Mesdheut. Kësaj zone ku deti merr një kaltërsi shkëlqyese, këtë Pranverë i mungojnë njerëzit. Edhe Vlora duket e gjunjëzuar nga Covid-19.

145 kilometër vijë bregdetare e Vlorës këto ditë të bukura Prilli janë të zbrazura. Askush nuk qarkullon në Parkun Kombëtar të Llogarasë, në qytetin antik të Orikut në Orikum, në Kalanë e Ali Pashës në Porto Palermo e në sitet e tjera arkeologjike dhe natyrore që janë me shumicë.

Sot, turizmi duket i gjunjëzuar në Vlorë, Orikum, Himarë dhe perlat bregdetare përgjatë këtij aksi.

Rreth 45 mijë të punësuar në sektorin e turizmit sot janë në rrezik mbijetese.

Qindra biznese, hotele, restorante dhe aktivitete të tjera shërbimi janë në prag falimenti. 64 % e të gjitha vizitave në Vlorë janë për arsye turizmi. Prenotimet e Pranverës janë anuluar 100 %. Afro 70 % e prenotimeve të muajve të Verës po ashtu janë anuluar dhe nëse situata e krijuar nga Covid-19 zgjat, të gjitha do të anulohen.

Gjatë sezonit Maj-Gusht, një vit më parë hynë nga Porti i Vlorës rreth 80 mijë pasagjerë dhe afro 22 mijë ishin të huaj, kryesisht italianë. Nëse izolimi do të zgjasë, me siguri që ky numër këtë vit do të jetë afër zeros.

Vlora, priti rreth 200 mijë turistë një vit më parë. Këtë vit, siç e përmendëm, prenotimet po anulohen me shpejtësi. Të vetmit turistë në Vlorë, janë ata pak shtetas italianë, rusë e polakë që kanë blerë apartamente në Vlorë dhe kanë mbërritur para se të niste izolimi.

Në një studim të kryer para disa vitesh, 2020-a ishte parashikuar si viti i pikut të vizitave në Vlorë nga turistët me një numër prej mbi 250 mijësh. Por, kriza e nisur e bën të pamundur këtë pritshmëri.

Vlora zë vendin e dytë në vend pas Durrësit në sektorin e peshkimit. 31 % e flotës është e stacionuar në Vlorë. Kriza këtu ndihet për shkak të kufizimit të mundësive të tregtimit. Peshkarexhat kanë shkurtuar numrin e të punësuarve ndërkohë pronarët e varkave të vogla operojnë me aktivitet të kufizuar.

Nëse muajt në vijim situata ndryshon, bizneset në bregdetin e Vlorës, e më në Jug në Rivierën shqiptare mund të rigjallërohen për shkak të anulimit të fluturimeve jashtë vendit. Pritshmëritë janë që ata shqiptarë që bëhen këtë vit patriotë dhe të kalojnë pushimet në jug të Shqipërisë dhe jo jashtë, për të ndihmuar kështu sadopak rimëkëmbjen e ekonomisë. Marrë nga faqja zyrtare e Top Story