Pallatet me kryq të kuq, por banorët vazhdojnë të jetojnë. Invalidi: Mora...

Pallatet me kryq të kuq, por banorët vazhdojnë të jetojnë. Invalidi: Mora krevatin e po fle në hyrje të godinës

211
0

 KURBIN

Në qytetin e Laçit janë shpallur rreth 80 pallate të pabanueshme. Edhe pse u është vendosur shenja e kuqe, në to vijojnë të qëndrojnë qindra njerëz. Ata janë të vetëdijshëm se po rrezikojnë jetën, por janë të detyruar të qëndrojnë në banesat e tyre të shkatërruara, pasi askush nuk u ka siguruar vendstrehim. Ded Stojani qëndron në një krevat në hyrjen e pallatit ku jeton, në lagjen nr.2 të qytetit të Laçit. Ai është invalid i nivelit të parë, pasi si pasojë e masës së lartë të diabetit, 15 vite më parë i ka prerë të dyja këmbët. Pallati në të cilin ka jetuar i vetëm 55-vjeçari është shpallur i pabanueshëm, pasi ka pësuar dëmtime serioze nga tërmeti i 26 nëntorit. Që prej asaj dite, Stojani është larguar nga banesa ku ka jetuar, por që askush nuk i ka ardhur në ndihmë për t’i ofruar një vendstrehim.

Pas tërmetit jam larguar nga banesa ku kam jetuar prej vitesh. Ka pësuar dëmtime i gjithë pallati dhe është shpallur i pabanueshëm. Qëndrimi aty është shumë i rrezikshëm. Në këto kushte, 10 ditë kam qëndruar te një shok i imi, por tani jam larguar nga aty. Prej dy ditësh, kujdestarja ime ka marrë një krevat dhe jam vendosur në hyrje të pallatit dhe këtu po qëndroj”, thotë ai. Stojani tregon se ka kërkuar një vendstrehim pranë autoriteteve, por askush nuk i ka ardhur në ndihmë.

Unë jam i paralizuar dhe lëviz vetëm me karrocë. Kam kërkuar vendstrehim dhe askush nuk më kë ardhur në ndihmë. Ka shkuar kujdestarja ime disa herë te bashkia, por nuk ka gjetur asnjë zgjidhje. Në këto kushte jam detyruar të qëndroj në hyrje të pallatit, pasi të hyj në banesë, të cilën e kam në katin e 3-të, kam frikë sepse rrezikon të shembet. Këtu është shumë ftohtë, por nuk kam çfarë të bëj, s’kam ku të shkoj tjetër”, shton Stojani. Kunata e invalidit, e cila është edhe kujdestare e tij, tregon se po haset në vështirësi të shumta për t’i ardhur në ndihme 55-vjeçarit, teksa shton se problemin ia ka prezantuar edhe Kryeministrit Edi Rama gjatë vizitës që ai zhvilloi paraditen e së shtunës në qytetin e Laçit.