Organizoi ceremoninë për dhënien e dekoratave nga Meta, gjobitet me 50 milionë...

Organizoi ceremoninë për dhënien e dekoratave nga Meta, gjobitet me 50 milionë lekë kryetari i shoqatës “Durrësi Autokton”

345
0

Policia e Durrësit përmes një njoftimi publik bëri me dije se në kuadër të masave parandaluse për frenimin e virusit, ka gjobitur me një gjobë prej 50 milionë lekësh  të vjetra një shtetas me inicialet A. D., (përfaqësues i  një shoqate), i cili organizoi takim me më shumë se 10 persona në ambient të mbyllur.

FaxNews mëson se ky shtetas është Abdulla Deliallisi, kryetar i shoqatës “Durrësi Autokton” dhe ka qenë një takim i organizuar nga shoqata që ai drejton në sallën e pallatit të kulturës Aleksandër Moisiu të qytetit, ku ka marrë pjesë edhe presidenti Ilir Meta.

Qëllimi i takimit ka qenë dekorimi i Arkeologut Vangjel Toçi pas vdekjes me titullin Nderi i Kombit.Në sallë ka pasur shumë të pranishëm në kundërshtim me masat që parashikon protokolli për tu mbrojtur nga covidi.

Në këto kushte policia ka vendosur sanksionin me gjobë për kreun e shoqatës Deliallisi.

Njoftimi i plotë i policisë: Drejtoria Vendore e Policisë Durrës

 

Vijojnë kontrollet nga Policia e Durrësit, për monitorimin e zbatimit të masave anticovid, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

 

Strukturat e Policisë Durrës, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, vijojnë kontrollet për monitorimin e zbatimit të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

 

Si rezultat i kontrolleve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 5.000.000 lekë, shtetasin A. D. (përfaqësues i  një shoqate), pasi ka organizuar një aktivitet në kundërshtim me Aktin Normativ Nr. 3 datë 15.03.2020, pikën 2 të nenit 3, si dhe pikën 1 të Urdhrit nr. 633 datë 17.11.2020 “Për ndalimin e grumbullimeve në vende të mbyllura apo të hapura”.

 

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë me korrektësi masat anticovid dhe i fton ata të denoncojnë në Komisariatin Dixhital, cilindo që nuk respekton këto masa kufizuese, duke u kthyer në burim rreziku për qytetarët.