Organizata Shqiptarët e Bashkuar në Detroit, Michigan, SHBA: Mos e falsifikoni historinë...

Organizata Shqiptarët e Bashkuar në Detroit, Michigan, SHBA: Mos e falsifikoni historinë e pavarësisë së Kosovës !

505
0

Mos e falsifikoni historinë e pavarësisë së Kosovës ! Të gjithë e dimë se Kryetar i Republikës së Kosovës nën Serbinë agresore, pushtuese dhe gjenocidale (1990-1999), ishte Ibrahim Rugova.

 

Kjo ishte Republika e Parë e Kosovës, e shpallur në letër, të cilën nuk e njohu asnjë shtet në botë, përpos qeverisë shqiptare të kryeministrit Pandelo Majko, e cila ushtarakisht nuk e ndihmoi luftën e UÇK-së e as Kosovën nga zjarri dhe nga flaka e gjenocidit të Serbisë së Slobodan Milosheviqit (1989-1999). -Ndërkaq, kryetar historik i Republikës së Pavarur dhe Sovrane të Kosovës (17 shkurt 2008) është Prof.Dr. Fatmir Sejdiu. Këtë të vërtetë historiko-politike, juridike, diplomatike, kombëtare dhe ndërkombëtare nuk mund ta mohojë askush në botë. Për të hyrë në historinë e një kombi dhe të një shteti, nevojiten sakrifica të jashtëzakonshme dhe vepra të mëdha me përmbajtje historike në shërbim të kombit, të atdheut dhe të shtetit.

 

Ndërkaq me vota nuk mund të bëhesh figurë e as personalitet historik as i kombit, as i atdheut e as i shtetit, por vetëm me vepra konkrete, që përbëjnë vlera sublime kombëtare, atdhetare dhe shtetërore. Në këtë vështrim, shtrohet kjo pyetje për shkencën historike të Kosovës: – Kush është kryetari historik i Kosovës së pavarur, duke qenë se që nga viti 1990 deri në vitin 1999, Kosova ishte nën pushtimin kolonial dhe gjenocidal të Serbisë së Slobodan Milosheviqit, Ibrahim Rugova ishte kryetar i Republikës së Kosovës, sipas Kushtetutës së Kaçanikut (7.IX.1990). Gjatë kësaj periudhe 10-vjeçare, në thelb Kosova nuk ishte shtet i pavarur de fakto dhe de jure, sepse nuk e njohu asnjë shtet i bashkësisë ndërkombëtare. Mirëpo, kjo ishte Republika e Parë, e shapllur në bazë të vullnetit dhe të kërkesës së popullit me: 1) Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, me Kushtetutën e Kaçanikut të dates 7 shtator 1990 dhe me Referendumin gjithëpopullor të datëes 26-30 shtator 1991.

 

Ndërkaq, pas përfundimit të luftës, në kohë paqeje nën protektoratin ndërkombëtar të UNMIK-ut, pikërisht më 17 shkurt 2008, shpallet Republika e Dytë e Kosovës, të cilën de fakto dhe de jure e njohu Amerika me aleatët e saj evropianoperëndimorë, si dhe mbi 100 shtete të tjera të Kombeve të Bashkuara. Mirëpo, as në Preambulën e Kushtetutës së Republikës së Pavarur dhe Sovrane të Kosovës (15 qershor 2008), nuk përmendet historiku i Republikës së Parë të Ibrahim Rugovës (1990), kjo do të thotë se kemi një Republikë të Re të Dytë të pavarur (17 shkurt 2008), ku President i Parë Historik, de fakto, de jure dhe me Kushtetutë, zgjedhet Prof.Dr. Fatmir Sejdiu (pedagog i mirënjohur shumëvejçar i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, anëtar i LDK-së).

 

Kjo është e vërteta historike, politike, juridike dhe kushtetuese, se President i Parë Historik i Republikës së Dytë të Pavarur dhe Sovrane, është Fatmir Sejdiu, jo Rugova, ashtu siç thuhet dhe shkruhet gabimisht në doracakët e ndryshëm historikë të shkollave fillore, të mesme dhe të fakulteteve etj. Një falsifikim i tillë i së vërtetës historike të Republikës së pavarur dhe sovrane të Kosovës, instuticonet përkatëse të qeverisë së Kosovës, si dhe Akademia e shkencave, institutet shkencore përkatëse etj, do të duhej ta korrigjonin, mbase KRYETARI PARË HISTORIK i Republikës së pavarur dhe sovarne të Kosovës (17 shkurt 2008), është Prof.Dr. Fatmir Sejdiu, jo Ibrahim Rugova, i cili pati ndërruar jetë më 2006, dy vjet para se të pavarësohej Republika e Kosovës.