Të keni nevojë për ndihmë nuk do të thotë që jeni të dobët. Duke pranuar të vërtetën në jetë dhe duke dashur që të ecni përpara, tregoni forcë të madhe dhe sinqeritet. Ju keni nevojë që të vazhdoni jetën, të shëroheni dhe të kaloni te çastet e mira. Nëse mbështeteni te ndihma e engjëjve jeta juaj do të ndryshojë. Shkëputur nga libri MEDICAL MEDIUM sjellë në shqip nga Botimet Living
HISTORI E VËRTETË
Një mrekulli nga Engjëlli i Mëshirës
Një mbrëmje, Edita ishte vetëm në shtëpi duke u kujdesur për vajzën e saj katërvjeçare, Emën, e cila ishte me temperaturë 40.5 gradë. Ajo nxitoi për në urgjencë, por para se të vinin mjekët, Ema humbi ndjenjat. Ata e shtruan në sallën e reanimacionit, ku ra në gjendje kome.
Mjekët i thanë Editës se sipas analizave të gjakut, Ema kishte një formë të rrallë meningjiti. Ky ishte rasti më i keq që kishin parë prej shumë kohësh. Rezonanca tregoi se kishte ndodhur një dëmtim në tru dhe mjekët menduan se do të shkaktonte paralizë, në mos vdekjen e sigurt. Ata e paralajmëruan Editën se edhe nëse Ema dilte nga koma dhe shpëtonte, do të kishte nevojë për përkujdesje të vazhdueshme.
Edita i telefonoi së motrës, Valerisë, e cila ishte klientja ime. Valeria iu lut që të më telefononte me urgjencë. Shpirti më tha se ky ishte një rast për Engjëllin e Mëshirës, kështu që i shpjegova Editës se çfarë duhej të bënte.
Përgjatë një ore, ajo u ul përkrah Emës në shtratin e spitalit dhe filloi t’i lutej me zë të lartë Engjëllit të Mëshirës që të vinte dhe të shpëtonte vajzën e saj. Infermieret u përpoqën që ta qetësonin, por Edita nuk pushonte së luturi.
“Engjëll i Mëshirës, të lutem, më ndihmo! Të lutem, më ndihmo!”
Edhe kur hyri i shoqi i saj në dhomë, ajo nuk pushoi.
Rreth orës një të natës, Edita, e plandosur në shtratin e së bijës vazhdonte të thërriste engjëllin. Krejt papritur asaj iu shfaq një dritë. Edhe pse i mbuloi sytë me duar dhe e zhyti fytyrën në batanijen e Emës, sa nuk u verbua për pak çaste. Kjo është drita për të cilën po flasim. Edita vërshoi drejt dritares për të parë se nga erdhi drita, por nuk pa asgjë të pazakontë në parkimin poshtë spitalit. Megjithatë, në xham vuri re reflektimin e një siluete që qëndronte te koka e shtratit të Emës. Ajo u kthye vrik, por në vend të shihte infermieren që mendonte, pa një dritë të dytë jo aq të fortë sa e para. Pastaj, silueta u zhduk. Befas, Ema u kollit. Edita po thërriste si e çmendur infermieret e më pas, dërgoi të shoqin të thërriste patjetër dikë. Kur ai u kthye me infermieren, ngelën të shtangur kur panë Emën që kapsalliti sytë. Ajo kishte dalë nga koma. Dy ditë më pas, Ema doli nga spitali; ajo u shërua tërësisht dhe mjekët nuk e shpjegojnë dot edhe sot se si ndodhi. Kjo është fuqia e Engjëllit të Mëshirës.
Shënim fotot janë ilustruese