“Nuk mbahet më” Policia, nis kontrollet dhe në urbane, kap ”mat” 283...

“Nuk mbahet më” Policia, nis kontrollet dhe në urbane, kap ”mat” 283 qytetarë me shkelje (Asnjë masë për kompanitë e transportit)

121
0

Policia e Shtetit ka nisur kontrollet dhe në linjat e transportit publik, ku ka ndëshuar në 24 orë 283 qytetarë, shumica e të cilëve në Tiranë. Ndërkohë që pavarësisht ndëshkimit të qytetarëve apo drejtuesve dhe faturinove, Policia nuk ka marrë asnjë masë për kompanitë e transportit, të paktën nuk njofton asgjë zyrtarisht.

 

Njoftimi i plotë i Policisë:

 

Strukturat e Policisë së Shtetit vijojnë kontrollet intensive, në funksion të zbatimit të masave anticovid. Kontrollet intensive në të gjithë vendin janë përqendruar edhe në linjat urbane dhe interurbane të transportit publik.

 

Nisur nga rritja e numrit të të infektuarve me COVID-19, efektivët e Policisë Rrugorë në të gjithë vendin, në zbatim të masave kufizuese të parashikuara në Urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Nr. 616, datë 09.11.2021, kanë riorganizuar shërbime të posaçme për kontrollet në mjete, mbi përdorimin e barrierave mbrojtëse dhe kapacitetet e caktuara sipas protokolleve të miratuara nga organet përkatëse.

 

Duke vlerësuar transportin publik qytetas si një transport me risk të lartë infeksioni, efektivët kanë ushtruar kontrolle në linjat kryesore të transportit publik urban dhe interurban, së pari për ndërgjegjësimin e stafit të punonjësve që janë në këto mjete, mbi rëndësinë që ka zbatimi i masave mbrojtëse ata, si dhe për kapacitetin e pasagjerëve në mjet dhe përdorimin e barrierave mbrojtëse nga ana e tyre.

 

Gjatë kontrolleve, në orët e pikut të ngarkesës, kryesisht në kryeqytet janë konstatuar mangësi dhe neglizhencë në përdorimin e barrierave mbrojtëse, si nga drejtuesit, ashtu edhe nga pasagjerët. Krahas këshillimeve nuk kanë munguar masat ndëshkuese për pasagjerë apo drejtues mjetesh që nuk mbanin barrierën mbrojtëse në mjetet e transportit publik.

 

Përgjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, në linjat urbane dhe interurbane janë ndëshkuar me masë administrative me nga 3.000 lekë, 283 shtetas, nga të cilët 85 në Tiranë.  Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve dhe pasagjerët që të respektojnë me rigorozitet masat kufizuese anticovid.

 

 

 

loading...