“Nuk kemi njoftim për protestë, organizatorët do të përballen me ligjin”, policia...

“Nuk kemi njoftim për protestë, organizatorët do të përballen me ligjin”, policia reagon për mosbindjen civile

365
0

Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me protestën e paralajmëruar per neser nga opozita me ate qe eshte cilesuar si mosbindje civile dhe qe parashikon nder te tjera edhe bllokimin e disa rrugeve. Ne njoftimin e policise behet me dije se Policia e Shtetit nuk ka marr asnjë njoftim zyrtar dhe se nuk mund të lejojë protesta të askujt, që në emër të lirisë së tubimit, cenojnë lirinë e sigurinë e të tjerëve.

 

 Njoftimi i plotë:

 

DEKLARATË E POLICISË SË SHTETIT PËR PROTESTËN E SË ENJTES

 

Siç është bërë e njohur në media, disa parti opozitare kanë lajmëruar se në datën 5 prill, do të zhvillojnë një protestë, shoqëruar me bllokimin e disa akseve rrugore kombëtare. Policia e Shtetit nuk ka marrë njoftim ligjor për protestën dhe mbështetur në ligjin “Për tubimet”, nuk mund të lejojë protesta të askujt, që në emër të lirisë së tubimit, cenojnë lirinë e sigurinë e të tjerëve. Zhvillimi i protestës së paralajmëruar mediatikisht, për vetë natyrën e saj përbën një cënim të rëndë të ligjit, të rendit publik dhe lirisë e sigurisë së çdo qytetari, që ka të drejtën të përdorë hapësirat e pushtuara nga një protestë e tillë. Organizatorët e kësaj proteste të paligjshme do të përballen me ligjin për çdo pasojë të paparashikuar, që mund të sjellë një protestë e organizuar për të nxitur rrëmujë dhe konflikt në pika nevralgjike për qarkullimin e njerëzve dhe mjeteve. Policia e Shtetit njeh dhe respekton si të paprekshme të drejtën për të protestuar. Por ajo ka përgjegjësi ligjore, si dhe gatishmërinë për të mos lejuar cënimin e interesit të qytetarëve.

Policia e Shtetit u bën apel të gjithë qytetarëve të mos bien pre e një politike të angazhuar për të goditur ligjshmërinë dhe institucionet e vendit, duke dëmtuar interesat e njerëzve e të vetë vendit. Zhvillimi i një proteste të paligjshme mund të përdoret nga elementë me precedentë kriminalë dhe të nxitur a të paguar për të krijuar paqëndrueshmëri shoqërore. Policia i bën thirrje çdo qytetari të mos bëhet pjesë e kësaj proteste të paligjshme dhe me rrezik për rendin e sigurinë. Gjithashtu Policia e Shtetit i kërkon paraprakisht ndjesë çdo qytetari, për çdo rast kur nuk do te mund t’i shërbejë si duhet lirisë se qarkullimit.