Nju Jorku në emergjencë nga vërshimet, shikoni si mbushet stacioni hekurudhor me...

Nju Jorku në emergjencë nga vërshimet, shikoni si mbushet stacioni hekurudhor me ujë

275
0

Shërbimi Kombëtar i Motit ka paralajmëruar për vërshime në qytetin e Nju Jorkut, pasi stuhia Ida solli reshje të dendura, të cilat përmbytën dhe stacionet hekurudhore dhe rrugët në Manhattan, Brooklyn dhe New Jersey. Gazeta Washington Post raportoi se një person mbeti i vdekur në New Jersey.

Kryetari i Nju Jorkut, Bill de Blasio, e shpalli gjendjen emergjente pak pas mesnatës, duke thënë: “Jemi duke u përballur me një ngjarje historike të motit sonte me reshje rekorde në mbarë qytetin, vërshime të ashpra dhe kushte të rrezikshme në rrugët tona”.

Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale shihen stacione hekurudhore nëntokësore të vërshuara nga uji. Vërshimet kanë prekur edhe disa rrugë dhe shtëpi, shkruan BBC.

Shërbimi Kombëtar i Motit njoftoi se ka regjistruar 8 centimetra reshje për vetëm një orë në Parkun Qendror të Nju Jorkut.

Policia e qytetit u ka bërë thirrje banorëve që të mos dalin në rrugë, ndërsa departamenti i zjarrfikësve ka thënë se po u përgjigjet thirrjeve për ndihmë në pjesë të ndryshme të qytetit.