Njihet si ‘GRU’, vepron në fshehtësi prej një dekade në gjithë Evropën,...

Njihet si ‘GRU’, vepron në fshehtësi prej një dekade në gjithë Evropën, ka qëllim destabilitetin- Të dhënat nga zyrtarët Perëndimorë

1359
0

Zyrtarë perëndimorë të sigurisë kanë identifikuar një njësi ruse të inteligjencës, që ka tentuar të kryejë vrasje dhe operacione destabilizuese në shtete të huaja, ka raportuar e përditshmja The New York Times.

Gazeta ka raportuar se ndonëse zyrtarët kanë identifikuar këtë njësi në muajt e fundit, ata besojnë se ka vepruar në fshehtësi për të paktën një dekadë.

Njësia me shifër, 29155, ka bazën në Moskë dhe është pjesë e agjencisë ushtarake për inteligjencë të Ministrisë ruse të Mbrojtjes, e cila njihet si GRU.

Zyrtarët perëndimorë besojnë se kjo njësi është përgjegjësi për dy tentimet për helmimin e shitësit të armëve, Emilan Gebrev më 2015, për tentimet për puç më 2016 në Malin e Zi, që ka përfshirë edhe tentimet për vrasje të kryeministrit malazez, Millo Gjukanoviq, si dhe për tentimet për helmim të ish-agjentit rus, Sergei Skripal në Londër.

 

Ndonëse edhe më herët këto incidente u janë mveshur forcave ruse të sigurisë, zyrtarët perëndimorë tani besojnë se ato janë kryer nga një njësi e vetme e inteligjencës ushtarake ruse.

 

“Ekziston një njësi e GRU-së që ka qenë aktive për vite në gjithë Evropën”, ka thënë një zyrtar i paidentifikuar i sigurisë në Evropë për New York Times.

 

Duke folur para gazetarëve në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka hedhur poshtë këto raportime duke thënë se Moska nuk ka asnjë interes për të destabilizuar shtetet evropiane, ka raportuar agjencia ruse e lajmeve, TASS.

 

Më 2006, presidenti rus, Vladimir Putin, ish anëtar i KGB-së sovjetike, dhe dikur drejtues i Shërbimit Federal për Siguri (FSB), pati nënshkruar një ligj që autorizon agjencitë e sigurisë që të kryejnë vrasje të shënjestruara jashtë shtetit.

Në po atë vit, ish zyrtari i FSB-së, Aleksandr Litvinenko ishte vrarë në Londër.

 

Zyrtarët britanikë kanë lidhur këtë vrasje me FSB-në.

 

Disa zyrtarë evropianë të sigurisë i kanë thënë New York Times-it se ata janë të befasuar nga kualiteti i dobët i punës i njësisë, 29155.

 

Ata përmendin se Skripal dhe Gebrev u kanë mbijetuar tentim-vrasjeve kundër tyre si dhe puçi në Malin e Zi ka dështuar.

 

Në të trija rastet, hetuesit kanë gjetur të dhëna se komplotet lidhen me forcat ruse të sigurisë.

 

Burimi:REL