Aktualitet

Një oficer shqiptar diplomohet në Akademinë e Marinës Amerikane

By vizional

May 29, 2019

Akademia e Marinës Amerikane është ndër institucionet më prestigjoze që përgatit kuadro-elitë të ushtrisë amerikane. Mario Trupja, është studenti i dytë shqiptar që diplomohet nga kjo akademi dhe që do të shërbejë me forcat detare shqiptare në kuadër të një programi që mundëson aftësimin e një brezi të ri ushtarakësh në vendet antare të Natos.

 

Ceremonia e diplomimit në Akademinë e Marinës Amerikane është një eveniment jo si shumë të tjerë, në këtë sezon të përfundimit të studimeve për shumë studentë amerikanë dhe ndërkombëtarë.

 

 

 

Mario Trupja, nga Shqipëria, është ushtaraku i dytë i diplomuar në këtë shkollë prestigjioze. Ai ecën krenar mes 1052 studentëve që përfunduan studimet këtë vit në këtë akademi, pas një pune të mundimshme katër vjeçare.

 

“Ka qenë e vështirë. Ka patur etapat e veta. Shoku i parë kulturor, ushqimi, shoqëria, gjuha, duhet të mësoheshe në fillim me mënyrën e jetesës. Plus që akademia kishte traditat e veta që duhet të mësohesha, trajtimi, orari shumë i ngjeshur…. Normalisht tani është një moment shumë i veçantë, është momenti kulminant i gjithë asaj pune”- thotë Mario.

 

 

 

Shkollimi në Akademinë e Marinës Amerikane ndërthur një stërvitje të fortë fizike dhe punë akademike rigoroze në një degë si ajo e inxhinierisë dhe arkitekturës detare ku u diplomua, Mario.

 

“Me stërvitjen mësohesh, sepse vetë ambjenti të kalit. Por pjesa akademike gjithmonë të ofron një sfidë më shumë. Dega ime ishte arkitekturë dhe inxhinieri navale, që ka të bëjë me dizenjimin e anijeve, mjeteve lundruese dhe paçka që më pëlqen shumë ajo që bëja, prapë është e vështirë, kështu që ajo besoj ka qënë sfida më e madhe”, thotë Mario.

 

Megjithëse vetëm më pak se një përqind e studentëve që pranohen në këtë akademi janë ndërkombëtarë, Mario thotë se nuk është ndjerë asnjëherë i huaj dhe ka krijuar këtu shoqëri të çmuara.

“Në momentin që vjen ditën e parë, … të gjithë marrin të njëjtën prerje flokësh – zero, kështu që të gjithë bëhen bashkë – një – dhe nuk ka dallime dhe ajo është pjesa më e veçantë besoj, që të kesh aq shumë shoqëri të mirë… Shoqëria është një nga gjërat më të bukura që kam marrë nga ky vend” – thotë Mario.

 

Shqipëria po jep kontributin e saj modest në forcat e Natos dhe diplomimi i studentëve si Mario në akademitë ushtarake amerikane do të luajë një rol të rëndësishëm në transformimin dhe zhvillimin e forcave të armatosura shqiptare drejt standarteve të Natos, veçanërisht në operacionet paqeruajtëse.

 

“Ky është një investim i madh për Shqipërinë, që dërgon një student të ri qysh në moshë të re për t’u kthyer pas katër vjetësh dhe për të shërbyer në forcat e armatosura. Ne shpresojmë që të ketë një të ardhme në forcat e armatosura për Marion dhe ndërsa përparon jo vetëm në ushtri ose në qeverinë shqiptare, ai e di se ka miq këtu në Shtetet e Bashkuara”, – thotë Tim Disher drejtor i programit ndërkombëtar në Akademinë e Marinës.

 

Dhe Mario është gati të kthehet në vendin e tij për të zbatuar njohuritë e marra këtu, në flotën detare shqiptare dhe të kontribuojë aty për të paktën një periudhë gjashtë vjeçare.

“Jam shumë i lumtur që do të kthehem sepse ky vend, kjo akademi na ka mësuar që të kemi një sens detyre, detyre që jo vetëm të marrim nga vendi që jetojmë, por edhe të japim. Të japim atë që dimë, atë që njohim. Edhe unë prandaj dua të kontribuoj, paçka duket si diçka idealiste kur e thua në fillim, si çdo i ri me entuziazëm që do të shkojë, të kthehet, të japë kontributin e vet dhe si gjithmonë situatat nuk janë gjithmonë perfekte, kushtet nuk janë gjithmonë ideale, por optimizmi duhet të jetë gjithmonë atje. Përsa kohë të ketë optimizëm përsa kohë të ketë dëshirë, sakrifica do të jetë patjetër. E kupton kur vjen këtej, pa sakrificë, pa punë nuk arrihet asgjë” – thotë Mario.

 

Prindërit e Marios dhe motra e tij kanë ardhur për herë të parë në Shtetet e Bashkuara, për të marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit të tij.

“Gëzimi shprehet edhe me lot! Në çdo vend ku kam shkelur më kanë thënë fjalët më të mira dhe çdo prind do të ndjehej krenar. Është e pamundur të mos reflektosh me emocione sido që të jetë”, thotë Raimonda, e ëma.

 

Kur shikon tërë këtë kontigjent shtetasish amerikanë, që studiojnë në këtë akademi dhe kokra të veçanta si puna e Marios sigurisht që ke një ndjesi të veçantë, aq më tepër që është një degë, duke krahasuar flotën me degët e tjera të ushtrisë, ka specifikat e veta dhe sigurisht që një student i diplomuar këtu ngjan si një lule në mesin e asaj Shqipërie të vogël ose të asaj flote që ne kemi atje.

 

Brezi i këtyre studentëve të diplomuar këtë vit nga kjo akademi prestigjoze, që do të shërbejnë në postet ushtarake amerikane në të gjithë botën, ishte ndër brezat me rezultate më të mira që ka shënuar kjo akademi në historinë e saj disa qindra vjeçare. Hedhja e kapeleve është vetëm fillimi i një rrugëtimi të gjatë për këta oficerë ushtarakë, që do të jenë në gadishmëri kundër çdo agresioni, duke mundësuar paqen në botë. /VOA/