Jo të gjithë inxhinierët, projektuesit, arkitektët apo ndërtuesit kanë abuzuar me ndërtimet në qytetin e Durrësit.
Inxhinier Feim Alliu, sipërmarrës në tregtinë e materialeve të ndërtimit, publicist, përkthyes, ish-kryetar i Federatës Shqiptare të Notit, ka postuar këtë status në FB, në mesnatën në 1-2 dhjetorit 2019:
“Rezidenca ALB – GOLEM ndodhet në një zonë të bregdetit ndërmjet Durrësit dhe Kavajës, një zonë e shkundur nga tërmeti gjatë këtyre ditëve.
Në fotot janë pallatet 8-katesh sot, pas tërmetit të 26 nëntorit, që shumë halle i solli popullit të këtyre zonave.
Këto pallate nuk janë prekur nga tërmeti, ato i rezistuan mrekullisht dhe njerëzia bën e qetë jetën e përditshme.
Oh, çfarë kënaqësie kur shikon njerëzit të pashqetësuar në barin që i mbledh çdo mëngjes, megjithëse tërmeti nuk ndalon, herë pas here shkakton lëkundje, lëkundje pas atij tërmeti që la shumë pasoja në zona të ndryshme në hapësirën Durrës, Krujë, Tiranë, Kavajë.
Ata janë të sigurt, pasi ndërtesat në këtë rezidencë, janë të projektuara dhe realizuara konform standardeve.
Dhe falënderojnë projektuesit Agim Koçi, Luigj Aleksi, Elvira Kuri, Ermira Godo, Lavdie Birbo e Nina Shehu për punën e shkëlqyer në projektim si dhe ndërtuesin Ilir Gjuzi”, shkruan Inxhinieri.