Aktualitet

Një festë surprizë në 80 vjetorin e lindjes. Ishte kjo dhurata që ju rezervua mjeshtrit të madh të humorit Gëzim Kruja.

By vizionc

December 16, 2019

 

Familja dhe miqtë me të cilët ndau shume vite në skenë, në dhjetëra role e bashkëpunime menduan t’ia bëjnë më të veçantë këtë ditë, aktorit që për vite me radhë i bëri shqiptarët të qeshin, edhe në ditë të vështira.

 

Gëzim Kruja që në këto ditë ka patur probleme me zërin, zgjedh falënderimin t’ia bëjë përmes këtyre vargjeve të gjithë bashkëpunëtorëve të 60 vite karriere.

 

“Faleminderit miqve aktorë që kam luajtur 60 vjet në skenë. Ju uroj 80 vjetorin tim, u bëfshim 100 vjeç. Këtë urim e keni nga Gëzim Kruja”, janë këto vargje që Gëzim Kruja ja dedikon të gjithëve që ju bashkuan këtij urimi për ditën e lindjes.

 

Ndërsa përkrah tij mjeshtri Zef Deda për të kapërcyer momentet delikate, nuk kursen as humorin, duke marrë rolin e Gëzim Krujës në përgjigjet për median.

 

Zef Deda: “Më kanë përcaktuar mua të përgjigjem. Faleminderit, i uroj mirëseardhjen të gjithëve dhe paçim faqen e bardhë. Faleminderit shumë.”

 

I lindur në vitin 1939 në qytetin e Shkodrës, karrierën humoristike Gëzim Kruja do ta niste që në moshën 13 vjeçare.

 

Në vitin 2004, Gëzim Kruja do të nderohej me titullin “Krenaria e Qytetit” Shkodër, ndërsa sot mban edhe  titullin “Mjeshtër i Madh”.