Lajme

Një erë e re gjeopolitike globale pas takimit Joe Biden me Xi Jinping

By vizional

November 22, 2023

Nga Artur Nura

 

Presidenti amerikan Joe Biden pritësi, dhe presidenti kinez i ftuari, u takuan në margjinat e APEC (Bashkëpunimi Ekonomik Aziatik-Paqësor), i mbajtur në San Francisko, USA, në një vend i cili u mbajt i fshehtë deri në minutën e fundit. Më pas, u bë me dije se ishte një rezidencë e mrekullueshme e stilit viktorian, Filoli, 40 km distancë nga San Francisko, zona më përmbledhëse e kompanive më të mëdha amerikane të teknologjisë që bëjnë kaq shumë marrëveshje me Kinën.

 

Mediat ndërkombëtare pas përfundimit të takimit thanë se, diferencat mbeten dhe se kjo është e pashmangshme, porse komunikimi është ringjallur midis dy fuqive botërore, të cilat kishin në mes tyre, historinë e balonave, Tajvanin, luftën ekonomiko-tregtare dhe teknologjike, Iranin, Korridorin Indi-Lindje e Mesme-Izrael-Evropë dhe sigurisht nismën gjigante të Kinës “Një Brez Një Rrugë”.

 

Në tavolinën e diskutimit shumë gjëra të mbetura pa u thënë, por suksesi më i madh: marrëveshja për klimën. Shtetet e Bashkuara dhe Kina, emetuesit më të mëdhenj në botë, kanë nisur bashkëpunimin për gazin, burimi më i përdorur në Kinë për të zëvendësuar qymyrin. Por mbi të gjitha, ata marrin përsipër reciprokisht të trefishojnë prodhimin nga energjia e rinovueshme deri në vitin 2030.

 

Por për më shumë e mbi të gjitha, u rivendos gjithashtu komunikimi ushtarak midis autoriteteve amerikane dhe kineze. Telefoni si mjeti magjik i komunikimit diplomatik do të filloi të bjerë sërish për të parandaluar që aksidentet ushtarake të çojnë në tensione gjithnjë e më intensive.

 

Linja telefonike, siç quhet nga ekspertët, është rikonstituar. Pa këtë linjë komunikimi bota do ishte shumë e rrezikshme. Dy fuqitë ekonomike dhe ushtarake të planetit janë kuptuar midis tyre se nuk mund të mos komunikojnë, koordinojnë dhe bashkëpunojnë.

 

Tajvani çështja e nxehtë midis Kinës dhe SHBA-ve

 

Komunikimi me SHBA-të u ndërpre nga Pekini pas vizitës së Nancy Pelosit në ishullin e Tajvanit në verën e vitit 2022. Dhe këtu, kemi mbërritur në pikën më nevralgjike, atë tajvaneze. Çfarë duhet bërë? Sidomos në funksion të zgjedhjeve që do të mbahen në ishull në fillim të janarit.

 

Biden shpejt konfirmoi se qasja amerikane do të ndjekë “politikën e një Kine”, me pak fjalë, formalisht sipas SHBA-ve Tajvani formalisht mbetet kinez. Nga ana tjetër duket se presidenti Xi synon ta mbajë Tajvanin pa nevojën e mjeteve ushtarake, por përmes levave politike. Një qasje më e butë, e demonstruar nga marrëveshja e fundit që kanë arritur tani dy partitë opozitare tajvaneze, më të prirura drejt një afrimi me Pekinin zyrtar.

 

Sipas Mediave, ata do të paraqesin një kandidat të përbashkët në zgjedhjet e janarit. Ata do të bashkohen për të mposhtur partinë aktualisht në qeveri, PPE, e cila ka vënë gjithmonë në plan të parë pavarësinë e ishullit.

 

Dy vende, dy botë të ndryshme duhet të bashkëjetojnë

 

“Planeti Tokë është mjaft i madh që Kina dhe Shtetet e Bashkuara të kenë sukses,” i tha Xi Jinping Joe Biden. Presidenti kinez theksoi rëndësinë që Kina dhe Shtetet e Bashkuara të respektojnë njëra-tjetrën. Të dy nuk duhet, në fakt, të pretendojnë të “riformojnë” njëri-tjetrin, vazhdoi Xi Jinping.

 

Pas këtyre fjalëve është ndoshta loja më e rëndësishme dhe më delikate që po luhet. Përdorimi i foljes “riformoj” është veçanërisht efektiv për të bërë të qartë perceptimin që ka Kina për Shtetet e Bashkuara.

 

Multipolarizmi i të cilit Pekini është avokat këmbëngulës nxit pikërisht këtë dëshirë për të mos u formësuar nga ShBA-ja. Megjithatë, Xi Jinping nuk ka munguar të nënvizojë se marrëdhënia mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara është “marrëdhëniet dypalëshe nga më të rëndësishmet në botë”. Dhe se asnjëri prej tyre nuk është i interesuar të përjashtojë tjetrin.

 

Ndërsa nga ana e tij, presidenti amerikan tha se vlerëson fjalët pajtuese të Xi Jinping, duke shtuar se, për më tepër ka sfida globale që meritojnë të trajtohen së bashku. Gjasat të çojnë në konkluzione të mundshme se tashmë kemi të bëjmë me një zhvillim të ri gjeopolitik që na tregon se palët po bien dakord se bota duhet bashkëdrejtuar në mënyrë më konstruktive.

 

Zonat e konflikteve ushtarake pas takimit Xi me Biden

 

Parimisht zonat e influencave gjeopolitike të palëve nëse koordinohen vetë palët (kryesisht SHBA – KINE) arrijnë që të jenë në gjendje për të kontribuar në frenimin e konflikteve të përgjakshme në vijim dhe forcimin e dialogut midis kundërshtarëve, kështu për ti ofruar njerëzimit një botë më të mirë dhe më paqësore.

 

Një marrëveshje e tillë midis dy fuqive botërore influencon drejtëpërsëdrejti ose tangencialisht në zonat e konflikteve ushtarake dhe lajmet e mira të ngjashme duket se nuk mungojnë.

 

Udhëheqësit e vendeve të BRICS-it u mblodhën për një samit të jashtëzakonshëm virtual mbi çështjen palestinezo-izraelite. Duke folur në samit, presidenti kinez Xi Jinping bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm si hapi i parë për realizimin e paqes dhe sigurisë së qëndrueshme.

 

Në fakt, konflikti Izraelito – palestinez duket se nuk ka gjasa të implikojë vende të tjera rreth e rrotull, sic mendohej pak më përpara, por për më tepër tashmë do të kemi ndoshta një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Katari mes Izraelit dhe Hamasit që parashikon lirimin e pengjeve dhe, një pauzë disaditore e luftimeve qe është në “fazat e saj përfundimtare” dhe “më pranë se kurrë”.

 

Lajmi është konfirmuar nga burime të paidentifikuara për mediat amerikane. Izraeli nuk ka bërë ende komente mbi këtë çështje, por Kryeministri Netanjahu tha se “në dritën e këtyre zhvillime, do të mblidhte kabinetin e luftës”.

 

Burimet mediatike thonë se marrëveshja do të mundësonte lirimin e rreth 50 pengjeve civile që mbahen nga Hamasi kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe lirimin e grave dhe fëmijëve palestinezë nga institucionet e paraburgimit izraelite, numri i të cilëve nuk është bërë i ditur.

 

Më herët të martën shefi i Hamasit tha se grupi militant palestinez ishte pranë një marrëveshjeje armëpushimi me Izraelin. Përgjithësisht Izraeli i ka shmangur komentet mbi statusin e bisedimeve të udhëhequra nga Katari, por Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ka thënë se po bëhet përparim në lirimin e pengjeve…

 

Konflikti në Ukrainë dhe takimi Xi – Biden

 

Takimi në San Francisko midis presidentit amerikan Joe Biden dhe homologut të tij kinez Xi Jinping është “i rëndësishëm” për të gjithë botën – raportoi Kremlini në funksion të takimit ballë për ballë mes dy liderëve në margjinat e samitit APEC, Bashkëpunimi Ekonomik Azi-Paqësor, në qytetin amerikan.

 

“Këto dy vende po ndërtojnë marrëdhënie dypalëshe, është e drejta e tyre. Çdo takim i këtij lloji që përfshin dy ekonomitë më të mëdha në botë është i rëndësishëm për të gjithë”, nënvizoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, pak orë para takimit Xi ballë për ballë Biden.

 

Ndërsa qarqet politike në Moskë dhe Kiev flasin për qëndrime të ashpërsimit të konfliktit, sipas të dhënave publike të ANSA-s, Agjencia Shtetërore e Lajmeve në Itali, numri i qytetarëve rusë në favor të një përfundimi të negociuar të konfliktit në Ukrainë po rritet në Rusi, duke arritur në 55% në tetor krahasuar me 51% në shtator.

 

I dërguari i posaçëm i qeverisë kineze për çështjet euroaziatike Li Hui mbetet një nga praktikat serioze ndërkombëtare që tregon qëndrimin e Kinës për zgjidhjen politike të krizës në Ukrainë. Kina tashmë mund të forcojë shkëmbimet dhe dialogun me të gjitha palët, përfshirë Rusinë, për të bërë përpjekje konkrete për zgjidhjen politike të krizës ushtarake ne Ukrainë.

 

Ndoshta nevojitet pak më vonë një telefonate Xi – Biden dhe gjërat të shkojnë drejt paqes edhe në Ukrainë? Koha do ta vërtetojë…/CRI.CN