Tërmeti i mbrëmjes së 24 janarit në Turqi me magnitudë 6.8 të shkallës Rihter, përveçse u mori jetën të paktën 22 personave, plagosi mbi 1000 persona, la shumë të tjerë pa shtëpi, nën qiell të hapur.
Banorët e Turqisë lindore, ku epiqendra ishte qyteti Elazig, e kaluan natën jashtë ndërsa temperaturat shënonin nën zero. Të frikësuar nga tërmeti dhe tre pasgoditjet që e pasuan, disa u strehuan në palestra sporti, salla konferencash e disa ndenjën në qiell të hapur.
Panorama e mëngjesit të sotëm është e trishtë. Ndërtesa të shembura, të shndërruara në gërmadha ndërkohë që forcat e kërkim-shpëtimit vazhdojnë gërmimin nën rënoja me shpresën për të gjetur sa më shumë të mbijetuar dhe termometri shënon -7 gradë Celsisus.