Lajme

Një artist i vërtetë s’dorëzohet kurrë, si ia doli Saimir Pirgu të elektrizonte publikun pas incidentit në skenë

By vizionc

December 24, 2019

 

Asnjëherë s’e dimë çfarë heqin artistët për të sjellë në skenë një vepër operistike apo teatrale. Gjërat duken kaq të bukura kur i shohim sa ndonjëherë na duket punë e thjeshtë të aktrosh, të këndosh apo të hiqesh sikur je mirë gjatë rolit. Dje isha në shfaqjen premierë të “La Boheme” në Operën e Vjenës ku personazhi kryesor ishte Saimir Pirgu dhe ndodhi diçka e komplet e papritur.

 

Duket sikur Saimiri jeton në Vjenë sepse ka shfaqje të shpeshta këtu. Por në fakt kjo është hera e dytë që vjen për sivjet pasi ka bredhur gjithë globin nga Los Angelos, Australi dhe Kinë. Salla ishte e mbushur superplot me sy kureshtarë që prisnin çfarë do të ndodhte. Biletat ishin shitur që në gjysmën e këtij viti kur janë publikuar datat. “La Boheme” flet për historinë e dashurisë së Rodolfos që e luante Pirgu dhe Mimit nga Irina Lungu.

 

Të dy ishin komshinj e filluan të ndjejnë për njëri-tjetrin pasi Mimi shkoi në shtëpinë e Rodolfos për t’i kërkuar një qiri. Gjatë çdo momenti të shfaqjes Saimiri ishte në skenë pa pushim, përveç rasteve kur ndërrohej skenografia e duhej të ndërrohej. Gjatë gjithë kohës mendoja: si mund të mbajë mend njeriu aq shumë fjalë përmendësh? Përveç kësaj të lëvizë lart e poshtë e të këndojë në të njëjtën kohë? Nuk e di, por artistët meritojnë respektin tonë maksimal për punën e veçantë e tepër të lodhshme që bëjnë.

 

Gjatë historisë së dashurisë Mimi sëmuret dhe po rënkonte në krevat. Ndërkohë Rudolfo i shkretë i shprehte dashurinë duke i thënë fjalët që çdo femër do të donte të dëgjonte. Në momentin më kulminant të shfaqjes ndodhi diçka e papritur. Saimiri tek ecte me vrull drejt koleges së tij për ta përqafuar sipas rolit, i rrëshqet këmba në dysheme. Unë e pashë një lëvizje ndryshe, por s’e vura re fare me detaje. Mendova që ishte rënie dramatike e shkruar në skenar. Pashë se si Irina u çua nga krevati e u afrua pranë tij për ta mbajtur, sepse ajo e kuptoi që kolegu u vra. Asnjë nga ne s’e kapi që Saimiri ndrydhi këmbën ndërkohë që po këndonte e nuk iu drodh zëri në asnjë moment.

 

 

 

Shfaqja vazhdoi edhe për të paktën 15 minuta. Ai nuk dukej aspak që kishte dhimbje, e aktronte si normalisht. Pas shfaqjes doli dhe drejtori i “Staatsoper” për t’i dhënë një çmim të veçantë dirigjentit. U shtuan dhe 10 minuta të tjera. Protagonistët e shfaqjes u rreshtuan para skenës duke dëgjuar fjalimet e lëvdatat që i bëheshin atij, përfshirë këtu Saimir Pirgun i cili nuk e jepte veten për atë që kishte ndodhur./Marrë nga “Dritare.net”