Niveli i lartë i kolesterolit në gjak dhe tensioni, shkaku numër NJË...

Niveli i lartë i kolesterolit në gjak dhe tensioni, shkaku numër NJË i problemeve të shëndetit mendor; Ja lidhja e zemrës me trurin

415
0

Në vitin 1901, një grua e quajtur Auguste u dërgua nga i shoqi në një azil të çmendurish në Frankfurt, Gjermani. Ajo përshkruhej si një grua jorealiste, harraqe dhe e çorientuar e cila “nuk mund të kryente detyrat e saj bashkëshortore.” Ajo u ndoq nga doktor Alzhajmeri dhe u bë subjekti i rastit që e bëri Alzhajmerin një emër kaq të famshëm.

 

Në autopsinë e saj, Alzhajmeri përshkroi pllakat dhe nyjat në tru, të cilat do të ndihmonin në përcaktimin e karakteristikave të sëmundjes. Por, i çoroditur nga emocionet e zbulimit të një sëmundjeje të re, ai mund të ketë anashkaluar diçka. Ai shkroi: “Enët e mëdha cerebrale kanë pësuar ndryshime arteriosklerotike.” Ai po përshkruante ngurtësimin e arterieve brenda trurit të pacientes së tij.

 

Në përgjithësi, ne e mendojmë arteriosklerozën si një çrregullim të zemrës, por ajo përshkruhet si “një patologji gjithëpërfshirëse e trupit të njeriut.” Ne kemi enë gjaku në çdo organ të trupit, duke përfshirë edhe trurin. Koncepti i “demencës kardiogjenike”, që u propozua fillimisht në vitet 1970, tregonte se për shkak se truri i plakur është më i ndjeshëm ndaj mungesës së oksigjenit, mungesa e qarkullimit normal të gjakut mund të zvogëlojë aftësinë konjitive. Sot, kemi prova të mjaftueshme që tregojnë për lidhjen e ngushtë të arterieve arteriosklerotike me sëmundjen e alzhajmerit.

 

Autopsi të ndryshme kanë treguar vazhdimisht se pacientët e sëmurë me alzhajmer kanë më shumë pllaka arteriosklerotike dhe ngushtim të arterieve në tru.

 

Zakonisht, sasia e gjakut që qarkullon në tru është 946 mililitra në minutë. Në moshën e pjekurisë, njerëzit fillojnë të humbasin gjysmë për qind të qarkullimit të gjakut në vit. Në moshën gjashtëdhjetepesëvjeçare, ky kapacitet qarkullues mund të ketë zbritur në 20 për qind. Ndonëse vetëm një rënie e tillë mund të mos jetë e mjaftueshme për të përkeqësuar funksionin e trurit, ajo mund të mjaftojë për t’ju vënë në rrezik. Bllokimi i arterieve dhe çuarja në tru e pllakave të mbushura me kolesterol mund të reduktojnë në mënyrë drastike sasinë e gjakut dhe për pasojë edhe sasinë e oksigjenit, me të cilën furnizohet truri. Duke mbështetur këtë teori, autopsitë kanë treguar se pacientët me alzhajmer kishin bllokim të konsiderueshëm arterial në arteriet që çonin gjak te qendrat e kujtesës në tru. Në vazhdën e këtyre zbulimeve, disa ekspertë kanë sugjeruar se alzhajmeri duhet të klasifikohet si një çrregullim vaskular.

 

 

 

Megjithatë, informacionet që mund të merren nga studimet e autopsive janë të kufizuara. Për shembull, ka më shumë gjasa që demenca ta ketë shtyrë një person drejt një diete të varfër, sesa e kundërta. Për të vlerësuar më tej rolin e arterieve të bllokuara të trurit në zhvillimin e sëmundjes së alzhajmerit, studiuesit vëzhguan rreth katërqind njerëz që ishin në fazat e para të humbjes së aftësisë mendore, që njihet ndryshe si dëmtim i lehtë i aftësisë konjitive. Për të vlerësuar sasinë e bllokimit arterial në trurin e çdo pacienti u përdorën skanera të veçantë. Studiuesit panë se aftësia konjitive dhe funksionet ditore te personat me arterie më pak të bllokuara në tru qëndruan stabël përgjatë gjithë studimit katërvjeçar. Ndërkohë, personat me më shumë bllokime arteriale kishin humbur një pjesë të konsiderueshme të funksionit të trurit, dhe ata me rastet më të këqija të formimit të pllakave degraduan me shpejtësi, duke dyfishuar mundësinë e progresit dhe të përkeqësimit të sëmundjes së alzhajmerit. Studiuesit dolën në përfundimin se: “Një insuficiencë e furnizimit të trurit me gjak shkakton pasoja të rënda në funksionimin e tij.”

 

Një studim i rreth treqind pacientëve me alzhajmer zbuloi se trajtimi i faktorëve të rrezikut vaskular, si kolesteroli i lartë dhe tensioni, mund të zvogëlojnë përparimin e sëmundjes, por nuk e ndalin atë. Ja përse parandalimi i sëmundjes është çelësi i gjithçkaje. Kolesteroli nuk ndihmon vetëm në gjenerimin e pllakave arteriosklerotike brenda arterieve të trurit, por edhe në formimin e pllakave amiloide që ngacmojnë indet e trurit te viktimat e alzhajmerit. Kolesteroli është një element jetësor i qelizave, prandaj trupi bën gjithçka që i nevojitet. Duke konsumuar më shumë kolesterol nga sa është e nevojshme, veçanërisht nga yndyrat e ngopura dhe të pangopura, mund të rrisni nivelin e kolesterolit në gjak. Kolesteroli i lartë nuk konsiderohet vetëm si rreziku kryesor i sëmundjeve të zemrës, por edhe i sëmundjes së alzhajmerit. Autopsitë kanë treguar se truri i sëmurë me alzhajmer ka më shumë grumbullime kolesteroli, sesa truri normal. Ne mendonim se masa e kolesterolit të grumbulluar në tru ishte e ndarë nga kolesteroli që qarkullon në gjak, por ka të dhëna të reja që vërtetojnë të kundërtën. Një tepri kolesteroli në gjak mund të çojë në tepri kolesteroli në tru, çka mund të ndihmojë në formimin e pllakave amiloide që janë vënë re në trurin e prekur nga alzhajmeri. Me një mikroskop elektronik, mund të shohim grupimin e fibrave amiloide përreth kristaleve të imëta të kolesterolit. Në fakt, teknikat e avancuara të imazhit të trurit, siç janë skanerat PET, tregojnë një ndërveprim të drejtpërdrejtë midis sasisë së LDL-së, kolesterolit të keq në gjak dhe formimit të amiloideve në tru. Kompanitë farmaceutike shpresonin të përfitonin nga kjo lidhje që të shisnin statinën, e cila ul kolesterolin, për të parandaluar alzhajmerin, por statinat mund të shkaktojnë dëmtime të aftësisë konjitive, duke përfshirë humbjen e kujtesës afatshkurtër dhe afatgjatë. Për njerëzit që nuk duan të ndryshojnë dietën, përfitimet nga statinat e tejkalojnë rrezikun, por është më mirë që nivelet e kolesterolit të ulen natyrshëm, duke ngrënë shëndetshëm, në mënyrë që të mbroni zemrën, trurin dhe mendjen.