Aktualitet

Nis samiti i Brdo-Brijunit në Tiranë

By vizional

May 09, 2019

Krerët e Shteteve të vendeve të Ballkanit janë sot në Tiranë, në kuadër të procesit të Brdo-Brijunit, nismë e ndërmarrë që prej vitit 2013 nga Kroacia dhe Slovenia, për të nxitur afrimin e rajonit me Bashkimin Europian.

 

Presidentja e Kroacisë Kolinda Grabar-Kitarovic dhe Presidenti Borut Pahor, së bashku me presidentin shqiptar Ilir Meta janë mikëpritesit e takimit.

 

Përveç drejtuesve të vendeve të Ballkanit, në Tiranë ka mbërritur dhe Përfaqësuesja e Larta e Bashkimit evropian, Federica Mogherini si dhe presidenti polak, Andrzej Duda.

 

Pritet që udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor të miratojnë një deklaratë të përbashkët drejtuar Komisionit Europian, duke kërkuar që anëtarësimi i rajonit të mbetet në rendin e ditës së BE-së, pasi perspektiva europiane e tij konsiderohet e rëndësishme jo vetëm për stabilitetin e rajonit por dhe të vetë Bashkimit europian.