Aktualitet

Nis rindërtimi i shtëpisë së adoptuar nga Rita Ora në fshatin Pinar

By vizionc

December 01, 2019

Familja Sala është një nga familjet e shumta, të cilat u prekën rëndë nga lëkundjet e forta të tërmetit të 26 nëntorit në fshatin Pinar të Tiranës. Gjashtë pjesëtarët e familjes u vizituan nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili u dha lajmin e mirë të rindërtimit të shtëpisë së dëmtuar nga tërmeti falë kontributit personal të këngëtares me famë botërore, me origjinë shqiptare, Rita Ora. Ajo iu përgjigj në kohë rekord thirrjes së Bashkisë së Tiranës për të ndihmuar një familje me ndërtimin e shtëpisë së re brenda Vitit të Ri.

“Rita më tha se ndoshta nuk i ndihmoj dot të gjithë, por një shtëpi do ta bëj. Je e sigurt? – i thashë? Po, – tha – patjetër, do ta bëjmë një shtëpi sepse duke dhënë shembullin personal frymëzon edhe të tjerët, që secili të ndërtojë një shtëpi. E kemi një shtëpi, – i thashë, – në fshatin Pinar, e cila realisht është një shtëpi e këputur. Ajo e pa dhe në darkë më tha: Atë shtëpi do bëj! Ndaj, kemi kontraktuar firmën dhe do fillojmë që sot me prishjen. Rita kishte merak se donte që shtëpia të bëhej gati për Vitin e Ri, ndaj që të bëhet gati më kohë, duhet ta prishim që sot këtë të vjetrën, çfarë ka ngelur prej saj, dhe të nisim punën për shtëpinë e re”, tha Veliaj.

Ai i bëri thirrje edhe të gjithë komunitetit të biznesit dhe personazheve të njohur të jetës publike të cilët kanë mundësi financiare, që të ndihmojnë në kapërcimin e kësaj situate në kohë rekord. “Ne themi: “Shteti, Shteti”, por shteti nuk i bën dot të gjitha. E tha edhe kryeministri, do bëjmë maksimumin, por të gjithë duhet të japim një dorë, edhe bizneset, edhe këngëtarët, edhe njerëzit që i kanë mundësitë. M’u bë zemra mal, kur Rita më tha se do e marr unë këtë shtëpinë”, deklaroi Veliaj.

E zonja e shtëpisë falenderoi kryebashkiakun Veliaj dhe këngëtaren Rita Ora, e cila u sensibilizua dhe vendosi që të sponsorizojë rindërtimin e shtëpisë së shkatërruar nga tërmeti.