Nis puna për konservimin e monumentit më të rëndësishëm të Kujtesës, Burgut...

Nis puna për konservimin e monumentit më të rëndësishëm të Kujtesës, Burgut të Spaçit

438
0

 Filloi puna për konservimin e Monumentit më të rëndësishëm të Kujtesës: Burgut të Spaçit, projekt i hartuar nga CHwB-Albania me financim të qeverisë suedeze.Ky projekt parashikon ndërhyrje të përgjithshme në konsolidim, pastrim, sistemim dhe hulumti.

Kjo punë do të bëhet në të gjithë territorin e rrënojave të kompleksit, për gjithë pjesën e godinave që janë shkatërruar pjesërisht dhe të një pjese të mirë të materialeve që ndodhen në vend.

Të pranishëm në inspektimin e zonës dhe nisjen e punimeve ishin Ministrja e Kulturës,  Mirela Kumbaro Furxhi, zv. Ambasadori i OSBE-së, Robert Wilton, Drejtoresha e Përgjithshme e CHwB-së Lejla Hadzic, Drejtoresha e Institutit të Monumenteve të Kulturës  Arta Dollani, Kryetari i Bashkisë Mirditë, Ndrec Deda dhe anëtari i Bordit drejtues nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Gëzim Peshkëpia.

Në këtë takim,  Kumbaro u shpreh se për 25 vite nuk ka pasur asnjë plan mbrojtës për këtë godinë, e cila ishte lënë në harresë. Gjithashtu theksoi se realizimi i kësaj ndërhyrjeje është mjaft i rëndësishëm për të ndaluar degradimin e sitit dhe për të shpëtuar ndërtesat. Kjo është faza parë e projektit.

Faza e dytë, ajo e muzealizimit, do të jetë një projekt kompleks, i cili duhet të studiohet mirë dhe të dalë nga një konkurs ndërkombëtar për arritur në rrëfimin e historisë dhe në ruajtjen e vërtetësisë së objektit.

Robert Wilton u shpreh se kemi pasur mbështetjen e qeverisë suedeze për të realizuar këtë projekt kaq të rëndësishëm. “Spaçi njihet si shenja e vuajtjes së të kaluarës, prandaj ne duhet të mbrojmë historinë, ne duhet ta ruajmë atë të gjithë së bashku”, tha ai.

Anëtari i Bordit drejtues nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Gëzim Peshkëpia tha në fjalën e tij se më në fund arritëm një fillim ku jemi të përfaqësuar simbolikisht, ne të burgosurit politik. “Uroj që shprehja “fillimi i mirë është gjysma e punës” të gjej sot këtu strehë ndërmjet nesh si garanci e një premtimi, për një punë të mbarë e të sukseshme,” përfundoi Peshkëpia.