Nis aksioni, Rama: Uji si energjia, keni 90 ditë kohë

Nis aksioni, Rama: Uji si energjia, keni 90 ditë kohë

445
0

Të gjithë konsumatorët që furnizohen në mënyrë të parregullt me ujë, duke evituar faturimin, do të kenë vetëm 90 ditë kohë për të vetërregulluar situatën dhe për të lidhur kontratat. Vetëm gjatë këtyre tre muajve të parë, prerja e lidhjeve të paligjshme do të jetë pa penalizime. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri dhe kryeministri Edi Rama prezantuan ditën e hënë përpara krerëve të pushtetit vendor reformën në sektorin e ujit të pijshëm. Sipas Gjiknurit, kjo reformë ka ardhur si një nevojë emergjente për shkak të situatës. Gjiknuri u shpreh se prodhohet më tepër ujë se sa nevojitet, por nga çdo 3 litra vetëm 1 arrin të faturohet. “Objektiv kryesor është që brenda 2018-ës çdo konsumator të jetë i pajisur me kontratë dhe matës dhe të jetë i ndërgjegjshëm për konsumin e ujit”, u shpreh Gjiknuri. Ministri sqaroi se kjo reformë do të nisë nga një fazë e parë koordinimi të aksionit, ku do të përfshihen drejtuesit e ujësjellësave. Pas kësaj faze, në muajin shkurt do të nisë kontrolli derë më derë. “Faza e dytë është ajo e shtrëngimit, e cila do të nisë në Shkurt të vitit të ardhshëm. Do të ketë verifikim dhe ndërhyrje derë më derë. Do të ketë ndërprerje dhe penalizime”, tha Gjiknuri. Për ministrin, pjesë e rëndësishme e këtij procesi është disiplinimi i punonjësve të ujësjellësave, ndërsa rol themelor do të ketë edhe ndërgjegjësimi i bizneseve dhe bashkive. Edhe kryeministri Edi Rama u drejtoi një thirrje publike konsumatorëve që furnizohen me ujë që të vetërregullojnë situatën dhe lidhin kontratat brenda 90 ditëve. “Njëkohësisht do të nisë prerja e lidhjeve të paligjshme pa penalizime në këtë periudhë tranzitore, për të vazhduar në shkurt me kontrollin derë më derë dhe penalizimet ligjore për çdo vjedhje të ujit”, tha Rama para kryetarëve të 61 bashkive në vend. Rama kujtoi se Shqipëria është vendi i dytë më i pasur me burimet ujore, teksa në krahun tjetër jemi i vetmi vend me probleme serioze në furnizimin e qytetarëve me ujë të pijshëm. Ai tha se me përjashtim të 7 qyteteve uji shkon në rubinete vetëm 4 deri në 5 orë në ditë. Si përgjegjëse për këtë situatë Rama tha se pikë së pari është qeverisja qendrore, e cila në 27 vite nuk e ka zgjidhur këtë problem. Rama tha se edhe sikur vetëm 1 për qind të burimeve natyrore që kemi, furnizimi do të ishte i garantuar për të gjithë banorët në të gjithë vendin.

 

“Është një situatë që s’ka si bëhet më keq. Dhe vetëm një reformë e ngjashme me atë që patëm për energjinë elektrike do të na shpëtonte”, tha Rama.