Ngritja e Kushtetueses me 6 anëtarë, Manjani e thotë troç: Është një vrimë në ujë, hi që i hidhet syve publikut, do ndahen të të Metës dhe të Kuvendit

Nga Ylli Manjani

 

Edhe njëherë, përkjekja për të na shitur si sukses të radhës krijimin e Gjykatës Kushtetuese me 6 anëtarë, është një vrimë në ujë. Hiçgjë është! Hi i hedhur syve të publikut është. Gjykata me 6 gjykatës është e paplotë dhe eventualisht po aq JOFUNKSIONALE sa sot.

 

Ligjërisht që gjykata të marrë një vendim duhet që 5 gjykatës të jenë pro njërës prej alternativave, pranim ose rrëzim të kërkesës. Përbërja prej 9 anëtarësh e mundëson në 100% të rasteve sigurimin e 5 votave për një vendim. Ligji nuk lejon asnjë alternativë tjetër për gjykatësit, përveç se të jenë pro ose kundër kërkesës. Pra nuk ka absetim.

 

Ndërsa në përbërjen e cunguar me 6 gjykatës, shancet që vendimmarrja të ndahet 3 me 3, ose edhe 4 me 2 janë të larta. Aq më tepër që 6 anëtarët që priten të zgjidhen, janë të preferuarit e Parlamentit (Edi Ramës) dhe Presidentit (Ilir Metës).

 

Pra me iluzionin se kemi gjykatë, kushdo mund të çojë kërkesë, por gjykata ska numra për të marrë një vendim. Jo thjesht kohë e humbur, por pasiguri me të drejtën e pretenduar. Askush nuk e di çfarë ndodh pas këtij dështimi, nga gjykata.

 

As 4 vota nuk mjaftojnë për vendin. Duhen 5 sipas nenit 72.2 të ligjit për Gjykatën Kushtetuese. Dhe 5 vota sigurohen plotësisht në përbërjen e plotë të gjykatës. Në përbërje të cunguar kjo nuk garantohet.

 

Ndërkohë ligji është i heshtur në këtë pikë. Pra çfarë ndodh me kërkesën që u gjykua nga gjykata me 6 anëtarë por nuk u bënë 5 vota as për ta pranuar e as për ta rrëzuar!!!

 

Ka praktikë të gjykatës së mëparshme, por ende jo të konsoliduar qartë. Kjo është pasiguria! Pra ku jemi?

 

Hiç gjëkundi! Ndaj Gjykata Kushtetuese quhet e ngritur vetëm kur të plotësohet me 9 anëtarë sipas Kushtetutës. Rikujtesë: 3 i zgjedh Parlamenti, 3 Presidenti, 3 Gjykata e Lartë. Kjo e fundit mungon për vete… Përfundimisht kush duartroket krijimin e një gjykate të cunguar është i verbuar nga hiri që i kanë hedhur syve.

 

Ky arsyetim vlen edhe për “hirin” e republikës së (super) ambasadorëve të akredituar këtu…

Author: vizional