Histori njerëzore

Ngjarja në Patos/ Lidhja e dashurisë që shkoi në një fund tragjik

By vizional

December 20, 2019

Dy persona mbetën të vrarë me armë zjarri mesditën e djeshme në Patos. Njëri prej tyre gjeti vdekjen në vend, ndërsa tjetri ndërroi jetë pak minuta pasi mbërriti në Spitalin e Fierit. Pas ngjarjes, Policia bëri të mundur arrestimin e autorit të dyshuar, i cili u kap pak metra larg vendit ku ndodhi krimi. Sipas informacioneve nga Policia e Fierit, i vdekur në vend mbeti shtetasi Elis Kapaj, 22 vjeç, dhe Manol Rrapaj, 26 vjeç, banues në Patos. Ndërsa personi i dyshuar që qëlloi për vdekje është shtetasi Martin Skendaj, 22 vjeç, punonjës i Policisë së Burgjeve në Fier.

Pas arrestimit, Policia bëri të mundur sekuestrimin e armës së shërbimit të 22- vjeçarit, i cili qëlloi për vdekje dy të rinjtë. Nga informacionet paraprake mësohet se shkak i kësaj ngjarjeje është një konflikt mes të rinjve, i cili përfundoi dje me dy viktima. NGJARJA Konflikti i nisur mes të rinjve, duke përfunduar më pas me të shtëna armësh, ndodhi rreth orës 12:20, përballë me Poliklinikën e Patosit. Fillimisht, mësohet se të rinjtë janë konfliktuar verbalisht me njëri- tjetrin.

 

Më pas, punonjësi i burgjeve ka nxjerrë armën e tij të shërbimit, duke qëlluar për vdekje dy të rinjtë. Ndërkohë, sipas dëshmitarëve që janë ndodhur në vendin e ngjarjes, përplasja mes të rinjve ka ndodhur në një kohë të shpejtë. Po ashtu, ata tregojnë që mes protagonistëve të ngjarjes ka pasur më parë një konflikt fizik. Për Policinë dëshmitarët janë shprehur se 3 të rinjtë janë sharë me njëri-tjetrin, ndërsa më pas njëri prej tyre ka qëlluar me armë duke i lënë pa ndjenja në rrugë. Autori është larguar nga vendi i ngjarjes, por Policia ka arritur ta vërë në pranga brenda pak minutave.

 

SHKAKU

Fillimisht, ngjarja e rëndë u dyshua se mund të kishte ndodhur për radhën në Poliklinikë, por më pas u zbulua se 22-vjeçari Martin Skendaj kishte zbuluar lidhjen e dashurisë mes motrës së tij dhe Manol Rrapajt. Sipas burimeve nga uniformat blu, mësohet se viktimat Elis Kapaj nga fshati Kashisht i Fierit dhe Manol Rrapaj nga fshati Kuqa i Patosit kanë pasur konflikt herë pas here, i cili ka nisur një vit më parë.

Shkaku sërish ishte lidhja e motrës së autorit me viktimën Manol Rrapaj. Po ashtu, familja e Manolit dhe Martinit janë fqinj me njëri-tjetrin. Të rinjtë kanë pasur një histori dashurie, të cilën familja e vajzës nuk e ka pranuar. Mësohet se vajza e familjes Skendaj është e divorcuar nga martesa e parë dhe dyshohet se divorci ka ardhur pikërisht për këtë lidhje mes saj dhe Rrapajt. Duke mos e pranuar këtë fakt, Martin Skendaj i ka thënë disa herë Manol Rrapajt që të heqë dorë nga lidhja me motrën e tij. Por kjo gjë nuk ka ndodhur dhe familjet ndodheshin në sherr që prej disa kohësh me njëra-tjetrën. Edhe ditën e djeshme, ngjarja nisi në fshat me një përleshje me leva dhe mjete të forta dhe përfundoi në ambientet e Poliklinikës së Patosit, duke sjellë dy viktima.

 

SHERRI

 

Nga sherri në fshat dyshohet se gardiani Martin Skendaj kishte marrë shumë dëmtime në kokë e trup dhe ka qenë i detyruar të shkojë për të marrë mjekim në spital, por dy të rinjtë (shokë të ngushtë me njëri-tjetrin) duket se nuk janë mjaftuar me aq.

 

Ata i kanë zënë pritë dhe sapo Skendaj ka hyrë në spital, kanë nisur ta qëllojnë me grushte dhe mjete të forta. Në sherr e sipër, i pamundur për t’u bërë ballë goditjeve, 22-vjeçari ka nxjerrë armën e shërbimit dhe u ka bërë thirrje të largohen, por ata nuk kanë pranuar të heqin dorë.

 

Ai i ka qëlluar dhe është përpjekur të dalë nga spitali. I plagosur rëndë dhe me dëmtime të shumta në trup, Martin Skendaj nuk ka mundur të largohet shumë dhe Policia e ka arrestuar. Pas ngjarjes, Policia ka bërë shoqërimin e motrës së autorit, e cila është pyetur rreth konflikteve që ka pasur vëllai i saj me dy viktimat. Po ashtu, dëshmia u është marrë edhe familjarëve të dy viktimave.