New Tirana, ose qyteti i ri fringo i shqiptarëve/ Nga Leonard Veizi

New Tirana, ose qyteti i ri fringo i shqiptarëve/ Nga Leonard Veizi

1055
0

Pas vitit 1945 komunizmi ndërtoi ca qytete të reja, të tipit industrial, që nuk prishnin asgjë nga ekuilibrat e vjetër sepse në përbërje të një ngrehine hekurishteje, nuk kishte më tepër se 3000 banorë. Laçi apo Maliqi, në mos gabohem.

Sot sfida më e madhe e qeveritarëve, që po e rrotullojnë timonin në oqeanin e Ekonomisë së Tregut, është që shqiptarët të kenë dhe një kryeqytet fringo të ri, me të paktën 1 milion banorë. Dhe për këtë, me një letër me vrimë, është zgjedhur: Tirana.

-Do ta bëjmë Tiranën si Kairon, – m’u kujtua një batutë e dikurshme, që mbase shumë kush e mban mend se në çfarë rrethanash ka qarkulluar.

 

-Jo or jo, Tiranën do ta bëjmë si New Jorku, akull të ri e me gradaciela.

Kjo është thirrja që vjen më pas, atëherë kur ra muri i Berlinit, Çaushesku na la triskat dhe Ramizi mbajti pleniumet e partisë për liberalizimin e jetës në vend.

-Epo na vaftë mbarë.

Që Tirana të bëhej fringo e re, ishte sa e lehtë aq dhe e vështirë.

Sepse si qytet me histori të vjetër kishte goxha shumë probleme. Fjala vjen: përveçse një trashëgimi të rënduar me ndërtime orientalo-otomane, kishte dhe plot ndërtesa glorioze-italiane që përdoreshin për danc e kopuklliqe të këtij kalibri nga ushtarët dhe oficerët e ushtrisë së Benito Musolinit.

Ne e fituam që e fituam luftën, dhe në kampin aleat me ca të shtyra u futëm vetë, përse të mos i japim dërrmën dhe mbetjeve të ahengut alla-fashist?

Por për ta bërë qytetin fringo të ri, duhej një master-plan, herë emergjent e herë me perspektivë të largët.

Dhe nuk është se hapej një rrugë e re, se traseja qe shtruar me kohë.

Të parët e filluan ata që luftuan dhëmbë për dhëmbë me armikun. U takonte, jo për gjë. Fillimisht shembën Pazarin e Vjetër dhe nisën serinë e ndërtimit standard me parafabrikate: nga “Uzina Enver” deri të “Varri i Bamit”. Aty nga qendra i mbyllën gojën kafe “Kursalit”. E meqë s’i nxinte vendi, hodhën në erë Komitetin Ekzekutiv, dhe ca pallate me shkallë mermeri që italianët i kishin ndërtuar për nëpunësit e tyre në bash të vendit, aty në fillim të bulevardit “Zogu I”…, apo për nostalgjikët bulevardi “Stalin”.

Por kjo nuk ishte gjë fare.

 

Që Tirana ta meritonte parashtesën “New” u morën seriozisht qeveritarët e pas viteve 2000. Epo shekull i ri kismete të reja. Le që kjo përkonte dhe me mileniumin e tretë që kur lindi Krishti dhe epoka “Para Erës Sonë” u kthye në “Erës Sonë”. Për t’i dhënë vlerë mijëvjeçarit që sa trokiti, kinema “Republika” u pagëzua si “Millenium” dhe pak pas premierës së filmit të parë që u trasmetua në ekranin e gjerë u mor vendimi për t’u shembur si pjesë e të vjetrës dhe mbi gërmadha të ngrihej një pallat shumëkatësh, në mos deri mbi re, të paktën poshtë tyre.

“E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë, një jetë e re lulëzon gërmadhash”.

Ja pse duhen shkruar me gërma të arta këto vargje nga drama “Vilhelm Tel”. Mesazh fiks për ne shqiptarët, që i marrim me entusiazëm të paparë dhe SMS-të.

Kishte hak Shileri.

Vetë revolucionet ndryshojnë botën.

Veprimi është fare i thjeshtë: fut kallëpin e dinamitit e hidh në erë ç’të gjesh para. Të mos mbetet asgjë nga e kaluara o të keqen.

Pas kësaj iku kinemaja elegante “17 Nëntori”, apo “Nacional”, merreni si të doni. Se këtu te ne, vendet simbol kanë nga tre-katër emra. Ndonjëherë dhe më shumë. Epo… variacion për piano dhe orkestër.

Por me sa duket plani për të pasur në mesin e Shqipërisë, qytetin më të ri të botës, dikush e pengon.

Tanimë vendimmarrja është më e prerë. Se po bëhemi gati të futemi në Evropë me gjithë opinga.

Së fundi është marrë me goditje të përqendruar shkulja deri në brezin e tretë të arkitekturës italiane të Fashos. Beton e tallash bashkë. Edhe asbest ndonjëherë. Stadiumi fluturoi. Tani po përgatitet shpërthimi me C4 i Dololavoros që për djall shërbeu dhe 73 vjet si skena më e rëndësishme teatrore në vend. Sa të lahen duart dhe me këtë objekt të degraduar mjerë kujt do t’i vijë radha. Flakë e tym do bëhet.

Mirëpo unë kam një mendim.

Se dhe mendimet vijnë nga dëgjesa popullore.

Them se, që t’i vijmë hakut Fashos dhe Duçes bashkë me të, duhet ta marrim më seriozisht. Fjala vjen, do të ishte një spektakël i vërtetë po të qëllojmë me top obuz 122 milimetra Universitetin Politeknik. Si një herë e një kohë Asamblenë tradhtare që ishte mbledhur te “Pallati i Brigadave”… tek ai “Mbretëror” doja të thosha, por u ngatërrova. Se ajo biçim ndërtese ka faje të rënda. Mirë italianët, por dhe gjermanët e përdorën për komandaturë.

Dhe tek e fundit, po t’i heqim këtë pykën aksit qendror të kryeqytetit, ndërtesat përreth ikën e vanë. Vendi spastrohet një herë e mirë. Territor sa të duash. Mund të bësh qejf e s’ka çtë thotë njeri gjë.

Pas tyre vjen ndërtimi. Jo më parafabrikate 6 kateshe. Por kulla që çajnë qiellin mes për mes. Extra Qendra Biznesi, në një ekonomi tregu që nuk prodhon asgjë.

Dhe fill pas kësaj do të kemi “New Tirana”.

Pa asnjë objekt nga e kaluara.

Pa memorie negative.

Fringo të re.