Nënshkruhet kontrata për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, Balluku: Punimet nisin brenda...

Nënshkruhet kontrata për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, Balluku: Punimet nisin brenda 14 muajsh. Pacolli: Të shkurtohen afatet ligjore për investimin

327
0

Firmoset kontrata koncesionare mes qeverisë shqiptare dhe konsorciumit fitues për ndërtimin e aeroportit ndërkombëtarë të Vlorës. Aeroporti i Vlorës do të mundësojë edhe fluturimet transoqeanike pasi pista do të jetë mbi 3 km si dhe do të ngrihet Akademia e Aviacionit Civil në Vlorë.

“Është aeroport që do të ofrojë fluturime transoqeanike. Përpos pengesave që ne kemi hasur ne nuk e kemi ndalur punën. Kemi edhe dy sektorë të tjerë mirëmbajtja e avionëve dhe kargo që nuk ka ndodhur kurrë në Shqipëri. Mirëmbajtja e avionëve do të sjellë të ardhura për vendin porsa i përket punësimit. Si rrjedhojë ngritja e akademisë për aviacionin civil, për mirëmbajtjen e avionëve është hapi i radhës. Kargo është një nga fushat ekonomike më të zhvilluara në botë ndërsa në Shqipëri nuk përdoret. Pista do të jetë mbi 3 km dhe do të sjellë një rritje të jashtëzakonshme ekonomike.”, tha Rama.

Konsorciumi fitues ofroi një vlerë investimi prej 103.9 milionë Eurosh dhe do të ketë operimin për 35 vjet të pistës së aeroportit. Punimet do të nisin brenda 14 muajsh.

“Punimet do të nis brenda 14 muaj, do të ketë një fazë përgatitore për sa i përket studimit mjedisor, ku është një aeroport që do të ngrihet sipas kritereve evropiane, do të ketë edhe një studim arkeologjik, më pas 8 muaj do të jenë në dispozicion për përmbushjen e kushteve paraprake dhe dorëzimit të masterplanit dhe 6 muaj për marrjen e lejeve të ndërtimit.”, tha Balluku.

Vetë biznesmeni Behgjet Pacolli kompania e të cilit u shpall fituese kërkoi shkurtimin e afateve ligjore në mënyrë që investimi të bëhet më shpejt.

“Të fillojmë punën dhe ti shkurtojmë afatet ligjore sa më tepër për arsye se koha në implementimin e projekteve të tilla është faktori kryesorë, ajo krijon mundësi të reja. Shkurtimi i kohës së implementimit krijon më pak harxhime.”, tha Pacolli.

Koncesioni bazohet në formulën: ndërtim – operim – transferim, ku investimi prej afro 103.9 milionë Eurosh do të jetë privat ndërsa buxheti i shtetit merr përsipër të garantojë të ardhurat minimale në 10 vitet e para nëse do të jenë më të ulta se 140 milionë Euro, nga 35 vjet që firma do të mbajë të drejtat e operimit.