Nënë e bijë u mbytën/  Fqinji: S’kemi ujë as për të vaditur,...

Nënë e bijë u mbytën/  Fqinji: S’kemi ujë as për të vaditur, as për të pirë, e vetmja mundësi që kemi…

384
0

Nënë e bijë u mbytën pasditen e së dielës në fshatin Alarup në Pogradec, teksa janë mbytur në një gropë uji që shërbente për vaditjen e tokave.

Fqinji i familjes: S’kemi ujë as për të vaditur dhe as për të pirë

Alarupi, një fshat i thellë i Njësisë Administrative Çërravë, përballet me kushte të vështira ekonomike. Kjo gjendje çoi edhe në shkaktimin e kësaj tragjedie të rëndë. Tokat bujqësore ndodhen rreth 1 km larg fshatit dhe mungesa e ujit për vaditje i ka detyruar banorët që të hapin vetë gropa dhe të vaditin prodhimet e tyre. Sherif Lilo, banor i fshatit Alarup, tregon se hapja e gropave që grumbullojnë ujin e shiut për vaditje është një praktikë e të gjithë banorëve të zonës, të cilët e shohin atë si të vetmen mundësi për të prodhuar diçka nga tokat e tyre, pasi skemë vaditëse nuk ka.

Si e mësuat ngjarjen? 

Unë nuk ndodhesha në fshat. Nga bashkëfshatarët e mi e mësova se çfarë kishte ndodhur. Më morën në telefon dhe më thanë që të vija në fshat se kishte ndodhur një fatkeqësi.

A i njihnit viktimat? 

Sigurisht që po, fshati është i vogël dhe që të gjithë njihemi me njëri-tjetrin. Liria kujdesej për tokat se i shoqi kishte shkuar në emigrim. Shkonte nga 3 muaj, herë në Maqedoni e herë në Greqi, sa të nxirrte bukën e fëmijëve.

Sa fëmijë kishin?

Katër fëmijë, por kjo që u ndodhi është e tmerrshme. Ne të gjithë kemi hapur gropa nëpër tokat tona se mbledhim ujë për vaditje, çfarë të bëjmë, është e vështirë. Me pompa vaditim tokat që nxjerrim ndonjë prodhim, se me ato i mbajmë shtëpitë. Po deri më sot nuk kemi pasur probleme. Janë nga 2-3 metra të thella dhe mbushen me ujë e kur na duhet, i përdorim. Këtë zgjidhje kemi gjetur, se ne s’kemi ujë për të pirë, jo më për të vaditur. Në shtëpi me puse, këtu me gropa, ja në këtë gjendje jemi.